Digjitalizimi në RMV, ka disa hapa që duhet të ndërmarrin qytetarët për të fituar certifikatë elektronike
Nxjerrja e dokumenteve me prani fizike, pra në sportele, u harxhon njerëzve kohë, para dhe nerva. Këtë më së miri e treguam në hulumtimet tona ku për një certifikatë të lindjes, i cili mund të nxirret për 5 minuta, pritëm një javë, si rezultat i mungesës së efikasitetit të administratës. Digjitalizimi, padyshim se është zgjidhja për t’u dhënë fund endjeve prej një sporteli në një sportel.
Prandaj, kësaj radhe ne testuam se si mund të arrijmë deri te dokumenti më i thjeshtë, gjegjësisht certifikata e lindjes në mënyrë elektronike dhe nëse certifikatën do ta marrim në atë formë, shkruan Portalb.mk.
Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë (DMLA), ka portal elektronik nëpërmjet të cilit mund të nxirren dokumente elektronike nëpërmjet internetit, gjegjësisht kompjuterit apo telefonit celular. Kjo drejtori gjithsej jep 13 shërbime, gjegjësisht 13 dokumente me prani fizike, por vetëm 4 prej tyre mund të nxirren edhe në mënyrë elektronike dhe ato janë: certifikata e lindjes, vdekjes, kurorëzimit dhe certifikata për gjendje të lirë martesore.
Fillimisht, për të marrë një dokument nga sistemi, duhet që të kyçeni në sistemin elektronik të DMLA-së. Kyçja bëhet nëpërmjet llogarisë së sistemit të të DMLA-së dhe llogarisë nga portali nacional për shërbime i Maqedonisë së Veriut.
Sistemi është vetëm në gjuhën maqedonase, ndërkaq ai ka 3 kategori, gjegjësisht “faqen kryesore”, “porositë e mia” dhe “çmimoren”.
Te kategoria e parë janë vendosura dokumentet që mund të nxirren, ndërkaq te e dyta mund të mbushni formularin për të nxjerrë dokumentin.
Formulari është i thjeshtë, në 5 hapa, me disa klikime, për jo më shumë se 5 minuta ju mund ta mbushni dhe ta dorëzoni në mënyrë elektronike. Dhe të kërkoni se në çfarë forme e doni dokumentin me postë apo mail.
Hapi i parë, kërkohet lloji i certifikatës, të dhënat bazë të kërkuesit, të cilat gjenerohen automatikisht nga profili që jeni kyçur, të dhënat për prindërit dhe më pas mund të vendosni se në çfarë mënyre dëshironi ta merrni certifikatën, në hapësirat e DMLA-së (sportel), nëpërmjet postës apo dëshironi certifikatë elektronike. Pasi të zgjidhni opsionin, vazhdoni me hapin e fundit, gjegjësisht pagesën që në këtë rast bëhet nëpërmjet kartelës bankare. Për shërbimin, paguani 50 denarë, 100 denarë për taksë administrative dhe 10% provizion, që në total kushton 165 denarë. Gjithashtu, mund të zgjidhni që certifikatën në formë të shtypur ta merrni në zyrat e DMLA-së ose nëse dëshironi që certifikata të ju vijë në adresën tuaj nëpërmjet postës, DMLA do t’ua dërgojë, por duhet të paguani 50 denarë shtesë, të cilat shkojnë në llogari të postës.
Pasi të paguani, automatikisht ju vjen në mailin tuaj vërtetimi për pagesë të suksesshme.
Ne për këtë vërtetim pritëm jo më shumë se 24 orë dhe pas kësaj periudhe na erdhi njoftimi në mail se certifikata elektronike është gati dhe mund ta merrni në profilin e sistemit të DMLA-së.
Kështu duket, certifikata elektronike e lindjes
Siç mund të shihet, certifikata i përmban të gjitha të dhënat, sikur certifikata në letër. Ka një kod ose link nëpërmjet të cilit mund të verifikohet autenticiteti i këtij dokumenti.
Ne e vërtetuam linkun dhe ai është i vlefshëm.
Në fund, ku ndodhet edhe logoja e Drejtorisë, shkruan se “certifikata nga libri amë është dokument publik me afat të pakufizuar të vlefshmërisë. Për ndryshimet shtesë në statusin civil, të cilat nuk janë të evidentuara në këtë certifikatë, përgjegjësi jep personi që e përdor dokumentin si provë”.
Gjithashtu shkruan se “ky dokument është i vërtetuar zyrtarisht me vulë elektronike dhe pullë të përkohshme elektronike. Autenticiteti i kopjeve të shtypura nga ky dokument mund të verifikohen në mënyrë elektronike.
Mund të themi se sistemi tërësisht funksionon edhe pse vetëm një numër i kufizuar i dokumenteve mund të nxirren. Procedura është e thjeshtë, shpejtë dhe efikase. Gjithçka bëhet në internet dhe dokumenti merret gjithashtu nëpërmjet internetit. Kjo qytetarëve u kursen, para se gjithash kohë, para dhe pse jo, nerva.
Megjithatë, në storjen e ardhshme do të shpjegojmë nëse ky dokument elektronik është i përdorshëm në institucionet shtetërore apo personat juridik (bankat), duke e pasur parasysh se jo të gjitha institucionet janë të lidhura mes vete në mënyrë digjitale.
Digjitalizimi i shërbimeve, padyshim që është në dobi dhe interes të qytetarëve, shtetit, por gjithashtu edhe i domosdoshëm për atje ku synojmë të integrohemi, BE. Hulumtimet tona paraprake kanë dëshmuar dhe treguar se rezultatet nga raportet, analizat, apo anketat e institucioneve ndërkombëtare apo të brendshme, por edhe OJQ-ve për administratën e Maqedonisë së Veriut nuk janë vetëm kritika në letër, por problem serioz në përditshmërinë e qytetarëve që enden sporteleve për një dokument të caktuar.
Në storjen e kaluar hulumtuese, ne treguam se është e paligjshme që t’u kërkohet qytetarëve të RMV-së të paguajnë për certifikata të reja jo më të vjetra se gjashtë muaj. Pas storjes së Portalb.mk, Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë (DMLA), informoi se ka miratuar vendim që të mos kërkojë certifikata nga Libri Amë i të Lindurve jo më të vjetra se gjashtë muaj. Me vendimin e ri, qytetarët që duan të kurorëzohen, DMLA më nuk do t’i obligojë ata që të nxjerrin certifikata të reja, por ofiçari do t’i kontrollojë të dhënat e certifikatave. Në rast se qytetarët fare nuk kanë certifikata, ata do të kurorëzohen vetëm me dokument identifikimi, ndërkaq ofiçari do t’ua nxjerrë certifikatat.
Kjo storje hulumtuese u përgatit si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë).
Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.
Storjet hulumtuese mund t’i lexoni më poshtë:
- LEXO: Shkup, mungesa e shërbimeve digjitale, prindërit enden sporteleve për t’i regjistruar foshnjat
- LEXO: Regjistrimin e foshnjave në Shkup sërish duhet ta bëjnë prindërit, spitalet nuk e japin më këtë shërbim
- LEXO: RMV, pritje dhe endje: Rruga e dy të rinjve deri në marrjen e certifikatës së kurorëzimit
- PJESA I: Hulumtim: Qytetarët enden nëpër sportele, RMV 10 vite mbrapa Evropës në fushën e digjitalizimit
- PJESA II: Portali i RMV-së për shërbime elektronike gjysmë-funksional, qytetarët kanë pajisje por nuk marrin informata
- PJESA III: “Nuk na duhet nënshtetësia, kemi letërnjoftim”, shërbimet elektronike mund t’i heqin nga përdorimi një sërë dokumentesh
- LEXO: Shkup, mungesa e shërbimeve digjitale, prindërit enden sporteleve për t’i regjistruar foshnjat
- LEXO: Regjistrimin e foshnjave në Shkup sërish duhet ta bëjnë prindërit, spitalet nuk e japin më këtë shërbim
- LEXO: RMV, pritje dhe endje: Rruga e dy të rinjve deri në marrjen e certifikatës së kurorëzimit