Qeveria e miratoi vendimin për formimin e Këshillit, i cili mes tjerash duhet ta zgjidh problemin me librat

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme miratoi informatën për nevojën e themelimit të Këshillit për Avancimin e Arsimit dhe Shkencës, i cili mes tjerash do të duhet ta zgjidh dhe problemin e çështjes së mungesave të librave, njofton Portalb.mk.

Nga MASH thonë se përmes këtij Këshillit, do të mundësohet përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe shkencës, optimizimi në arsim, forcimi i evaluimit dhe vlerësimit në reformimin e kurrikulave me fokus më të madh në rezultatet e të nxënit, orientimin më të mirë të programeve të arsimit dhe formimit profesional ndaj nevojave të tregut të punës, si dhe programeve në arsimin e lartë për të pasqyruar nevojat e tregut të punës.

Ata informojnë se punën e Këshillit do ta kryesojë kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, ndërsa anëtarë do të jetë ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, zëvendëskryetari i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, zëvendëskryetari për Çështje Ekonomike Fatmir Bytiqi dhe ministri i Financave Fatmir Besimi, koordinatori i departamenteve ekonomike dhe investimeve si dhe Shërbimi Pedagogjik si organ i administratës shtetërore në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Në aktivitetet e Këshillit, thonë nga MASH, do të marrin pjesë Unioni i nxënësve të shkollave të mesme, Konferenca ndëruniversitare, Këshilli nacional për arsim të lartë dhe kërkim shkencor, Agjencia për cilësi në arsimin e lartë, Bordi për akreditim të arsimit të lartë, Bordi për evaluim për arsim të lartë, kuvendet studentore, Byroja e Zhvillimit të Arsimit, Qendra për Arsim dhe Aftësim Profesional, Qendra Shtetërore e Provimeve, Inspektorati Shtetëror Arsimor dhe Qendra për Arsimin e të Rriturve.

“Me këtë vendim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të krijojë politika që do të bazohen në informacionin mbi funksionalitetin aktual të sistemit në nivel kombëtar, si dhe në kërkimet ndërkombëtare për faktorët që kontribuojnë në mësimdhënie dhe mësimnxënie efektive”, thuhet në njoftimin e MASH-it.

Ndryshe, në fillim të shtatorit, u bë e ditur se fëmijët e klasave të para, të dyta, të katërta dhe të pesta, materialet mësimore të të cilëve po ndryshohen, nuk kanë libra. Në vend të librave, Ministria e Arsimit, së bashku me Byronë për Zhvillimin e Arsimit, ka përgatitur materiale që nga 1 shtatori për të ruajtur vazhdimësinë e teksteve dhe vetëm për dy muajt e parë dhe do t’u dërgohen nxënësve në kohë dhe do të sigurohen nga ministria. Por, problemi i librave nuk është zgjidhur edhe pse ka pothuajse një muaj që mësimi ka filluar.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, pret që deri në fund të tetorit apo në fillim të nëntorit, nxënësit e klasës së parë, të dytë, të katërt dhe të pestë të marrin tekstet shkollore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button