BE-ja me kritika të njëjta si vjet: Të përshpejtohet ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10D dhe reformat në hekurudha

Kritikat në sektorin e transportit nga Komisioni Evropian janë pothuajse identike si vjet, gjegjësisht mbeten si kërkesa për realizim nga pushteti. Në Raportin e progresit të Maqedonisë së Veriut në integrimet evropiane për vitin 2022 kritika ka për të njëjtat projekte si vjet – ndërtimi i hekurudhës drejt Bullgarisë, Korridori rrugor 10-d nga Gradsko deri në Prilep, vendkalimet kufitare të përbashkëta hekurudhore, mungesa e kuadrove te Inspektorati Shtetëror i Transportit dhe trupat e tjerë inspektoriale në transport, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Për pjesën e degës D të Korridorit rrugor 10, vërejtje ka për prolongimin e punimeve ndërtimore për ndërtimin e tij, me ç’rast mendohet për rrugën eksprese GradskoPrilep. Sipas njoftimeve të para, e gjitha rruga e shpejtë duhej të kishte përfunduar deri në fund të këtij viti, por kishte një ngecje dy vjeçare për shkak të nevojës për përzgjedhjen e realizuesve të rinj të trasave nga Drenova deri në Farish dhe nga Gradsko deri në Drenovë. Për momentin realizohen punime ndërtimore përgjatë gjithë rrugës së shpejtë, por procedurat e tenderimit për realizuesit e rinj e prolonguan afatin për lëshimin e tij në përdorim.

Prolongim të dukshëm ka pasur edhe tek përzgjedhja e realizuesve për fazën e parë dhe të dytë të ndërtimit të hekurudhës drejt Bullgarisë, si dhe procedurës së tenderimit për realizimin e fazës së tretë të Korridorit hekurudhor 8, seksionit nga Kriva Pallanka deri në Deve Bair. Autoritetet maqedonase nuk do të kenë hapësirë për gabime në periudhën vijuese, sepse nga ana e Komisionit Evropian në Raport shënohet se këto vonesa janë burim i shqetësimit për financimin e projektit nga fondet e BE-së.

Disa ditë më parë, pikërisht drejtori i Ndërmarrjes Publike për Infrastrukturë Hekurudhore Hekurudhat e RMV-së, Hari Llokvenec njoftoi se më 29 tetor zyrtarisht do të fillojë ndërtimi i fazës së parë dhe të dytë të hekurudhës drejt Bullgarisë, në pjesën nga Kumanova deri në Kriva Pallankë. Austriakja “Shtrabag” dhe kompania turke „Gjulermak” këtë verë u përzgjodhën si realizues të dy fazave të ndërtimit të Korridorit hekurudhor 8.

Llokvenec në 7 tetor të këtij viti informoi se të dy kompanitë punimet në terren do t’i fillojnë prej më datën 18, por edhe premtoi se nuk do të ketë pengesa në ndërtimin e hekurudhës prej Kumanove deri në Kriva Pallankë. Mjetet financiare për hekurudhën janë të siguruara, eksproprijimi i tokës është kryer, vendzbulime arkeologjike dhe lokacione në trasë nuk janë të pranishme, ndërsa cilësia dhe dedikimi i realizuesve të përzgjedhur është e mirë, deklaroi Llokvenec.

,,Kjo domethënë se deri në fund të vitit 2025 ne do t’i kemi të përfunduara të dy fazat e hekurudhës drejt Republikës së Bullgarisë, deri në Kriva Pallankë”, deklaroi drejtori i NP për infrastrukturë hekurudhore.
Sa i përket fazës së tretë të seksionit nga Kriva Pallanka deri në Deve Bair, drejtori Hari Llokvenec informoi se është në fazë përfundimtare dokumentacioni tenderues, i cili duhet të shpallet më së voni deri në fillim të vitit 2023. Përzgjedhja e realizuesit për fazën më të ndërlikuar duhet të jetë e përfunduar deri në fund të vitit të ardhshëm, kur duhet të shënohet edhe fillimi i ndërtimit.

„Duke pasur parasysh se koha e paraparë për ndërtim të kësaj pjese është katër vite, domethënë se deri në fund të vitit 2027 ne do të duhet të kemi hekurudhë të gatshme drejt Bullgarisë”, deklaroi Llokvenec.

Raporti i KE-së përcjell kritika edhe për vendkalimet e përbashkëta kufitare, gjegjësisht lehtësimin e procedurave për kalimin e udhëtarëve dhe mallrave përtej kufijve.

,,Marrëveshja për kalim kufitar hekurudhor më Greqinë ende nuk është miratuar, përderisa disa aktivitete janë ndërmarrë për zbatimin e protokollit të mbetur për vendkalim kufitar me Kosovën. Inkurajohet që të dy të finalizohen pa vonesa të mëtutjeshme”, shënohet në Raportin për progresin e reformave në pjesën e vendkalimeve kufitare të përbashkëta. Nga Komisioni Evropian rikujtojnë se nuk është siguruar financim i plotë edhe për ndërtimin e vendkalimit të përbashkët kufitar hekurudhor në Tabanoc.

Në sektorin e transportit, Raporti për progresin në reforma i KE-së thekson se vendi është relativisht i përgatitur, ndërsa gjatë periudhës së raportuar për vitin 2022 është arritur një progres i kufizuar në pjesën e reformave.
,,Ende mungon dedikimi politik për realizimin e reformave të domosdoshme sektoriale”, shënohet në Raportin e Komisionit Evropian.

Kështu, në mënyrë të veçantë janë theksuar tre pika që Maqedonia e Veriut duhet t’i realizojë në periudhën në vijim. E para është përforcimi i kapaciteteve administrative dhe operative të trupave inspektues dhe zhvillimi i kapacitetit për implementimin e uljes së viktimave në pjesën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore. Këtu theksohet nevoja për formimin e Agjencisë për Siguri në Rrugë, por edhe forcimi i kapaciteteve të Inspektoratit Shtetëror të Transportit.

Njëjtë si vitin e kaluar, kërkesa e dytë e BE-së është që zhvillohen reforma në sektorin hekurudhor, gjegjësisht të hapet tregu për hyrje të kompanive të reja në transportin hekurudhor, ku për momentin monopolin e ka Hekurudhat e RMV-së – Transport. Liberalizimi në pjesën e transportit hekurudhor është kërkesë e BE-së edhe nga vitet e kaluara.

Kërkesa e tretë e theksuar në Raportin më të ri për vitin 2022 është sjellja e një legjislature për sistemet inteligjente të transportit (SIT) dhe për transport të kombinuar, si dhe të bëhen përpjekje të mëtejshme për implementimin e SIT-it dhe rrjeteve bazike.

„Sa i përket transportit të kombinuar, ende nevojitet progres në realizimin e nyjës multimodale në afërsi të Shkupit. Nuk ka progres në miratimin e legjislaturës konkrete në pajtueshmëri me rregullat e BE-së. Progres duhet të bëhet për miratimin e legjislaturës relevante dhe vendosjen e sistemeve për shkëmbim elektronik të informacioneve për transportin e mallrave”, shënohet në Raportin e KE-së në pjesën e transportit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button