Debat me fjalor të papërshtatshëm në Kuvend, BE përsëriti se Maqedonia e Veriut duhet të shfrytëzojë mundësinë për negociata

Sot nga ora 11 ka vijuar seanca parlamentare për propozimin evropian për fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në. E vetmja pikë në rendin e ditës është Informacioni për përmbajtjen e kornizës Propozim-kornizës negociuese për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, ndërsa për të folur janë paraqitur gjithsej 42 deputetë, transmeton Portalb.mk.

Derisa në kuvend po zhvillohej debat, kryesisht me fjalor të papërshtatshëm, para parlamentit sërish ishin mbledhur protestues.

“Në nder të bashkëqytetarëve tuaj nga Vatasha – 12 fëmijëve të vrarë, ua ​​pështyj edhe marrëveshjen edhe çdo gjë…”, tha Brane Petrushevski, VMRO-DMPNE.

Njerëzit që e thonë këtë janë për t’u shëruar, edhe atë në Demir Hisar…”, theksoi Nenad Kociq, LSDM.

Kuvendi sot vazhdoi prej ku u ndal dje – debat me emocione, ndjenja, fyerje personale, përçmime dhe shumë letra të shkatërruara….

“Këtë informacion, këtë pamflet, unë, Bllagica Llasovska nga Sveti Nikolla, nuk do ta mbështes kurrë… Është turp për Maqedoninë”, theksoi Bllagica Llasovska, VMRO-DPMNE.

Atmosfera e mos tolerancës politike u plotësua me fishkëllima dhe vuvuzele gjatë fjalimeve të deputetëve të mazhorancës.

“Qyqarë, ksenofobë dhe kriminelë, mund të bërtisni dhe të kërcënoni sa të doni, ne do të vazhdojmë në rrugën evropiane drejt BE-së duke e ruajtur gjuhën maqedonase dhe të gjitha veçoritë e identitetit etnik maqedonas”, tha Sanela Shkrijelj.

Për shkak të zhurmës në sallën e Kuvendit, socialdemokratët mesazhin kyç – se do të shkojnë deri në fund me propozimin francez – e dërguan nga qendra për shtyp.

“Deputetët e VMRO-DPMNE-së as nuk janë të interesuar për BE-në, as duan të jenë në BE, duan të kthehen në kohën e Gruevskit, të na mbyllin në të kaluarën, të na futin në kurth pa të ardhme dhe të mos i përkasim Evropës. Me fillimin e negociatave shteti shkon përpara, nuk ka kthim në regjim dhe izolim…”, vlerësoi Martin Kostovski nga LSDM.

Derisa në kuvend po zhvillohej debat, kryesisht me fjalor të papërshtatshëm, para parlamentit sërish ishin mbledhur protestues.

“Unë vetëm do të bëj thirrje vetëm që protestat të jenë paqësore, e drejta për të protestuar është e drejtë supreme demokratike, por pa dhunë, prandaj bëj thirrje për vetëdije dhe përgjegjësi në këtë aspekt”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Sot në Bruksel morën përgjigje pyetjeve lidhur me Maqedoninë e Veriut – kryesisht sqarim për performancën e djeshme të kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në të cilën ajo tha qartë – “nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj”.

“Deklarata e presidentes nënkupton atë që do të thotë, gjegjësisht ajo foli për gjuhën që e përdorin qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilën ajo e quajti gjuhë maqedonase”, tha Dana Spinant, zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Gjatë seancës së djeshme, disa nga deputetët të VMRO-DPMNE-së nga foltorja e kuvendit grisën dhe dogjën propozimin francez. Ndërsa gjatë kohës që në foltore foli kryeministri dhe deputetët nga pozita, deputetët nga opozita maqedonase bënin zhurmë duke fishkëlluar.

Para kësaj seance, fjalim në foltoren e kuvendit pati presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen e cila në fjalimin para deputetëve theksoi se është para tyre për të ju drejtua direkt, të dëgjojnë nga vetë ajo se si Evropa e pret vendin, duke pritur dhe duke shpresuar se do të ndërmarrin hap vendimtar për në Union.

“Këtu jam sot, pasi ky është momenti që duhet të vazhdoni përpara për në Bashkimin Evropian, në të ardhmen tonë evropiane me Maqedoninë e Veriut si anëtare. Shumë nga ju do të jenë të frustruar që RMV-ja ende nuk i ka filluar negociatat, edhe unë jam. Asnjëherë nuk u dorëzuat, asnjëherë së bashku nuk u dorëzuam. Së bashku kemi ndjekur ëndrrën tonë drejt BE-së, dhe së bashku do e konvertojmë këtë ëndër në realitet. Nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj dhe në propozimin e rishikuar gjuha maqedonase shkruhet pa kualifikim nga BE-ja. Propozimi respekton edhe identitetin tuaj kombëtar. Më lejoni t’ju siguroj edhe një herë, çështjet dypalëshe si interpretimi i historisë nuk janë një kërkesë në negociatat e anëtarësimit”, tha mes tjerash von der Leyen.

Ursula von der Leyen pati takim edhe me presidentin, kryeministrin, ministrin e punëve të jashtme dhe kryetarin e VMRO-DPMNE-së.

Autoritetet mbeten në qëndrimin se propozimi francez është i mirë dhe se duhet të pranohet që të hiqet vetoja bullgare dhe të fillojë procesi i integrimit evropian të vendit. Opozita është me qëndrim të kundërt, ndërsa mos-sqarimi i protokollit dhe përmbajtjes së tij, sipas saj, hedh dyshime shtesë për atë që po bën qeveria.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dje në një dalje televizive ka vlerësuar se frika nga bullgarizimi është e pabazë dhe se bëhet fjalë për spekulime që përdoren për të fituar pikë politike.

Në këtë fazë, thekson Osmani, nuk ka formulim më të qartë për gjuhën siç është në kornizën e propozuar nga presidenca franceze. Korniza nuk ka të bëjë me Protokollin dhe Protokolli do të shpallet, siç tha shefi i diplomacisë maqedonase, para takimit të tij me ministren bullgare Teodora Gençovska.

Sipas Osmanit, logjika për të mbetur të bllokuar që Bullgaria të mos na bllokojë në të ardhmen është një qasje irracionale. Ai shpjegoi gjithashtu se deklaratat e njëanshme nuk kanë asnjë rëndësi juridike, por janë vetëm për përdorim të brendshëm.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button