RMV, javën e kaluar numri i të infektuarve dhe të hospitalizuarve ka shënuar rënie

Gjatë javës së kaluar (nga 15 deri më 21 gusht) janë regjistruar gjithsej 2.686 raste të reja pozitive me Covid-19 në 34 qytete të vendit, që paraqet rënie prej 22,7 për qind krahasuar me javën e kaluar, tregojnë të dhënat e raportit javor të Institutit për Shëndet Publik, transmeton Portalb.mk.

Numri më i madh i rasteve të regjistruara, si edhe deri tani, janë nga Shkupi, ndërsa incidenca më e madhe është regjistruar në Dellçevë, Kavadar, Gjevgjeli, Pehçevë, Ohër, Negotinë, Berovë dhe Kratovë.

Sipas të dhënave të IShP-së, grupmosha e personave mbi 60 vjeç është më e përfaqësuar. Krahasuar me javën e kaluar, një rënie është regjistruar në të gjitha grupmoshat me rënien më të dukshme prej 36.3 për qindgrupmoshën 10-19 vjeç.

3.197 persona janë shëruar, ose 14.6 për qind më pak krahasuar me javën e kaluar. Janë raportuar 20 të vdekur, numri më i madh nga Ohri – 5.

Gjatë javës së kaluar janë hospitalizuar 28 persona dhe aktualisht po trajtohen në spital gjithsej 125 pacientë me Covid, 37.2 për qind më pak krahasuar me javën e kaluar. Prej tyre, 45 janë me mbështetje oksigjeni dhe një pacient në ventilim mekanik invaziv/jo invaziv.

Deri më 21 gusht, të vaksinuar janë gjithsej 875,486 me të paktën një dozë të vaksinës Covid-19 brenda dhe jashtë vendit. Gjithsej 856.527 persona janë vaksinuar plotësisht me dy doza.

Me një dozë të vaksinës kundër Covid-19, brenda dhe jashtë vendit, janë vaksinuar 59,5 për qind e popullsisë mbi 18 vjeç, gjegjësisht 55,2 për qind e popullsisë mbi 12 vjeç, ndërsa nga popullësia e përgjithshme janë vaksinuar 47,7 për qind.

Mbulimi me dy doza të vaksinës kundër Covid-19 tek popullata mbi 18 vjeç është 58,2 për qind, gjegjësisht 54,0 për qind te popullata mbi 12 vjeç. Mbulimi me dy doza në popullsinë e përgjithshme është 46.6 për qind.

Mbulimi me dozën e tretë tek popullsia mbi 18 vjeç është 11,1 për qind, ndërsa tek popullsia mbi 12 vjeç është 10,2 për qind. Mbulimi me dozën e tretë të popullsisë së përgjithshme është vetëm 8.8 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button