Po sanohen dëmet e shkaktuara nga vërshimet e mbrëmshme në Tetovë, Dollnen dhe Vinicë
Një pjesë e rajoneve të Maqedonisë mbrëmë janë goditur nga reshjet e mëdha të shiut, si pasojë e të cilave ka pasur dëme materiale, banorë të evakuuar, pemë të rrëzuara, mungesë të energjisë elektrike dhe ngjashëm. Tetova me rrethinë është goditur nga shiu mbrëmë rreth orës 20:00, e cila ka shkaktuar vërshime të shtëpive, bodrumeve dhe garazheve, si dhe derdhje të ujërave të zeza nga disa puseta, transmeton Portalb.mk.
Besar Durmishi nga Komuna e Tetovës, sot për TV21 informoi për zonat e prekura dhe intervenimet që janë bërë dhe po bëhen gjatë ditës së sotme.
“Kemi kërkuar ndihmë edhe nga kompanitë private, të cilët menjëherë na kanë dalë në ndihmë. Ekipet kanë qenë të shpërndara, njëri në Reçicë të Vogël, te varrezat, ku lumi doli nga shtrati dhe bëmë menjëherë intervenim që lumi të futet përsëri në shtrat. Një ekip ka qenë i angazhuar në fshatin Sellcë dhe fshatin Vicë, bashkë me banorët. Një ekip i ndërmarrjes komunale publike ka qenë në fshatin Gjermë ku reshjet kishin dëmtuar tej mase dhe rrugën e kishin bllokuar pothuajse tërësisht dhe aty u intervenua shpejt dhe në kohë, ku u lirua rruga. Në fshain Poroj, tek ura e lumit, njëjtë edhe aty për shumë pak situata ka qenë tepër alarmante. Në fshatin Falishtë u bllokua rruga, por zjarrëfikësit me pompat e ujit edhe aty e larguan. Vende tjera ku ka pasur bllokime ka qenë Reçica e Vogël, siç e ceka edhe më parë, ku ka pasur ujë që ka hyrë nëpër bodrumet e qytetarëve, ndërsa zjarrfikësit gjithë natën kanë qenë në terren dhe kanë punuar duke ua larguar ujin nga bodrumet”, tha Durmishi.
Ai njoftoi se edhe sot ka qytetar që paraqiten për ndihmë, pasi shiu ka hyrë në bodrumet e tyre. Punonjësit e zjarrëfikësve janë në terren. Deri tani, tha Durmishi, janë paraqitur përafërsisht 30 qytetar, të cilëve uji ua ka dëmtuar shtëpitë e tyre. Ka pasur diku te 20 persona, të cilët nuk kanë mundur të strehohen, pasi uji ka kapluar tërësisht shtëpitë e tyre. Ata janë strehuar te hapësirat e zjarrfikësve. Tani Shtabi i Krizës mban mbledhje.
Në Negotinë janë regjistruar kulme të dëmtuara dhe shtëpi të përmbytura. Reshje të dendura shiu kanë rënë edhe në Manastir dhe Krushevë. Për shkak të rënies së një peme gjatë ditës së djeshme, komunikacioni në të dy drejtimet në rrugën Manastir – VK Mexhitlia është ndërprerë për disa orë.
Në Vinicë janë përmbytur më shumë se 60 objekte. Infrastruktura në zonën urbane të qytetit është duke u punuar dhe çdo gjë pritet të përfundojë gjatë ditës nëse nuk ka reshje të reja, njoftuan mëngjesin e sotëm për MIA-n nga Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK). Në Vinicë ka rënë më së shumti shi për metër katror – 55 litra.
Dje në fshatin Lazhan të Prilepit është evakuuar një pjesë e banorëve dhe është ndërprerë rryma. Banorët bëjnë të ditur se situata tashmë po normalizohet
Po punohet për normalizimin e gjendjes së përgjithshme të terreneve të prekura nga reshjet e dendura. Sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave, uji në vendbanimet e përmbytura në komunën e Dollnenit po zvogëlohet dhe se pjesa më e madhe e komunës është pa energji elektrike si masë paraprake për të mbrojtur banorët dhe rrjetin e furnizimit me energji elektrike.
- LEXO: Filloi largimi i disa qytetarëve nga shtëpitë e tyre që janë mbushur me ujë, një pjesë e tyre pa energji elektrike
- LEXO: (VIDEO) Vërshime në disa pjesë të Tetovës, ndërsa pjesa më e madhe e fshatit Llazhan është nën ujë
- LEXO: Një pjesë e Maqedonisë së Veriut e përfshirë nga reshjet dhe stuhitë, lëvizja po shkon prej jugut kah veriu, paralajmëroi QMK