Dita e dytë e Forumit të Prespës për Dialog në Ohër: BE-ja partneri më i rëndësishëm i RMV-së, 80% e shkëmbimit tregtar është me vendet e Unionit

Sot në Ohër vazhdon konferenca dyditore ndërkombëtare, Forumi i Prespës për Dialog, e cila ka filluar dje, ndërsa organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe këtë vit bart emrin “Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën moderne të sigurisë”, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski e hapi seancën me temë “65 vjet pas Traktatit të Romës: A është Evropa plotësisht e rindërtuar dhe e integruar ekonomikisht?”.

Kovaçevski foli për çështjet më të rëndësishme, aspektet e masave të Qeverisë për t’u përballur me pasojat e krizës ekonomike dhe energjetike, duke shtuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë gjithçka që është e nevojshme për të zbutur pasojat me masat që filluan që nga viti i kaluar për shkak të rritjes së çmimeve të energjencave në tregjet evropiane.

“Menjëherë ndërmorëm masa që ishin të drejtuara në ruajtjen e standardit të qytetarëve me të ardhura më të ulëta. Të dytat synonin ruajtjen e likuiditetit të kompanive me qëllim ruajtjen e vendeve të punës dhe ruajtjen e rritjes ekonomike. Më pas vijoi një pako gjithëpërfshirëse kundër krizës me më shumë se 600 milionë euro, me të cilën ndër të tjera siguruam subvencionimin e energjisë elektrike për konsumatorët e vegjël, si dhe për disa subjekte afariste që merren me kujdesin e fëmijëve dhe të ngjashme. Siguruam edhe kredi me norma të ulëta interesi dhe masa të tjera që kanë të bëjnë me produktet financiare që ndihmojnë në tranzicionin energjetik të kompanive që të mund të jenë të gatshme në mënyrën më të lirë ta zbatojnë përdorimin e burimeve më të lira të ripërtërishme si energjenc në punën e tyre”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Dimitar Kovaçevski
Dimitar Kovaçevski

Kovaçevski shtoi se janë miratuar masa që synojnë parandalimin e rritjeve të mëdha të çmimeve për amvisëritë dhe qytetarët, veçanërisht në aspektin e çmimeve të ushqimeve dhe të energjencave.

“Dëshiroj të përmend këtu një tjetër dimension shumë të rëndësishëm në lidhje me ofrimin e produkteve ushqimore bazë dhe çmimet e tyre, që është bashkëpunimi rajonal dhe i drejtpërdrejtë mes liderëve në rajon, të cilët dëshmuan se Ballkani mund të jetë realisht një vend ku mund të bashkëpunojmë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin. Patëm komunikim të përditshëm me Presidentin e Serbisë Vuçiq dhe Kryeministrin e Shqipërisë Rama, si dhe me Kryeministrin e Bullgarisë, Kryeministrin e Greqisë dhe arsyeja e atij komunikimi ishte që të sigurohet transporti dhe tregtia e pandërprerë me të gjitha produkte ushqimore të nevojshme që të mos kemi mungesa në rajon dhe ka dhënë rezultate sepse në të gjitha këto vende nuk ka pasur mungesë ushqimi dhe energjie qoftë edhe një ditë gjatë dimrit”, theksoi Kovaçevski dhe shtoi që kur në Shqipëri mungonte vaji i lulediellit në shitore, Maqedonia e Veriut vendosi të eksportojë sasitë e nevojshme për Shqipërinë.

Kovaçevski theksoi se masat individuale nga të gjitha vendet janë gjithmonë më të mira kur shoqërohen me komunikim të mirë dhe të hapur me të gjitha vendet fqinje në rajon dhe se në këtë drejtim Samiti i fundit i vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore në Selanik dy javë më parë i ftuar Turqia, Greqia, Italia do t’i bashkohen nismës “Ballkani i Hapur” si vende vëzhguese për të rritur atë bashkëpunim rajonal dhe për të bashkuar qytetarët dhe bizneset nga i gjithë rajoni më i gjerë.
Dimitar Kovaçevski
Dimitar Kovaçevski

Lidhur me lëvizjet e inflacionit, Kryeministri Kovaçevski tha se masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë dhënë rezultate në këtë drejtim dhe norma e inflacionit në vend është më e ulët se disa vende anëtare të BE-së.

Mes tjerash, Kovaçevski kujtoi se BE-ja është partneri më i rëndësishëm ekonomik, 80% e shkëmbimit tonë të jashtëm tregtar është me vendet anëtare të Unionit, 80% e investimeve të huaja gjithashtu janë nga vendet anëtare të BE-së.

Përmes video-lidhjes, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhei, iu referua sfidave me të cilat përballen vendet pas pandemisë Kovid-19 dhe invazionit rus ndaj Ukrainës.

“Ballkani Perëndimor mbetet prioriteti ynë, ndërsa Plani i Investimeve Ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor mbetet mekanizmi kryesor për përshpejtimin e integrimit të këtij rajoni në BE”, tha Varhei.

Komisioneri i BE-së shtoi se bashkëpunimi me Ballkanin Perëndimor është me rëndësi gjeopolitike dhe gjeostrategjike për BE-në dhe duke e theksuar rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës i bëri thirrje Bullgarisë që mos ta pengojë integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE.

Fjalime mbajtën edhe Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq, Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit të Malit të Zi, Goran Gjuroviq, Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, Drejtoresha e CEFTA-s, Emir Xhikiq, Zëvendësdrejtori i Qendrës Marshall për Studime të Sigurisë, Ambasadori Erik Nelson dhe Matteo Bonomi nga Institutit Italian për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Panelistët dhe Drejtoresha Rajonale e Ekonomistit Joan Hoy si moderatore e panelit në fund të sesionit konkluduan se bashkëpunimi rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishme për procesin e integrimit të rajonit në BE.

Është paraparë gjithashtu që Kovaçevski të zhvillojë takime dypalëshe me zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së për çështjet evropiane dhe euroaziatike dhe përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, nënsekretaren e përgjithshme të OKB-së për çështjet politike dhe operacionet paqeruajtëse Rosemary DiCarlo me Ministren e Jashtme të Republikës së Polonisë dhe kryetarin aktual të OSBE-së, Zbigniew Rau, Sekretarin për Marrëdhënie me Selinë e shenjtë (Vatikan), Paul Richard Gallagher dhe Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Ndërkohë, në kuadër të Forumit, janë zhvilluar disa takime. Presidenti Stevo Pendarovski priti sot në Vilën Biljana në Ohër, përfaqësuesi Special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Në takim u diskutua për situatën aktuale në rajon në dritën e aktiviteteve të Peach si përfaqësuese speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.

Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski theksoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për ruajtjen e prosperitetit dhe sigurisë së rajonit. Mbretëria e Bashkuar, tha presidenti Pendarovski, është mike e dëshmuar e Maqedonisë së Veriut dhe mbështetëse e fuqishëme e qëllimeve të saj strategjike dhe shprehu pritjen e mbështetjes së vazhdueshme për forcimin e stabilitetit, demokracisë, sundimit të ligjit dhe korrupsionit.

Stevo Pendarovski - Stuart Peach
Stevo Pendarovski – Stuart Peach

Presidenti Stevo Pendarovski, zhvilloi takim edhe me nënsekretaren për çështje politike dhe paqeje të Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo, duke rikonfirmuar përkushtimin dhe kontributin e fuqishëm të Maqedonisë së Veriut në multilateralizëm.

Presidenti Pendarovski shprehu mbështetje për vizionin e bashkëpunimit global dhe multilateralizmit efektiv të shprehur në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm Guterres “Agjenda jonë e përbashkët”, duke u pajtuar me bashkëbiseduesen se kohezioni dhe bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet vendeve është i domosdoshëm për të arritur paqen për të arritur përparim, dinjitet, barazi. E njëjta gjë është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin aktual të agresionit ushtarak nga Federata Ruse kundër Ukrainës. Ai theksoi gatishmërinë e vendit për të mbështetur proceset reformuese të nisura nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në kuadër të parandalimit të konflikteve, zhvillimit të qëndrueshëm dhe reformave të qeverisjes.

Presidenti falënderoi OKB-në për fokusin e saj në Ballkanin Perëndimor dhe përshëndeti projektin aktual rajonal rinor të mbështetur nga OKB-ja për të forcuar kohezionin social dhe bashkëpunimin rajonal në kontekstin e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor. Presidenti theksoi se angazhimi i vazhdueshëm i OKB-së në Maqedoninë e Veriut kontribuon në forcimin e kapaciteteve të vendit në sektorët kyç dhe në zbatimin e agjendës së reformave në kuadër të procesit integrues në BE.

Nënsekretarja e OKB-së për Çështje Politike, Rosemary DiCarlo, falënderoi për mundësinë për të marrë pjesë në Forumin e Dialogut të Prespës, nën kujdesin e presidentit Pendarovski. Ajo vuri në dukje pritjen e përkohshme të qytetarëve afganë në vend gjatë tërheqjes së përfaqësuesve ndërkombëtarë nga Afganistani, duke e vlerësuar atë si një gjest veçanërisht human që vlerësohet shumë në OKB.

Stevo Pendarovski - Rosemary DiCarlo
Stevo Pendarovski – Rosemary DiCarlo

Ai rikonfirmoi qëndrimin pozitiv të OKB-së ndaj vendit, në funksion të konstruktivitetit dhe vullnetit politik të treguar për të zgjidhur çështjet përmes dialogut dhe negociatave, si dhe aktivitetet tona brenda Organizatës.

Sesioni i titulluar “Ballkani Perëndimor – menaxhimi në kohë të turbullta”, u hap nga zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq dhe përfshiu të dërguarit e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Gabriel Escobar dhe Sekretarin e Jashtëm britanik Stuart Peach, të Gjermanisë Manuel Saracin dhe Austria Johannes Eigner.

Ndryshe, kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dje si pjesë e programit të tij me aktivitete gjatë Forumi i Prespës për Dialog, mbajti takim me kryetarin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel. Në takim, ku morën pjesë edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, u diskutua për sfidat gjeopolitike që i solli agresioni rus në Ukrainë, për përshpejtimin e integrimin të Ballkanit Perëndimor në BE u bë çështje prioritare me prioritet të lartë, duke përfshirë forcimin e rezistencës së rajonit ndaj ndikimeve të palëve të treta.

Forumi i Prespës po mbahet nga 16 deri më 18 qershor në Ohër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button