Hoxha (II)

Janë shënuar edhe raste kur për figurën e hoxhës me pietet dhe respekt të lartë kanë folur edhe të krishterët ndër ne, maqedonasit: “Тој беше светец” (Ai ishte një shenjtor!) (Izeti, 2019), kur i madh e i vogël mbeteshin pa tekst nga pedanteria vizive  e hoxhës (pantollona të zeza, këmishë e bardhë hekurosur për merak, fes i mbështjellë me proporcione milimetrike, mjekër e rregulluar për bukuri), nga fjalët margaritarë të tyre plot shije e butësi, nga këshillat me shumë rezon. Këta “shenjtorë” të kohës kanë prodhuar njerëz shembullorë, si ai i floktarit që kur s’kishte punë na merrte neve fëmijëve që shkonim në Vardar për t’u larë dhe gratis na qethte, për sevap, si ai i zanatçiut që gjatë gjithë jetës ka shpërndarë zarfe (me para) për fukarenjtë, ndërkohë që familja e tij ka marrë vesh për këtë zakon-akt human kur ai ishte në shtratin e vdekjes, kur fëmija i dikurshëm, tani vetë prind, gjatë vizitës, të sëmurit i qe drejtuar me fjalët: “Ah be haxhi, as Jugosllavia nuk ka qenë precize në rroga sa ti me amanetet që unë dikur ‘një pëllëmbë mbi tokë’ ua shpërndaja hallexhinjve, kur në mbrëmjen e fundit të çdo muaji më prisje pas dere derisa ua dorëzoja.” Ky është profili i besimtarit që ka dhënë shtëpinë pa afat në shërbim të arsimit, që me vite do të shfrytëzohet nga universiteti (rasti UT), që me bontonin e vet ka lënë pa tekst edhe besimtarët e tokave arabe-afrikane si punëtor i firmave shtetërore në Irak, Libi, që me sjelljen e vet dallohet në kurbet, n’Perëndim e  gjithandej, që ka sponsorizuar botime librash, fletushkash në vitet 1990, që sot si pronar kompanie jep me qindra bursa studentore në drejtime dhe universitete të ndryshme.

Por medalja ka dy anë. Pos kësaj mbresëlënëses, në terren vërehet edhe tjetra.  “Bartësit e misionit profetik” nganjëherë kanë qëllime të mira por ama shprehen në bazë të gjysmës së zbrazët të gotës. Fjala është e shenjtë, depërtuese dhe virulente. Është me rëndësi që të gjendet momentumi kur ajo do të thuhet dhe të ketë mesazh konstruktiv. Pjesëtarët e kësaj kategorie ngajëherë humben në aksion, flasin, madje edhe japin decizione (fetva) për pyetje si “A bën të mbytet gjarpri duke qenë në namaz?”, kërcënojnë me “O lënës i namazit!”, ironizojnë fjalët “kombi apo feja” me shprehjen “autobusi” (mikrobusi) e të ngjashme. Një radhë u rrëqethëm nga ligjërata e xhumasë në një xhami të Shkupit, ku pjesa dërrmuese e besimtarëve i përkisnin esnafit, hoxha iu drejtua disave që hynë në fundit në faltore (përafërsisht) me: “Hajde, hajde uluni, a shitët naj gram drogë, a ia lidhët dikujt naj kravatë, a hëngrët naj gram në kandar?” Ky është profili i hoxhës “pa shkollë”, pa takt pedagogjik, antipodi i atij që është subjekt dhe me të cilin e nisëm këtë shkrim.

Teologët, në veçanti sot, në shekullin XXI, kur regjistrohet një “fytyrë e re e fetarisë”, kur feja është popullarizuar, kur përjetohen edhe tendosje psikologjike (Bilgin, 2003), kur ajo po atomizohet dhe individuizohet, është shumë me rëndësi që përpos bagazhit të diturive fetare të kenë edhe njohuri nga shkencat sociale si sociologjia, komunikologjia, psikologjia e të tjera. Në veçanti, duhet ta njohin sociologjinë; sot, pa të s’bën. S’mund të ketë predikim të suksesshëm pa bazament të shëndoshë sociologjik, pa njohje të kontekstit, rrjedhave, strukturës, frymës së kohës, pa aftësi për lexim të sjelljeve dhe ndryshimeve sociale. Është absurd realiteti i fakultetit tonë teologjik pa sociologji. Për 30 vite teologjia shqiptare është në shok nga fenomeni i islamëve të rinj. Probleme kemi pasur në lexim, orientim, zbërthim, trajtim dhe komunikim. Kjo ngase një pjesë e mirë e imamëve s’ditën t’i lexojmë trendet e reja dhe iu hynë “në kosë” pikëpamjeve, perspektivave të reja, nga ana tjetër, “mesitë e rinj” të ardhur me frymën e re të importuar nga jashtë, përjashtuan të gjithë të tjerët nga “shpëtimi” dhe kështu u krijua një tollovi, madje edhe anarki fetare, që kohëve të fundit ka filluar të zbehet dhe, për fat të mirë, sikur po kthehemi normalitetit.

Për të pasur thirrje efektive, për t’i zbutur zemrat e ngurtësuara, për të nxjerrë lot nga sytë e ngrirë dhe për t’i eliminuar veprat, praktikat e shëmtuara hoxha para së gjithash duhet të ketë koherencë në relacioin vepër-fjalë, sinqeritet, duhet të jetë i besueshëm, komunikativ me mjedisin, duhet ta njohë strukturën fetare, sociale, kulturore, arsimore, tradicionale të target masës, duhet të ketë kulturë të përgjithshme, pedanteri në dëgjim e fjalim, të ketë kulturë të përgjithshme, duhet të jetë pedant dhe modest, empatik, njeri i shpirtit.

Plejada e re e teologëvë kanë shumë të mësojnë nga e kaluara jonë, nga protagonistët klasikë të fesë nga nënqielli ynë që me arsyen dhe metodologjinë e vet ia kanë dalë të “prodhojnë” hapësirën më fetare të tokave shqiptare dhe të Ballkanit, që disa gjëra i dinin më mirë se brezi 2.0 i hoxhallarëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button