Maqedonia e Veriut publikoi të dhënat e militantëve që luftuan në Siri

Qeveria e Maqedonisë së Veriut për herë të parë në Gazetën Zyrtare ka publikuar listën me të dhënat e detajuara të 15 personave që janë të përfshirë në luftërat e huaja, si pjesë e grupit militant, Shtetit Islamik, në Siri ku pjesë e të dhënave janë edhe numri amë, adresa e banimit dhe vepra për të cilën ngarkohen, raporton REL.

Që të gjithë këta persona nuk janë në dispozicion të strukturave të policisë dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet.

Në bazë të vendimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut këtyre 15 personave u ndalohet përdorimi, transferimi, konvertimi, transferimi ose disponimi i pronës, u ndalohet vënia në dispozicion e çdo pasurie, drejtpërdrejt ose indirekt, si dhe krijimi ose vazhdimi i një marrëdhënieje biznesi.

Qeveria vendimin e marrë e ka bazuar në Ligjin për masat restriktive ndërkombëtare.

Në vendimin e Qeverisë theksohet se 15 persona, të dhënat e të cilëve janë bërë publike, kanë marrë pjesë në formacionet paramilitare gjatë viteve 2014-2015.

Disa nga këta 15 persona, në formë të drejtpërdrejtë kanë qenë të përfshirë në luftën në Siri përderisa pjesa tjetër ka inkurajuar personat e tjerë që bashkë me familjet e tyre të shkojnë në Siri.

“Këto masa zbatohen gjithashtu për: pronën që disponohet, përdoret, zotërohet ose kontrollohet plotësisht ose pjesërisht, drejtpërdrejt ose tërthorazi nga personat e specifikuar, – pasuria që buron ose rrjedh nga pasuria që disponohet plotësisht ose pjesërisht, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të përdorura, në pronësi ose të kontrolluara nga personat e specifikuar ose – pasuri e fituar shtesë nga personat e specifikuar për shkaqe të ndryshme”, thuhet në Ligjin për masat restriktive, të cilit i referohet Qeveria lidhur me zbatimin e masave financiare kundër terrorizmit, me ç’rast është përfshirë dhe publikimi i të dhënave personale të 15 personave që kanë marrë pjesë në luftën në Siri.

Ekspertët e sigurisë thonë se publikimi i të dhënave paraqet një vegël efikase për pamundësimin e transferimit të parave nga burime të dyshimta. Kurse, organizatat joqeveritare që në fokus kanë rehabilitimin e personave të kthyer nga luftërat e huaja, konsiderojnë se të dhënat duhej të ishin të qasshme vetëm për institucionet, por jo edhe për opinionin pasi vihet në rrezik jeta e familjarëve të këtyre personave.

Në bazë të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, pjesëmarrja ose rekrutimi i personave për t’u përfshirë në luftërat e huaja, paraqet vepër penale, për të cilën parashihet dënim me së paku pesë vjet burgim.

Në bazë të të dhënave të organizatave joqeveritare në luftërat e huaja janë përfshirë 156 persona. Në bazë të të dhënave zyrtare, 83 persona janë kthyer në vend, 30 prej tyre u është shqiptuar dënimi me burgim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button