Tani që ju kapa me gishtat në mjaltë, nuk bëj për ju, iu përgjigj Arsovska këshillarëve të VMRO-DPMNE-së
Kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska dhe këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, të cilët vitin e kaluar e përkrahnin dhe e lavdëronin njëri-tjetrin, sot në seancën për pyetje të këshilltarëve u përleshën dhe fyheshin mes veti, raporton SDK. Shkëmbenin akuza për komisione nga tenderi prej 136 milionë eurosh për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Shkup.
Arsovskës në fillim të seancës iu drejtua këshilltari i LSDM-së, Gordan Shutarov, i cili e pyeti se si kanë lulëzuar trëndafilat gjatë gjithë vitit dhe nëse është i rrezikuar projekti për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza, sepse u grindën me VMRO-DPMNE-në për atë se kush do t’i marrë komisionet.
“Çfarë është kjo farsë dhe ironi nga ju kryetare dhe këshilltarët nga VMRO-DPMNE. 16 seanca u mbytët duke u lavdëruar mes veti, rrëfenit përralla, ndërsa tani u zutë se kush t’i marrë komisionet. Ju dhe VMRO-DPMNE nga Qyteti i Shkupit krijuat cirk”, tha Shutarov.
Arsovska nuk iu përgjigj as pyetjes së Shutarovit, as pyetjeve që vijuan nga një këshilltare e BDI-së.
Më pas pyetje parashtroi këshilltari nga VMRO-DPMNE, Lluke Galeski, i cili e pyeti nëse ajo ka pas kontakte me një shtetas turk, duke e treguar edhe foton e tij, i cili është i lidhur me kompaninë turke pjesëmarrëse në tender.
Pas kësaj, Arsovska doli në foltore dhe i pyeti këshilltarët e VMRO-DPMNE-së si ndodhi që deri dje ishte kryetarja më e mirë, e sot nuk bën dhe i bëri thirrje liderit të tyre Hristijan Mickoski që të mos e kërcënojë, duke e quajtur shpicen kryetar të qytetit.
“Tani që ju kapa me gishtat në mjaltë, nuk bëj për ju. Shpicen kryetarit tuaj të qytetit dua t’i them që po të kishte luftuar kundër qeverisë dhe marrëveshjeve të dëmshme, do ta kishte shpëtuar Maqedoninë. Mos të më kërcënohet, le të vijë”, tha Arsovska.
Më pas ajo u largua nga seanca dhe nuk ishte e pranishme në pjesën e mbetur të seancës për të dëgjuar pyetjet tjera të këshilltarëve.