Ani moj Shqypni mos thuj votova

Pasi është herët të dihet plotësisht për rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të sotme në Shqipëri, sidomos në kushte kur ato bëhen kështu në garë të përafërt mes dy palëve maxhoritare, do doja të shkruaj mbi atë se si këto zgjedhje u panë nga shqiptarët jashtë Shqipërisë. 

Përshtypja e parë nga ndjekja e përcjelljes të zgjedhjeve prej shqiptarëve jashtë Shqipërisë, që ndonëse nuk janë votues në ato zgjedhje janë më shumë në numër se gjithë votuesit në shtetin shqiptar, ishte se këtë radhë ka pas më pak përzierje në zgjedhje. Më pak përzierje në kuptimin e tifozerisë për njërën apo tjetrën palë por edhe më pak ndërhyrje në kuptimin e pjesëmarrjes aktive me agjitacion, thyerje të heshtjes parazgjedhore apo kontribut nga jashtë për kampanjat politike që zhvilloheshin brenda Shqipërisë.

Sigurisht që edhe këtë radhë pati lajthitje në komentimin e disa lajmeve apo edhe përzierje nga media të ndryshme nga Kosova, Maqedonia dhe vende tjera, por krahasuar me zgjedhjet paraprake kjo ishte shumë më pak. Për këtë mosndërhyrje kontribuoi edhe fakti se gjatë fushatës, kryesisht, dyja palët më të mëdha kontestuese i iknin temave shqiptare që përfshijnë edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë. Në këmbim të kësaj edhe shqiptarët gjithandej më shumë ishin rreth dëshirës: o moj Shqypni të priftë e mbara, edhe nëse fiton Sala ose Rama. 

Këmbimi më i drejtëplotë i kësaj mosndërhyrje do ishte që pasi shqiptarët jashtë Shqipërisë kryesisht qenë të qetë për këto zgjedhje dhe nuk u përzinë, ata që janë brenda dhe votuan duhej të bënin zgjedhje të qeta dhe të mos bënin që këta jashtë të ndiejnë mërzinë.

Shikuar zgjedhjet në tërësi në pjesën e debatit dhe llojllojshmërinë e medieve dhe qasjes në to kjo garë elektorale do mund edhe të veçohej si avangardë sidomos për shumë prej shteteve të rajonit ku jetojnë edhe shqiptarë. Por vetë dita e zgjedhjeve me krejt dhunën dhe agresivitetin e shfaqur dhe më e madhja; një viktimë në ditë të zgjedhjeve të ndërlidhur me po këto zgjedhje, bënë që shqiptarët anembanë ku janë të jenë mërzitur për këto zgjedhje. 

Vonimi i përllogaritjes dhe shpalljes të rezultateve ende më shumë do shton mërzinë për atë se kush dhe si do drejton Shqipërinë në katër vitet e ardhshme. Një gjë kjo që është shumë me rëndësi për shqiptarët kudo që janë dhe që ata e shfaqin me interesin e vazhdueshëm për zgjedhje, çfarëdo qofshin ato, që mbahen në Shqipëri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button