Institucionet sipas “qejfit” e përdorin Platformën e Interoperabilitetit, qytetarët enden sporteleve (Infografik)

Institucionet në RMV, shumë pak komunikojnë mes vete nëpërmjet Platformës së Interoperabilitetit e cila parashikon këmbimin e të dhënave, nëpërmjet sistemeve elektronike me qëllim të ofrohen shërbime në mënyrë më efikase dhe të shpejtë. Të dhënat që ka siguruar Portalb.mk, tregojnë se në nivel të përgjithshëm të gjitha institucionet e Platformës kanë rënie të kryerjes së transaksioneve, në vend që ky numër të jetë më i lartë.

Storjen e kaluar, Portalb.mk tregoi nëpërmjet shembujve konkret se si mospërdorimi i Platformës së Interoperabilitetit qytetarët i ekspozon ndaj procedurave të pakuptimta administrative, të cilat veç tjerash kanë dhe kosto financiare. Pra, në vend që institucionet nëpërmjet sistemeve elektronike, vetë t’i gjejnë të dhënat dhe dokumentet, ata i obligojnë qytetarët që të shkojnë prej dere më derë për të nxjerrë lloj-lloj “vërtetimesh” e “certifikatash”, të cilat kushtojnë kohë, para dhe mund.

Të dhënat e MSHIA-së, tregojnë se numri i transaksioneve të kryera nga institucionet nëpërmjet Platformës së Interoperabilitetit gjatë vitit 2020 ka qenë mbi 7.2 milionë, ndërkaq në vitin 2022 (deri më 22.06), është mbi 2.4 milionë. Sipas këtyre numrave, shohim trend në rënie të përdorimit të platformës, e cila do t’i bënte shërbimet më efikas për qytetarët.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës thekson se Platforma është funksionale, por institucionet e përdorin sipas dëshirës së tyre, gjegjësisht në këtë rast ka shumë pak interes.

Në lidhje me Platformën për Interoperabilitet, e njëjta në tërësi është funksionale dhe në dispozicion të institucioneve dhe kompanive private. Fatkeqësisht është sfidë përdorimi nga ana e institucioneve i cili për momentin është shumë i ulët. Një institucion mund që të lidhet me Platformën për Interoperabilitet dhe ta shfrytëzojë me kapacitet të plotë, por edhe mund të mos ta shfrytëzojë aspak”, thonë nga MSHIA.

Lexo storjen: Mungesa e interoperabilitetit në institucionet e RMV-së ua merr nga 300 denarë qytetarëve (Infografik)

Ata paralajmërojnë se shumë shpejt do të nënshkruajmë marrëveshje edhe me 20 institucione tjera për përdorimin e kësaj platforme.

Në vijim ua sjellim të dhënat se cilat institucione më së shumti e përdorin këtë platformë:

Pra siç mund t’i shohim në infografik, shumica e institucioneve fare nuk e përdorin këtë platformë, pavarësisht se kjo është në interes të qytetarëve. Shqetësuese është se institucionet që e kanë përdorur më së shumti këtë platformë gjatë vitit 2020, në vitin 2022 kanë trend rënës.

Digjitalizimi i shërbimeve, ndonëse i nevojshëm madje dhe i domosdoshëm, në Maqedoninë e Veriut po zvarritet dhe shpesh pengohet nga çështjet burokratike të ligjeve dhe procedurave, derisa zhvillimi teknologjik dhe vendet e zhvilluara po “vrapojnë” me shpejtësi. Derisa institucionet tona merrem me “vërtetime, vula dhe nënshkrime”, shtetet e përparuara ndërtojnë sisteme që qytetarëve t’ua lehtësojnë qasjen deri te shërbimet duke u kursyer kohë, mund dhe para.

Kjo storje hulumtuese u përgatit si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerë për Ndryshime Demokratike Serbi (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë).

Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Storjet e Portalbit për shërbimet elektronike mund t’i lexoni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button