Policia identifikoi një person tjetër që kishte armë gjatë incidentit që ndodhi në sheshin “Skënderbeu”
Policia e Maqedonisë së Veriut ka sqaruar që ka zhvilluar bisedë informative edhe më një person tjetër që kishte armë gjatë incidentit që kishte ndodhur dje në sheshin “Skënderbeu”, transmeton Portalb.mk.
“Punonjësit policor nga SPB Shkup në stacionin policor kanë kryer bisedë informative me 34 vjeçarin S.R. nga Shkupi”, deklarojnë nga Policia.
I dyshuari ishte identifikuar nga ana e policisë, megjithatë raportohet që i dyshuari përkundër se ka pasur armën në dorë, nuk e ka shfrytëzuar.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike ka kërkuar paraburgim për personin që ka gjuajtur dje gjatë kohës së protestës, duke sqaruar që arma e përdorur ishte me leje.
- LEXO: Policia parandaloi incident ndëretnik gjatë protestës antievropiane, u arrestua një person për gjuajtje me armë zjarri
- LEXO: Vazhdoi arrestimi i protestuesve që kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë
- LEXO: Padi penale kundër 12 personave për pjesëmarrje në turmë, është caktuar edhe paraburgim
Ndryshe, pasditen e djeshme është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.
Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka shpërndarë një fotografi të një personi me pistoletë në dorë, duke akuzuar se “ky është personi i cili është dashur të më vret”. Ai ka kërkuar nga MPB dhe ministri, Oliver Spasovski, personi të arrestohet. Dhunën e protestuesve e kanë dënuar partitë në vend, por edhe faktori ndërkombëtar.
Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.
Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.
- LEXO: Policia me apel deri te qytetarët dhe partitë politike në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Pas incidentit të mbrëmshëm, sot është ndryshuar marshuta e protestës
- LEXO: Spasovski: Policia parandaloi ndodhjen e një incidenti të përmasave të mëdha
- LEXO: Pendarovski bëri thirrje për protesta të dinjitetshme dhe pa dhunë
- LEXO: Ja si duket Kuvendi pas përshkallëzimit të mbrëmshëm të protestave dhe thyerjes së xhamave (VIDEO)