RMV, partitë bëjnë rezistencë ndaj ligjit për drejtorë profesional, këto funksione i shohin si “gjah” pas marrjes së pushtetit

Pozicionet e larta udhëheqëse në konstalacionin aktual janë gjahu kryesor, të cilin e fitojnë partitë gjatë marrjes së pushtetit. Për atë, pranimi i ligjit dhe harmonizimi me mendimin e të gjithë aktorëve politik shkon ngadalë. Kështu deklaroi sot, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti në bashkëbisedimin me udhëheqësin e Qendrës për Menaxhim me të Mirë, Misha Popoviq në ngjarjen e organizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSCS) me titullin “Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës: Kur mund të pritet emërimi sipas meritokracisë”, raporton Portalb.mk.

“Udhëheqësit e lartë profesional, duhet të mbeten në pozita deri në fund të mandatit të tyre, pavarësisht në shtet ka ndryshime politike. Për fat të keq, kultura politike në shtet është e tillë që gjatë ndryshimit të pushtetit, gjëja e parë që bëhet është shkarkimi i udhëheqësve të lartë dhe emërohen udhëheqës të ri të cilët janë të pranueshëm politikisht”, deklaroi Aliti.

Ministri tha se me këtë ligj bëhet kufizimi i pozitave politike nga ata menaxheriale në institucione.

“Vendoset mekanizëm i seleksionimit i bazuar në merita, që parashikon procedura për ndjekjen dhe vlerësimin, por edhe limitimin e mundësisë për keqpërdorimin e pozicionit “ushtrues detyre”, por edhe çështjeve tjera”, shtoi Aliti.

Popoviq deklaroi se Ligji për Shërbim të lartë udhëheqës do të ketë detaje të natyrës që disa procedura në institucionet e vendit, pavarësisht se nënkuptohet që duhet të bëhen, nuk bëhen pasi që arsyetohen se nuk shkruan në asnjë nen të ndonjë ligji.

“Parimet për zgjedhje cilësore tanimë ekzistojnë në ligjet materiale, megjithatë Ligjin për Shërbim të Lartë e vlerësoj në frymën e kulturës juridike e cila ekziston në shtet dhe është një shteg nëpërmjet të cilës do të hyjë në fuqi obligimi i institucioneve që të krijojnë pritje dhe përshkrime më të detajuara për atë se çfarë duhet të bëjnë kandidatët e zgjedhur. Më kujtohet kur zgjedheshin anëtarët e Antikorrupsionit, shërbimet nuk dëshironin fare në analizën e biografive të kandidatëve, pasi që ajo askund s’ka qenë e shkruar, edhe pse e njëjta pritet dhe është normale në çdo ndërmarrje – pra thjeshtë, nuk shihni nëse ka biografi, por duhet ta verifikoni nëse brenda ka kuptim. Megjithatë, kultura e tillë tekstuale te ne, nëse nuk është në ndonjë nen të ligjit asnjëherë nuk do të zbatohet. Pra kjo është një prej instrumenteve të Ligjit për Shërbim të Lartë që do të mundësojë atë që nevojitet edhe në përgjithësi në administratën publike, më shumë detaje në kuptimin se çfarë pritet nga kandidatët”, tha Popoviq.

Misha Popoviq dhe Admirim Aliti, foto nga ngjarja: Suad Bajrami/Portalb.mk
Misha Popoviq dhe Admirim Aliti, foto nga ngjarja: Suad Bajrami/Portalb.mk

Nga publiku me kritikat e tyre u kyçën dy anëtarët e Antikorrupsionit, Nuri Bajrami dhe Katica Nikollovska.

“Deri tani kemi qenë të kyçur në procesin e hartimit të ligjit dhe kemi dhënë vërejtjet tona thuajse për çdo nen të cilat mund të jenë problematik në aspektin e korrupsionit, megjithatë aq shumë versione janë bërë të ligjit dhe ne tani ne nuk e dimë se cili është versioni përfundimtar”, tha Nikollovska.

Bajrami ishte skeptik se ligji mund të miratohet duke e pasur parasysh se për të njëjtin po punohet 4 vite dhe sërish nuk është gati.

“Unë i pari u kyça, kur ishte nga fundi versioni i parë më kujtohet ishte maj-qershor i vitit 2019-të mbaruam 7 muaj punë. Atëherë ishte shumë afër të një zgjidhjes që sipas meje ishte solide, të jem i sinqertë dhe tani habitem pse të vonohet kaq kohë dhe të mos bëhet një prerje, të paktën të fillojë se kështu teorikisht nuk mund të vlerësojmë asnjëherë se sa do të ishte ai ligj i suksesshëm. Nuk jam për zgjidhje të shpejta, por zvarritja në këtë mënyrë, mua me të vërtetë më jep përshtypje që nuk do të miratohet”, tha Bajrami duke theksuar se kanë kaluar katër vite dhe sërish sillemi në qarkore”, tha Bajrami.

Ministri Aliti nuk tregoi se kur saktësisht mund të jetë versioni final i këtij ligji, por tha se javën e ardhshme do të takohet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski për të diskutuar detaje rreth këtij ligji dhe shpreson që së shpejti të publikohet në ENER.

Ndryshe, me këtë ligj parashikohet që të formohet një Komision i cili do t’i zgjedhë kandidatët për institucionet e caktuara sipas sistemit të meritokracisë dhe më pas të formojë listë të shkurtër me emrat e kandidatëve më të mirë, të cilët më pas do të intervistohen nga ministri përkatës.

“Është një hap i mirë, sot kemi vetëm një kandidat të një dege të partisë dhe mjafton partia ta jep vetëm një emër dhe emërohet”, tha Aliti.

Ndryshe, paraprakisht sektori civil ka shprehur skepticizëm për miratimin e Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, i cili do të duhej të vendos sistem meritokracie gjatë zgjedhjes së krerëve të institucioneve. Sfidë për RMV-në mbetet edhe kthimi i besueshmërisë së qytetarëve të cilët mendojnë se në krye të institucioneve emërohen njerëz me prapavijë partiake dhe pa kualifikimin përkatës.

Reformat në administratë për Maqedoninë e Veriut, përveç që janë nevojë për qytetarët, ata janë edhe kusht për integrimin e vendit në BEMinistria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) është bartësi i procesit reformues, gjegjësisht ajo ka hartuar Strategji për Reformën e Administratës Publike 2018–2022 e cila i përcakton masat të cilat duhen të ndërmerren në pesë vite për të arritur qëllimet e përgjithshme dhe specifike të përcaktuara në secilën prej fushave prioritare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button