Xhaferi vendosi, propozimi francez do të shkojë direkt në seancë plenare

Në koordinimin e sotëm të rregullt të caktuar nga Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në lidhje me pikën Informata për përmbajtjen e propozim-kornizës së negocimit dhe diskutimit që u zhvillua, Xhaferi theksoi se në pajtim me nenin 185 të Rregullores së Kuvendit, Kryetari e shpërndan Informacionin te deputetët në formën në të cilën është pranuar dhe nuk ka kompetencë të ndërhyjë në përmbajtjen e tij. Në të njëjtën kohë, nuk ka dispozitë në Rregullore e  cila i mundëson Kryetarit ta kthejë Informacionin te propozuesi. Sipas procedurës, Informacioni që është në rend dite në seancën plenare, miratohet me marrjen e Konkluzave në raport me Informacionin, informuan nga Kuvendi, transmeton Portalb.mk

Përfaqësuesi i Qeverisë, Bojan Mariçiq u përgjigj se do i transmetojë qëndrimet e opozitës dhe informacionet nga koordinimi në Qeveri për nevojën për plotësimin e Informacionit me materialet që kanë qasje publike për gjithë opinionin, a në Informacion janë theksuar si referencë.

“Në pajtim me Rregulloren, Kryetari do të informojë në mënyrë përkatëse për datën e përcaktimit të seancës plenare në rendin ditor e të cilës do të jetë Informacioni. Për sot është përcaktuar seancë plenare me një pikë në rend dite, Rebalanci i Buxhetit, për të cilën debati do të zgjasë deri më 5 ditë”, thuhet në kumtesën e Kuvendit.

Në koordinimin e sotëm të rregullt të caktuar nga Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, të pranishëm ishin nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski, koordinatorët e Grupeve Parlamentare të VMRO DPMNE-së Nikolla Micevski; të LSDM-së, Jovan Mitreski; të BDI-së, Arbër Ademi dhe Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, si edhe përfaqësues të partive politike BESA, Alternativa dhe Levica.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së kërkuan nga Xhaferi që t’i kthejë materialet në Qeveri me vërejtje se është dërguar vetëm Informata, pa asnjë dokument.

LSDM, nga ana tjetër, konsideron se përgjegjësia është e legjislativit që të miratojë konkluzionet e mëtutjeshme, në përputhje me procedurat parlamentare. Xhaferi është i mendimit se të gjitha dokumentet tashmë janë në dispozicion të publikut dhe kushdo mund t’i shohë.

Ndërkohë në vend vazhdojnë protestat kundër propozimit francez, të cilat mbështeten nga opozita VMRO-DPMNE dhe E majta. Dje është mbajtur marsh protestues nga Qeveria përmes Ministrisë së Drejtësisë deri në Kuvend, ndërsa edhe për sot është paralajmëruar protestë.

Kujtojmë se pasditen e 5 korrikut është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button