Në Tabanoc edhe dy korsi tjera për të ulur kohëzgjatjen e pritjeve në kufi
Përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut të udhëhequr nga ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe kryetari i Odës Branko Azeski, të shoqëruar nga drejtoresha e doganave Sllavica Kutirov vizituan pikën kufitare në Tabanoc. Ata mbajtën takim pune për të analizuar qarkullimin e udhëtarëve, automjeteve, transportuesve, mallrave dhe produkteve dhe për marrjen e masave shtesë për lirimin sa më të shpejtë të kufirit.
Spasovski tha se autoritetet po punojnë me kapacitet të plotë, por që pritjet deri në dy orë janë si pasojë e rritjes së numrit të udhëtarëve deri në 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Spasovski tha se në nivel shtetëror qarkullimi nëpër vendkalime kufitare është rritur për 45 për qind.
“Këtë vit, për këtë periudhë prej 7 muajve, në krahasim me vitin 2021, në nivel të shtetit kemi rritje për 45 për qind në hyrje-dalje të udhëtareve me automjete. Sa i parket vendkalimit kufitar “Tabanoc” kemi 30 për qind rritje të udhëtarëve, njerëzve dhe automjeteve. Ky është numër i madh”, tha Spasovski.
Ministri Spasovski tha se si masë shtesë që pritet të ul kohëzgjatjen e pritjeve është hapja e dy korsive të reja në këtë vendkalim.
“Sot, ja për disa ditë kemi punuar në hapjen e dy korsive të reja që do të punojnë këtu në vendkalimin kufitar Tabanoc, dhe kjo veçmë po realizohet me qëllim që të kemi qarkullim më të lehtë dhe më të shpejtë”, tha ai.
Ditëve të fundit ka pasur një rrëmujë dhe pritje të mëdha në këtë vendkalim. Udhëtarët ankohen pas premtimit të dhënë se “Ballkani i Hapur” do t’i eliminonte këto pritje.