Askush nuk ka bërë vlerësimin e dëmeve në lokalet e shqiptarëve në Gjorçe Petrov
“Dëmet nga vandalizmi dhe huliganizmi i protestave në Gjorçe kanë mbetur në barrën e pronarëve. Ata thonë se nuk do të fillojnë me riparimin e lokaleve, pa u bërë vlerësimi i dëmeve nga organet kompetente. Askush deri tani nuk i ka vizituar lokalet e tyre. Policia, pa informacione shtesë”,transmeton Alsat.
Askush nuk e vret mendjen për bizneset dhe lokalet e shqiptarëve në Gjorçe, të cilët pësuan dëme të mëdha gjatë dy netëve të protestave, që pasuan vrasjen me thikë të një të riu maqedonas. Pronarët e lokale thonë se dëmet janë të mëdha, dhe se e kanë të pamundur që shpenzimet e riparimit t’i mbulojnë vetë. Pronari i restorantit “Planeta” thotë se fatura e dëmeve të pësuara shkon deri në 90 mijëeuro.
“Askush deri tani nuk ka ardhur, që të na mbulojë dëmin. Kam kërkuar nga kryetari i Komunës, nuk më ka dhënë përgjigje, më tha, të kërkoj nga shteti. Shteti dhe policia e kanë bërë vetë, dhe i kanë mbrojtur huliganët që kanë bërë dëme këtu. Po ashtu edhe zjarrfikësit, që janë shumë afër, nuk i kanë lejuar të vijnë dhe të ndalojnë zjarrin në lokal. Nuk kërkoj asgjë tjetër nga shteti, dëmin që më është bërë mua qëllimisht dhe më kanë shkatërruar, të ma kthejnë”, deklaroi Sefedin Isaki, pronar i ‘Restorant Planeta’.
Edhe lokali “Care Komerc” ishte sulmuar nga huliganët. Sipas pronarit Sejdulla Emini, dëmet i kalojnë 2000 eurot. Edhe pse policia ka bërë vëzhgim të vendit të ngjarjes, ai është pesimist se do t’i paguhet dëmi. Emini apelon të zgjedhurit politikë që të ndërhyjnë në përshpejtimin e zgjidhjes!
“Kanë qenë të thyera, xhamat, brendia e lokalit, gjithçka. Në kemi lokal edhe në qendrën tregtare në Gjorçe, njësoj edhe atje. Jo vetëm lokalët e mi, por edhe gjithë tjerët që janë pronë e shqiptarëve. Unë apeloj tek ata që i kemi zgjedh në qeveri, të vijnë dhe të na shohin hallet tona, ndërmarrin diçka, të na paguajnë për dëmet dhe ta ndalin këtë zullum”, u shpreh Sejdulla Emini, pronar i dyqanit “Care Komerc”.
Nga policia nuk njoftojnë për procesin hetimor të ngjarjeve. Zëdhënësi Ivo Kotevski ishte i zënë me drekë pune dhe nuk pranoi të prononcohej, por theksoi se për rastin në fjalë, kemi dalë më herët me konferencë për median, dhe nuk ka asgjë të re për të ndarë me publikun. Sipas pres konferencës së fundit të ministres së brendshme Gordana Jankullovska, Sektori i Punëve të Brendshme në Shkup vazhdon me masa intensive drejt identifikimit të personave. Nga policia janë identifikuar 18 persona për prishjen e rendit dhe qetësisë publike, të cilët pas dënimeve me gjobë kundërvajtjeje, ishin lënë të lirë.