Kërçovë, Vraneshtica, mes tensioneve dhe “fenomeneve mbinatyrore” (FOTO)

Këto ditë banorët e fshatit Vraneshticë të Kërçovës janë të tensionuar për shkak të prerjes së drurëve që bëhen në malin e kishës. Gjatë ditës së djeshme ato protestuan duke bllokuar rrugën në të cilën duhej të kalonin prerësit e pyllit dhe e bllokuan procesin. Ndërmarrja e cila e ka marrë përsipër këtë punë i ka njoftuar banorët që është duke kryer punën e saj në mënyrë ligjore dhe lejen e ka marrë nga peshkopi Timotej.

Portalb sot vizitoi fshatarët e Vraneshticës të cilët përveç që shprehen revoltën e tyre kundër këtij akti nga ana e peshkopit, pretendonin që edhe hyjnitë, pasditen e djeshme, shprehën revoltën e tyre duke dëmtuar dukshëm murin e kishës Shën Nikolla.

“Si ndodhi kjo as ne nuk e dimë. Dje ishte dita e shpirtrave (Duhovden) dhe kjo ndodhi prej Zotit ose si ndodhi, nuk e dimë. Me siguri shpirtrat shprehën pakënaqësinë e tyre për prerjen e drurëve të pyllit pa u konsultuar me fshatarët. Këtë duhet më mirë ta tregojnë historianët dhe arkitektët. Më parë nuk ka ndodhur diçka e tillë.” – tha Mire Shosholovski, banor i fshatit të Vraneshticës.

Banorët pretendojnë që në momentin që ka ndodhur rrënimi i një pjesë të murit, në kishë ka pasur disa gra të fshatit të cilat kanë qenë aty duke pastruar, por asnjëra nga ato nuk pranoi të jap deklaratë për të përshkruar, se si ka ndodhur.

Ndërkaq një banor tjetër i fshatit Vraneshticë bëri akuza të ashpra ndaj disa banorëve të këtij fshati duke e quajtur ngjarjen manipulim.

“Ky është një manipulim, aty vidhen shumë para. Kur para disa viteve ndërroi jetë peshkopi i mëparshëm, arkëtari, të gjithë pasurinë e kishës ia dha Boshko Veljanovskit, përfshirë paratë dhe arin e kishës. Arkëtari sot posedon pezho 306. Kurse kisha ka 3 vite që s’ka para. Ne nuk e dimë ku shkojnë paratë.” – tha banori, i punësuar i komunës së dikurshme të Vraneshticës, i cili dëshiron të mbetet anonim.

Me këmbënguljen e qytetarëve, prerja e drurëve është ndërprerë për disa ditë, kurse brenda javës së ardhshme do të merret një vendim se çfarë kahu do të marrë ngjarja. Njoftimi për shtyp është paralajmëruar për ditën e premte ku do të shpaloset edhe raport se ku shkojnë parat e kishës.

Në fshatin Vraneshticë ka tre kisha, Shën Nikolla, Shën Ilija dhe Shën Gjorgjija. Sipas fshatarëve, dy të fundit ekzistojnë që nga shekulli i gjashtë dhe, përsëri sipas fshatarëve, i kanë ndërtuar romakët. Kisha Shën Nikolla është e ndërtuar që prej vitit 1861, ka rreth njëzet vite që është rinovuar nga brenda, kurse rreth 7 vite e rinovuar jashtë.

Për shkak që është fundjavë, ne hasëm në pamundësi për të rënë në kontakt me peshkopin Timotej për të marrë deklaratën e tij dhe të vijmë deri te e vërteta.

Por pavarësisht se kush e ka bërë, një gjë është e sigurt, që drurët janë prerë dhe muri i brendshëm i kishës është dëmtuar dukshëm. 

Lajme të ngjashme

Back to top button