Pas filibasteringut të opozitës, zgjedhja e Joveskit për gjykatës kushtetues sërish në rend dite para deputetëve

Propozimi për zgjedhje të prokurorit republikan, Lubomir Joveski, gjykatës kushtetues sërish do të gjendet në rend dite në Komisionin Kuvendor për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, pasi që në vazhdimet paraprake deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare me filibastering janë përpjekur ta pengojnë që ai të marrë dritë jeshile nga ky trup kuvendor, njofton Portalb.mk.

Sipas agjendës së Kuvendit, ky komision për sot ka caktuar dy seanca. E para duhet të fillojë në ora 11, por në rend dite për atë ka vetëm dy pika – konstatimin e propozim-vendimit për emërim të vendimit për shkarkim dhe emërim të kryetarit dhe anëtarëve të Bordit për dhënien e çmimit shtetëror “22 Nëntori” dhe pika e dytë “të ndryshme”.

Për gjysmë ore më vonë është caktuar seanca në të cilën duhet të diskutohet për propozimet për gjykatës kushtetues, konkretisht për konstatimin e propozimit që Joveski të plotësojë një vend të zbrazët në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë, nuk dihet nëse sot do të vijë deri te votimi, duke e pasur parasysh se opozita në vazhdimet paraprake e ka zvarritur procedurën me vërejtje procedurale dhe fjalime të gjata të deputetëve, siç ishte për shembull, fjalimi dhjetëorësh i deputetes Beti StamenkovskaTrajkovska nga VMRO-DPMNE më 15 shtator.

Sjelljen e këtillë, LSDM e vlerëson si të papërgjegjshme dhe pandërgjegjshme. Deputetja Marija Georgievska, e cila është dhe kryetare e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, përpara dhjetëra ditësh në konferencë për shtyp tha se ato do t’i shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat që i kanë në disponim që të zgjedhën gjykatës kushtetues dhe Gjykata Kushtetuese të punojë me përbërje të plotë. Ajo i ka kritikuar kolegët e VMRO-DPMNE-së se mundohen në çdo mënyrë ta bllokojnë procesin.

Joveski është i fundit nga nëntë kandidatët për të cilët duhet të diskutojë Komisioni. Atë e kanë propozuar deputetët e LSDM-së, gjithashtu edhe kandidatët Tatjana VasiqBozaxhieva, e cila punon në Ministrinë e Drejtësisë si këshilltar shtetëror dhe Fatmir Skender, i cili është gjykatës aktual në Gjykatën e Apelit në Shkup. Të dy u përkrahën nga shumica parlamentare në Komision.

Kandidatët tjerë të VMRO-DPMNE-së nuk morën dritë jeshile.

Pasi të mbarojë diskutimi në Komision edhe për Joveskin, i cili kur të vijë në votim pritet të marrë mbështetje nga ky trup kuvendor, tre propozimet për gjykatës kushtetues më pas duhet që të votohen në seancë kuvendore.

Tre gjyqtarët duhet t’i plotësojnë vendet e tashmë ish-gjyqtarëve Sali Murati, Elena Gosheva dhe Nikolla Ivanovski, mandati i të cilëve skadoi në fund të majit 2021. Vitin e kaluar në qershor ishte caktuar seancë për përcaktimin e propozimeve për vendet e lira, por seanca filloi në atmosferë të tensionuar dhe më pas u ndërpre. Më pas ishin zgjedhjet lokale, ristrukturimi i shumicës në Kuvend dhe ndryshimet në përbërjen e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime. Në ndërkohë ka skaduar edhe mandati nëntëvjeçar i gjyqtarit Jovan Josifovski, i cili u largua nga Kushtetuesja në fund të janarit të këtij viti, duke e lënë gjykatën me vetëm pesë nga nëntë gjyqtarë gjithsej, gjegjësisht u soll në kufirin e kuorumit për mbajtjen e seancave, ndërsa për një numër të madh nismash të dorëzuara Votimi kushtetues shtyhet për shkak të mungesës së numrit të mjaftueshëm të votave për të marrë vendim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button