RMV, askush nuk dëshiron të paguajë taksa për makinat e shtrenjta dhe administratë ta ngathtë
Një e katërta e ekonomisë në Maqedoni është në zonën informale. Ekonomia informale nuk është zvogëluar prej vitesh. Bëhet fjalë për disa miliardë euro në vit. Taksa më të ulëta dhe më shumë inspektime e reduktojnë ekonominë informale. Qytetarët nuk duan të paguajnë për tenderë të dyshimtë dhe administratë të ngathët, raporton REL, përcjell Portalb.mk.
Kontrabandë, rrogë në zarf, punë ilegale, allëshveresh biznese. Varësisht nga metodologjia e përdorur gjatë hulumtimit, rezultatet tregojnë se midis një e katërta dhe një e treta e ekonomisë në Maqedoni i përket ekonomisë informale. Kjo do të thotë se bëhet fjalë për shuma ndërmjet 2,5 deri në 3,5 miliardë euro në vit.
Hulumtimi i Finance Think tregon se ekonomia informale është rreth 23 për qind e PBB-së dhe se prej vitesh ajo nuk është zvogëluar.
Ekspertët thonë se motivimi i qytetarëve për të paguar taksat bie nëse shohin se dikush tjetër nuk paguan, ndërsa shteti nuk reagon, se paratë e tyre shpenzohen për tenderë të dyshimtë dhe makina zyrtare të shtrenjta dhe se nuk marrin shërbime cilësore nga administrata.
Kjo çështje u hap pasi qeveria paralajmëroi reformë tatimore të re, me të cilën duhet të mblidhen 54 milionë euro shtesë në buxhet.
Eksperti i taksave Pavle Gacov kritikoi se qeveria e zgjodhi mënyrën më të lehtë– të ngarkohen ata që tashmë paguajnë, në vend të atyre që nuk paguajnë asgjë.
“Puna në të zezë me punonjës të cilët marrin ndonjë lloj ndihme shtetërore, mos lëshimi i faturave fiskale, pagesa me kesh pa tatim, janë vetëm disa nga format e ekonomisë informale që shteti këtë edhe një herë nuk po ndërmerr veprime në mënyrë sistematike”, thotë ai.
Profesori Borçe Trenovski thotë se hulumtimet tregojnë që ekonomia informale rritet sa herë që ka krizë, prandaj bën thirrje për kujdes me reformat e paralajmëruara tatimore. Gjëja kryesore për të luftuar ekonominë informale janë ligjet e mira dhe institucionet e forta.
“Jemi të dëshpëruar sepse edhe në DHP edhe në komuna ka 60 për qind më pak inspektorë të trajnuar të cilët duhet të dalin në terren. Duhet ta kapim atë pjesë. Duhet të ndikojmë në moralin, përgjegjësinë e qytetarëve dhe efikasitetin e shtetit”, thotë ai.
Sipas hulumtimit të Finance Think, ekonomia gri në vend është 23.2 për qind e PBB-së dhe nuk ka rënë për gati një dekadë të tërë. Bllagica Petreski nga Finance Think thotë se reduktimi më i madh i ekonomisë gri ka ndodhur në vitin 2008, me vendosjen e taksës së sheshtë dhe uljen e tatimit mbi të ardhurat personale.
“Këtu duhet përmendur edhe morali tatimor, gjegjësisht bindja e taksapaguesve se – po, do të paguaj taksa më të larta, por ato mjete do të përfundojnë për qëllime zhvillimore, e jo për qëllime të individëve apo grupeve të vogla të interesit”, tha Petreski në intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Por, pyetja është se si të rritet morali tatimor, nëse qytetarët nuk besojnë se paratë e tyre shpenzohen siç duhet. Nëse mendojnë se paratë do të përfundojnë në tenderë të dyshimtë, punësimin e të afërmve dhe dreka zyrtare për zyrtarët, përpiqen t’i shmangin.
Profesor Trenovski thotë se qytetarët duhet të edukohen se cila është domethënia e tatimeve, shteti duhet të tregojë se po përpiqet t’i ngarkojë të gjithë në mënyrë të barabartë dhe t’u ofrojë shërbime të mira.
“E shihni që raporti i fundit i Entit Shtetëror për Auditim ka treguar se në buxhet janë 30 milionë euro të hyra të llogaritura dhe të papaguara. Ose keni rreth 100 milionë euro prokurime publike të kontestuara. Kjo duhet të realizohet, të shihet se nga vjen dhe kështu reagoni ndaj zvogëlimit të ekonomisë informale”, thotë Trenovski.
Sipas një analize të vitit 2018 nga Qendra për Hulumtime të Politikave Ekonomike në Londër, të publikuar nga Banka Botërore, Maqedonia ka një nga normat më të larta të ekonomisë informale në Evropë. Sipas këtij hulumtimi, ekonomi informale më të madhe në Evropë ka vetëm në ish-republikat sovjetike – Rusi, Bjellorusi, Ukrainë, Moldavi, Gjeorgji, Azerbajxhan dhe Armeni.
Sipas atij hulumtimi, ekonomia informale shkon prej rreth 8 për qind e PBB-së në Shtetet e Bashkuara dhe në Zvicër e deri në mbi 63 për qind në Zimbabve. Vendet e Evropës Perëndimore kanë rreth dy herë më pak ekonomi informale se Maqedonia.
Ekonomia në hije nuk mund të matet saktësisht, sepse janë të ardhura që pronarët e saj duan t’i fshehin, ndaj ekonomistët përdorin metodologji të ndryshme për të vlerësuar përafërsisht aktivitetin e padeklaruar ekonomik.