Pas incidentit të mbrëmshëm, sot është ndryshuar marshuta e protestës

Pas incidentit që ndodhi mbrëmë, kur dy grupe të vogla të qytetarëve, maqedonas dhe shqiptarë u përleshën dhe pati të shtëna me armë zjarri, organizatorët e protestave kundër fillimit të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE paralajmëruan marshutë të re për protestën e sotme, transmeton Portalb.mk.

Përmes postës elektronike, në mesazh anonim nga “Ultimate – jo faleminderit”, ata njoftuan se sot protesta do të nisë në orën 19:00 para ndërtesës së Qeverisë, më pas para Ministrisë së Drejtësisë dhe në fund para Parlamenti.

Sipas njoftimit, protestuesit nuk do të lëvizin drejt Çarshisë së vjetër të Shkupit dhe Sheshit Skënderbej, ku dje ndodhi një incident ndëretnik ku aktivisti i Aleancës për Shqiptarët, përndryshe partner koalicioni i VMRO-DPMNE-së, qëlloi në ajër dhe i drejtoi armën një pjese të turmës.

Në orët e vona të mbrëmjes, kryetarja e Shkupit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Danela Arsovska, njoftoi shkarkimin e ud. drejtor i NP Higjiena komunale Zudi Enuzi, për të cilin pretendohet se është vëllai i personit që qëlloi me armë në ajër pranë sheshit Skënderbej.

Siç shtoi ajo, përkundër menaxhimit të shkëlqyer dhe profesional të ndërmarrjes publike “Higjiena Komunale” nga Zudi Enuzi, kodi i saj i etikës nuk e lejon që ai të vazhdojë ta drejtojë ndërmarrjen.

Ndryshe, dhunën e protestuesve e kanë dënuar partitë në vend, por edhe faktori ndërkombëtar.

Kjo protestë erdhi si rezultat i propozimit francez, të cilin nuk e pranojnë partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe Levica.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button