Kate Marie Burns: Propozimi francez i respekton identitetin dhe gjuhën maqedonase

Kur është fjala për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është një bisedë që duhet ta bëjnë Maqedonia e Veriut dhe Bashkimi Evropian, kurse Uashingtoni gjithmonë e ka mbështetur anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, theksoi në një intervistë për MIA ambasadorja amerikane, Kate Marie Burns dhe e shprehu shpresën se propozimi francez do të jetë një kompromis që do të hapë hapat e ardhshëm, transmeton Portalb.mk.

Në pyetjen nëse SHBA  kanë njohuri për përmbajtjen e protokollit dhe nëse është diçka për të cilën qytetarët e Maqedonisë duhet të shqetësohen, ambasadorja u përgjigj se SHBA-të e shohin procesin të ndarë dhe gjithmonë kanë theksuar se çështjet bilaterale duhet të zgjidhen jashtë kornizës së negociatave.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë, vlerësimi ynë është se propozimi e mbron interesin e Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit. Ky është mendimi ynë dhe i ekspertëve tanë. Protokolli dypalësh për të cilin po flisni duket se është shkrirë disi në këto dy procese. Duhet të ketë një marrëveshje dypalëshe mes Shkupit dhe Sofjes. Dëgjuam disa gjëra që hidhen. Mendoj se kjo është pjesë e konfuzionit, që përmendët se publiku nuk është i sigurt se cilat do të jenë ato diskutime. Do të ketë diskutime të veçanta dhe ne mendojmë se ato çështje duhet të zgjidhen në baza bilaterale dhe këtë e kemi thënë që në fillim. Sigurisht, jo vetëm për hyrjen në BE, por edhe për stabilitetin tuaj afatgjatë, është e rëndësishme që këto çështje të zgjidhen”, theksoi Burns.

Sipas Burns, Maqedonia e Veriut po përballet me një vendim specifik që duhet të marrë – nëse propozimi i vënë në tryezë është i mirë për të ecur përpara dhe nëse ai propozim e respekton identitetin dhe gjuhën maqedonase.

“Për mendimin tonë po, e respekton. Pat disa deklarata, jo vetëm nga liderë të lartë të BE-së, por edhe nga liderë të vendeve anëtare, të cilët e njohin vlerën e këtij propozimi, i cili njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas. Dhe kjo është e rëndësishme që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të mendojnë gjatë marrjes së këtij vendimi dhe është një vendim që ata e marrin”, thotë Burns.

E pyetur nëse pajtohet me presidentin Stevo Pendarovski se aktorë të huaj nga vendet e treta po bëjnë fushata dezinformuese në Maqedoninë e Veriut në përpjekje për të krijuar përçarje në publik dhe për të destabilizuar situatën, Burns përgjigjet se dezinformatat janë problem në të gjitha shoqëritë.

“Ashtu si ju në Maqedoninë e Veriut, ne përplasemi me këtë në lidhje me çdo problem të madh politik edhe këtu në Shtetet e Bashkuara. Në të kaluarën janë përdorur informata të gabuara dhe dezinformata. Prandaj është shumë e rëndësishme të kemi burime të besueshme, të kemi një debat transparent publik dhe parlamentar. Është e rëndësishme që të paraqitet informacioni i duhur, leximi i duhur i asaj që është në dokumente (për procesin e aderimit) dhe që njerëzit të kenë mundësinë të përgjigjen”, vuri në dukje ajo.

Ndryshe, deputetët sot në seancë rreth tre orë diskutuan për propozimi francez, për Informatat për përmbajtjen e Propozimit për kornizën negociuese për negociatat për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, të propozuar nga Kryesia e Francës me Këshillin e Bashkimit Evropian. Gjatë seancës disa nga deuptetët të VMRO-DPMNE-së nga foltorja e kuvendit grisën dhe dogjën propozimin francez. Ndërsa gjatë kohës që në foltore foli kryeministri dhe deputetët nga pozita, deputetët nga opozita maqedonase bënin zhurmë duke fishkëlluar. Seanca do të vazhdojë nesër ora 11.

Para kësaj seance, fjalim në foltoren e kuvendit pati presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen e cila në fjalimin para deputetëve theksoi se është para tyre për të ju drejtua direkt, të dëgjojnë nga vetë ajo se si Evropa e pret vendin, duke pritur dhe duke shpresuar se do të ndërmarrin hap vendimtar për në Union.

“Këtu jam sot, pasi ky është momenti që duhet të vazhdoni përpara për në Bashkimin Evropian, në të ardhmen tonë evropiane me Maqedoninë e Veriut si anëtare. Shumë nga ju do të jenë të frustruar që RMV-ja ende nuk i ka filluar negociatat, edhe unë jam. Asnjëherë nuk u dorëzuat, asnjëherë së bashku nuk u dorëzuam. Së bashku kemi ndjekur ëndrrën tonë drejt BE-së, dhe së bashku do e konvertojmë këtë ëndër në realitet. Nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj dhe në propozimin e rishikuar gjuha maqedonase shkruhet pa kualifikim nga BE-ja. Propozimi respekton edhe identitetin tuaj kombëtar. Më lejoni t’ju siguroj edhe një herë, çështjet dypalëshe si interpretimi i historisë nuk janë një kërkesë në negociatat e anëtarësimit”, tha mes tjerash von der Leyen.

Autoritetet mbeten në qëndrimin se propozimi francez është i mirë dhe se duhet të pranohet që të hiqet vetoja bullgare dhe të fillojë procesi i integrimit evropian të vendit. Opozita është me qëndrim të kundërt, ndërsa mos-sqarimi i protokollit dhe përmbajtjes së tij, sipas saj, hedh dyshime shtesë për atë që po bën qeveria.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button