Mbaroi pa incidente protesta e shtatë antievropiane kundër “propozimit francez”, VMRO-ja bën thirrje për më shumë pjesëmarrje

Sot u mbajt protesta e shtatë kundër “propozimit francez” për fillimin e negociatave ndërmjet RMV-së dhe Bashkimit Evropian. Mijëra qytetarë marshuan nga Qeveria në Ministrinë e Derjtësisë dhe nga atje te Kuvendi i RMV-së. Partitë opozitare VMRO-DPMNE dhe Levica bënë thirrje për pjesëmarrje më të madhe në protestat e radhës, për të bërë presion mbi pushtetin që mos të pranohet propozimi francez, transmeton Portalb.mk.

“Ultimatum – Jo faleminderit”, “Kundër bullgarizimit të Maqedonisë”, “Nuk negociojmë me fashistët” ishin disa nga mesazhet të cilat përcollën protestuesit.

Foto: Portalb.mk
Foto: Portalb.mk

Në këtë protestë u mbajtën fjalime para Kuvendit. U bë e ditur se nesër do të ketë përsëri protestë në ora 19:00.

Kjo protestë erdhi pas një dite pauzë, të premten qytetarët, bllokuan disa rrugë kryesore.

Partia opozitare VMRO-DPMNE sot më herët u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e sotme kundër propozimit evropian për fillimin e negociatave me BE-në, e cila ishte planifikuar të zhvillohet nga selia e qeverisë përmes Ministrisë së Drejtësisë deri në Kuvendin e RMV-së.

“Ndërsa rritet rezistenca e popullit ndaj propozimit të asimilimit, rritet edhe nervozizmi i qeverisë. Ata po përpiqen në çdo mënyrë të pengojnë popullin që të thotë masivisht dhe me zë të lartë JO, duke infiltruar provokatorë, duke inskenuar tensione etnike apo me kërcënime dhe raportime të drejtpërdrejta. Por populli nuk ka frikë prej tyre. Sa më shumë që e shtypin, aq më të motivuar dhe më zëshëm dalin njerëzit në protesta masive”, thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE-së.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka lëshuar një komunikatë në të cilën mohon gënjeshtrat e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në një dalje në televizionin serb Prva. Ministria e Brendshme mohon ashpër dhe kategorikisht se i arrestuari që qëlloi me armë gjatë ngjarjes në sheshin Slënderbeu javën e kaluar ishte punonjës i Ministrisë së Brendshme.

“Siç ka bërë të ditur MPB-ja, në lidhje me rastin E.J.(40) nga Shkupi është ndaluar menjëherë me reagim të shpejtë të policisë, e cila ka parandaluar një incident të madh. Atij i është marrë dhe konfiskuar arma në fjalë, ndaj tij janë siguruar të gjitha provat, si dhe kallëzim penal në Prokurorinë Publike pas procedurës së shpejtë për veprën e “shkaktimit të rrezikut publik”, e dënueshme nga neni 288 të Kodit Penal. Në të njëjtën kohë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike Shkup nga gjyqtari i procedurës paraprake, kundër E.J. është caktuar masa e paraburgimit”, tha MPB.

MPB-ja shton se mediat maqedonase tashmë e kanë identifikuar personin dhe me vëmendje e kanë përcjellë zhvillimin e ngjarjeve, kështu që tentimet e Mickoskit për përhapjen e gënjeshtrave dhe dezinformatave tani i drejtohen mediave të vendeve të tjera.

“Ministria e Punëve të Brendshme apelon edhe një herë që të mos prezantohen lajme të rreme dhe dezinformata që mund të sjellin konfuzion në opinion, por insiston në informimin e saktë, në kohë dhe të vërtetë, që është një nga prioritetet në punën e kësaj ministrie” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

LSDM-ja pas thirrjeve për protestat e sotme ka lëshuar një deklaratë, në të cilën thuhet se Hristijan Mickoski me vite i gënjen bashkë-partiakët dhe qytetarët e tij duke u shtirur si patriot i rrejshëm dhe herë një gjë e thotë herë tjetër për marrëdhëniet me Bullgarinë.

“I njëjti Mickoski tha se ai dhe VMRO-DPMNE kanë pranuar publikisht që bullgarët të përfaqësohen në Kushtetutë, kështu që sot ai është kundërshtari i parë i kësaj. Mickoski, së bashku me partnerin e tij prorus- Levicën, kanë vetëm një qëllim, të dëmtojnë pozitat shtetërore dhe integrimin evropian, duke punuar për interesat e të tjerëve”, thonë nga LSDM.

Kujtojmë se pasditen e 5 korrikut është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button