Ilir Meta dhe Edi Rama nga Laçi: Berisha nuk e mban dot pushtetin me gjak

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i bënë apel Policisë së Shtetit që të mos mbrojë kriminelët. Në një deklaratë të përbashkët, ata i bënë thirrje qytetarëve që të votojnë, duke theksuar se Berisha nuk e mban me gjak pushtetin.

“Edhe tani që po flasim, Policia e Shtetit, nuk është në krye të detyrës. Forcat kriminale, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, janë hedhur në një operacion në orët e para të mëngjesit. Ne jemi këtu për të apeluar pjesëmarrje, pjesëmarrje. Nuk ka asgjë që ndryshon fatin e këtyre zgjedhjeve. Ne jemi të vendosur dhe organizuar për të mbrojtur çdo votë. Këto janë përpjekje për të larguar dhe trembur votuesit dhe për të diktuar një vullnet që është krejtësisht minoritar.U lutem qytetarëve që të dalin familjarisht në votim. Nuk ka kriminel që e pengon popullin të vendosë.

I them drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që të ndahet nga ky flirt me forcat kriminale dhe ta bërë policinë në shërbim të qytetarëve. Kemi hasur që nga Kukësi, por në të gjithë veriun, një përpjekje të tillë, sepse ata e kanë kuptuar se veriu do vendosë për të ndryshuar,” tha Rama.

Kurse kryetari i LSI, Meta, tha se ai vetë i ka kërkuar drejtorit të Policisë së Shtetit që të ndalojë gjakderdhjen në zonën e Laçit.

“Banditët e kriminelët, që aktualisht janë përpara qendrave të votimit, janë të mbështetur nga policia dhe nga kupola e lartë e Policisë së Shtetit. Vetë Drejtori i Policisë së Shtetit është në mbrojtje të kriminelëve të PD. Sali Berisha e di mirë se nuk është më kryeministër i Shqipërisë.Ai me banditë dhe me gjak nuk qëndron në pushtet. Kriminelët nuk i mbron dot as Berisha, as Flamuri, as Kuliçi. Njerëzit të dalin të votojnë. Fitorja do jetë plebishitare,” tha Meta, transmeton Tirana Observer

Lajme të ngjashme

Back to top button