“Parcelat në Vodno”, Gruevski u dënua me 7 vjet burg, Mijallkov me 1 vjet e 3 muaj dhe Kamçev me 1 vjet

Është shpallur aktgjykimi për rastin “Parcelat në Vodno. Sipas vendimit të Gjykatës të gjithë të akuzuarit u shpallën fajtorë, njofton Portalb.mk.

Ish kryeministri Nikolla Gruevski është dënuar me 7 vjet burg, ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov u dënua me 1 vjet e 3 muaj burg, biznesmeni Orce Kamçev u dënua me 1 vjet burg, Risto Novaçevski është dënuar me 2 vjet burg me kusht dhe Nenad Josifoviq u dënua me 2 vjet burg me kusht.

“Asnjëri prej tyre nuk ka bërë për dobi për veten, por i ka ndihmuar Nikolla Gruevskit që të përfitojë përfitim personal, dhe kjo u merret si rrethanë lehtësuese”, deklaroi gjykatësi Ilija Trpkov pas shqiptimit të aktgjykimit.

Sipas aktakuzës, në periudhën nga qershori 2006 deri në tetor 2012, Gruevski si kryetar partie, në vend që t’i paraqesë paratë si donacione të pranuara në VMRO-DPMNE, ai ka siguruar për vete 1,3 milionë euro (79.972.140 denarë), e më pas ato para i ka lëshuar në qarkullim dhe ka blerë parcela të tokës në Vodno. Bëhet fjalë për tokë në të cilën ka pasur një pyll, i cili me ndryshimet në Planin e Përgjithshëm Urbanistik (PPU) është shndërruar në tokë për ndërtim. Përveç pronës në Vodno, aktakuza përfshin edhe dy banesa në kryeqytet dhe dy parcela në Krushevë për të cilat prokuroria pretendon se pronari i vërtetë, gjegjësisht Gruevski, fshihej.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button