Pronarët e autobusëve privat arritën marrëveshje me Qytetin e Shkupit, prej nesër normalizohen linjat 19 dhe 20

Prej nesër do të normalizohet qarkullimi i autobusëve privat me numër 19 dhe 20, të cilët qarkullojnë në kuadër të Ndërmarrjes Publike të Transportit të Qytetit të Shkupit. Kompania e cila i menaxhon këto linja, ka arritur marrëveshje me Qytetin e Shkupit për shlyerjen e një pjesë të mjeteve financiare që administrata e udhëhequr nga Danella Arsovska prej muajit shkurt nuk i ka lëshuar, njofton Portalb.mk.

“Po, kemi arritur marrëveshje dhe prej nesër do të stabilizohet qarkullimi i linjave. Do të tentojmë që edhe sot të lëshojmë autobusë, por prej nesër do të jetë gjithçka në rregull. Jemi marrë vesh që të na paguajnë 60% të borxhit për muajin mars dhe prej të hënës do të paguhet avansi për derivate. Mjetet tjera do të na lëshohen pas ribalancit të buxhetit”, thonë për Portalb.mk nga kompania “Makekspres”.

Se kanë arritur marrëveshje e konfirmuan për Portalb.mk edhe nga Qyteti i Shkupit.

“Problemi me linjat 19 dhe 20 nga ana e Qytetit të Shkupit me transportuesit privat është tejkaluar. Në marrëveshje me kompaninë prej nesër linjat do të qarkullojnë sipas orarit të rregullt. Qyteti i Shkupit për një javë transportuesit privat do t’i kompensojë mjete në vlerë prej 8 milionë denarë, a gjatë ditëve në vijim do t’i paguhet afër çereku nga borxhi i trashëguar që Qyteti i Shkupit e ka ndaj transportuesit privat. Shpresojmë që shqetësime të tilla në lidhje me transportin publik dhe shkyçja e sërishme e linjave nga ana e transportuesve privat nuk do të ndodh, pasi që e njëjta është në dëm të qytetarëve”, thonë për Portalb.mk nga Qyteti i Shkupit

Ndryshe, sot u emërua drejtori i ri i NTP-së, Aleksandar Stojkovski. NTP “Shkup” është në gjendje të keqe financiare dhe me borxhe prej vitesh. Ndërmarrja prej vitesh merr subvencione nga Qyteti i Shkupit për operimin aktual, madje edhe për pagat e punëtorëve.

Ndërkohë, derisa Qyteti i Shkupit lavdërohet për punën e NTP-së, ashtu siç informoi Portalb.mk, autobusët privat të linjës 19 nuk qarkullonin në qytet . Pas ndalimit të kësaj linje, edhe linja 20 e ndërpreu qarkullimin e saj dhe me këtë tërë Komuna e Shuto Orizares, por edhe disa lagje të Çairit mbetën pa transport publik.

Për këtë reaguan nga partia në pushtet LSDM, nga ku thanë se nuk ka ditë që nuk del në pah paaftësia e kryetares së Shkupit Arsovska.

“Tre muaj Qyteti i Shkupit e udhëhequr nga Arsovska dhe VMRO-DPMNE, nuk u ka paguar transportuesve privat të autobusëve dhe për atë prej sot ata më nuk qarkullojnë në linjat e rregullta. Me ndalimin e këtillë, seriozisht reduktohet orari i rregullt, por më keq është se vendbanime të tëra janë pa transport publik. Në Komunën e Shuto Orizares, prej sot është ndërprerë transporti publik pasi linjat “19” dhe “20” në pjesën më të madhe janë të transportuesve privat. Arsovska përpara zgjedhjeve premtonte transport autobusi falas dhe hoqi dorë nga 70 milionë euro për projektin “BRT”, thanë nga LSDM.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button