Qeveria u kërkon komunave të bëjnë vlerësimin e dëmeve nga vërshimet

Qeveria e Maqedonisë u ka bërë kërkesë krerëve të komunave që të formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve që u është shkaktuar qytetarëve pas vërshimeve. Pasi të bëhet vlerësimi i dëmeve nga ana e qeverisë do të ketë edhe ndihma konkrete.

“Qeveria i obligoi të gjitha institucionet, i rekomandoi vetëqeverisjes lokale dhe komisioneve për vlerësimin e dëmeve në rajonet ku ka pasur shi të rrëmbyeshëm, menjëherë të dalin në terren dhe ta fillojnë procedurën, në përputhje me afatet ligjore, të vlerësimit të dëmeve, në mënyrë që ne të akordojmë ndihmat e caktuara për banorët që pësuan dëme në pronat e tyre”, tha AleksandarGjeorgjiev, zëdhënës i qeverisë.

Moti i djeshëm përgjatë luginës së Vardarit ka shkatërruar edhe një pjesë të të mbjellave. Nga Qendra për Menaxhimin e Krizave thonë se një pjesë e dëmeve do të riparohen brenda një kohe të shkurtër.

“Ka pemë të rrëzuara, përmbytje të hapësirave afariste dhe private, ka lajmërime për probleme me energjinë elektrike dhe qarkullim të vështirësuar rrugor. Gjatë ditës së djeshme dhe sot, dëmet tashmë janë riparuar dhe uji po thithet nga bodrumet. Gjithashtu, kemi informata se janë përmbytur një pjesë e madhe të fushave me oriz, arat e mbjella me grurë dhe kulturat e perimeve në komunat Koçanë, Çeshinovë dhe Obleshevë”, u shpreh Nadica Veçkova, zëdhënëse e QMK-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button