Shkup, mungesa e shërbimeve digjitale, prindërit enden sporteleve për t’i regjistruar foshnjat
Në mungesë të shërbimit “Mirë se erdhe bebe”, i cili parashikon që brenda 48 orëve, Klinika për Gjinekologji ta regjistrojë foshnjën dhe t’i sigurojë certifikatë të lindjes nga shërbimet për Menaxhim me Librat Amë, qytetarët duhet që vetë të bëjnë regjistrimin e foshnjave. Gjithashtu, qytetarëve u duhet një sërë dokumentesh për t’i gëzuar të drejtat e tyre ligjore, pasi të jenë bërë prindër. Portalb.mk, ndoqi nga afër regjistrimin e foshnjës. Nëse do të funksiononin siç duhet shërbimet elektronike, endjet nëpër sportele do të përfundonin me vetëm disa klikime në internet.
Për regjistrimin e të porsalindur prindi ka afat prej 30 ditëve dhe për këtë nevojiten dokumentet në vijim:
- Letërnjoftimet e të dy prindërve,
- Certifikatë e kurorëzimit të prindërve (jo më e vjetër se nga viti 2007),
- Kërkesë për certifikatë të lindjes për foshnjën për të cilën paguhet 100 denarë taksë administrative dhe 50 denarë në llogarinë e Drejtorisë për Udhëheqjen me Librat Amë.
Shkuam për ta regjistruar foshnjën në Zyrën Rajonale për Udhëheqje me Librat Amë në Qendër të Shkupit. Zyra rajonale këtu punon sipas sistemit “Një pikë për shërbime”. Kjo zyrë, pos regjistrimit të foshnjave, jep edhe certifikata të lindjes, vdekjes, kurorëzimit, por edhe shërbime tjera nga institucione tjera. Qëllimi i “Një pikë për shërbime” është që qytetarë t’i marrin të gjitha shërbimet në një vend.
Por, si funksionon kjo në praktikë?
Shërbimet që qytetarët mund t’i marrin në “Një pikë për shërbime” janë të ndara në sportele, ndërkaq qytetarët presin në sportele, varësisht se çfarë shërbimi kërkojnë. Sportelet i kanë numrat e tyre identifikues, ndërkaq ka një aparat i cili jep numra, nëpërmjet të cilave presin që të vijnë në radhë.
Në rastin tonë, ne morëm një numër për të pritur në sportelet 4 dhe 5, pasi që vetëm në këto dy sportele bëhet regjistrimi i të porsalindurve. Kur e morëm numrin për të pritur në radhë, e pyetëm punonjësin nëse ka shumë persona para nesh, ai pohoi se janë tre. Për vetëm tre persona para nesh, neve na u desh të presim një orë e gjysmë për ta regjistruar foshnjën.
Pavarësisht se shkruante se në sportelet 4 dhe 5 bëhet regjistrimi i foshnjave, derisa ne pritëm, brenda orarit të punës, nuk punonin të dy sportelet, në fakt njëherë punoi sporteli 4, ndërkaq më pas ai u ndal dhe vazhdoi me punë sporteli 5.
Për shkak KOVID-19, nuk lejohej që qytetarët të presin brenda sallës ku ndodheshin sportelet, por jashtë. Bashkë me ne, prisnin edhe dhjetëra qytetarë të tjerë dhe ishte rrëmujë e vërtetë.
Praktikisht, në disa sportele kishte shumë persona që prisnin, ndërkaq në disa të tjerë s’kishte fare dhe kjo është ajo që nënkupton “Një pikë shërbimi” – sportelet janë të shpërndara në formë të “shitoreve” dhe qytetarët vijnë i marrin shërbimet e nevojshme, por kjo krijon rrëmujë pasi që për disa shërbime ka kërkesë më të madhe, ndërkaq për disa të tjera më të vogël. Kjo do të thotë që “Një pikë e vetme për shërbime”, nuk është që qytetari shkon në një sportel dhe në po atë sportel i merr të gjitha shërbimet, por shkon në një institucion ku ka disa pika që japin shërbime të ndryshme dhe qytetari duhet të pret veç e veç për çdo pikë, nëse dëshiron të marrë shërbime nga disa pika.
Regjistrimi i foshnjës nuk zgjati më shumë se 10 minuta, ndërkaq punonjësi na tha që certifikata e lindjes mund të merret pas 1 jave në Zyrën Rajonale për Menaxhim me Librat Amë – Çair.
Ne shkuan për ta verifikuar nëse është bërë gati certifikata e lindjes, megjithatë, punonjësit nga Zyra Rajonale – Çair, na thanë që Zyra Qendrore ende nuk e ka lëshuar numrin amë, pra nuk është gati. Certifikatën e morëm pas 10 ditëve.
Ndihma e njëhershme financiare për të porsalindur
Për shkak të mungesës së certifikatës së lindjes, nuk mundëm t’i kryejmë obligimet ligjore për realizimin e të drejtave tjera ligjore, siç është aplikimi për ndihmë të njëhershme financiare prej 5.000 denarëve dhe dorëzimi i dokumenteve për pushimin e lindjes për nënën.
Për ndihmën e njëhershme financiare, prindi duhet të sigurojë certifikatë të lindjes të foshnjës, vërtetim prej gjinekologut, nëse bëhet fjalë për fëmijë të parë, dytë ose cilido me radhë,
Me fletëlëshimin e nënës nga Klinika e Gjinekologjisë, shkuam te gjinekologu për ta marrë vërtetimin, të cilin e morëm për një ditë.
Pastaj shkuam në Zyrat e MPB-së në RTVM, për të marrë vërtetim për vendbanim të nënës. Të njëjtën e morëm një javë pas paraqitjes.
Certifikata e lindjes e bebes
Pas kompletimit të dokumenteve, të njëjtat shkuam për t’i dorëzuar në Zyrën për Çështje Sociale në Komunën e Çairit, por e njëjta nuk funksiononte, andaj u desh që të njëjtat t’i dërgojmë në Zyrën e Komunës së Butelit.
Pushimi i lindjes
Që nëna të marrë pushim të lindjes, nevojiten dy vërtetime (një për te Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe një për të vendi i punës) prej gjinekologut, kopje e xhirollogarisë, letërnjoftimin për identifikim dhe një formular të mbushur në Fondin Shëndetësor.
Nga gjinekologu amë, vërtetimet i morëm brenda një dite. Të njëjtën e dorëzuam te vendi i punës, ndërkaq më pas shkuam te Fondi për Sigurim Shëndetësor. Procedura te Fondi, nuk zgjati më shumë se 20 minuta.
Nëse do të funksiononin siç duhet shërbimet elektronike, endjet nëpër sportele do të përfundonin me vetëm disa klikime në internet. Në mungesë të digjitalizimit, në këtë kohë pandemie, qytetarët, por edhe të punësuarit rrezikojnë që të infektohen nga virusi korona, duke i pasur parasysh rrëmujat nëpër sportele.
Pjesa e parë: Regjistrimin e foshnjave në Shkup sërish duhet ta bëjnë prindërit, spitalet nuk e japin më këtë shërbim
LEXO në lidhje me temën e shërbimeve elektronike:
- LEXO: RMV, pritje dhe endje: Rruga e dy të rinjve deri në marrjen e certifikatës së kurorëzimit
- PJESA I: Hulumtim: Qytetarët enden nëpër sportele, RMV 10 vite mbrapa Evropës në fushën e digjitalizimit
- PJESA II: Portali i RMV-së për shërbime elektronike gjysmë-funksional, qytetarët kanë pajisje por nuk marrin informata
- PJESA III: “Nuk na duhet nënshtetësia, kemi letërnjoftim”, shërbimet elektronike mund t’i heqin nga përdorimi një sërë dokumentesh
- PJESA IV: Aspekt që duhet pasur shumë kujdes: Siguria dhe privatësia e shërbimeve elektronike në RMV