MPJ: Sërish u shfaqën informacione të pasakta për përmbajtjen e Protokollit që të prishen konsultimet për propozimin francez

Ministria e Punëve të Jashtme kumtoi se në opinion sërish u shfaqën informacione të pasakta për përmbajtjen e Protokollit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, i cili duhet të jetë procesverbal i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar që del nga Marrëveshja për miqësi dhe fqinjësi të mirë nga viti 2017, njofton Portalb.

“Në opinion është publikuar një tekst në gjuhën bullgare, i cili përfaqëson një version të vjetër dhe jo i plotë, si pjesë e setit të ideve të shumta të cilat në periudhën e kaluar janë shkëmbyer mes dy ministrive të punëve të jashtme. Në këtë moment të ndjeshëm, konsiderojmë se publikimi i këtyre informacioneve të pasaktë paraqet  tentim tendencioz dhe ka për qëllim për të prishur procesin e konsultimeve të gjera për propozimin francez për heqjen e vetos dhe vazhdimin e integrimit evropian të vendit, i cili aktualisht është në fazën përfundimtare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në kumtesën nga MPJ-ja.

Nga Ministria theksojnë se “përmbajtja e Protokollit eventual ndërmjet dy vendeve, si procesverbal i seancës së ardhshme të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar, do të harmonizohet përfundimisht në vetë seancën e këtij Komisioni”.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button