KOHA E VENITJES 

Gustave Le Bon-i, në librin Psikologjia e racave, shkruan edhe për atrofizimin e kombit. [Përktheu: Gent Ulqini, Tiranë, 2003]. Ky atrofizim manifestohet me plogështimin e vullnetit, ultësimin e karakterit, moskokëçarjen, humbjen e energjisë, iniciativës dhe aftësisë për veprim.

Kur një gjymtyrë trupore përjashtohet nga funksioni, atëherë atrofizohet. Defekti mbartet edhe te brezat e ardhshëm. Krahët e pinguinëve u atrofizuan pasi nuk u përdorën për fluturim. E njëjta gjë ndodh me konstitucionin mendor.

Sot kemi venitje të përgjithshme. Venitja ndodh kur lulëzon egoizmi i pafre, kur s’ka preokupime tjera veç vetes dhe kur relativizohen vlerat.

“Qytetarët, duke mos pasur ideal tjetër veçse të shijuarit me ngut të të mirave të fituara shpejt, ia lënë drejtimin e çështjeve publike shtetit dhe flakin me shpejtësi të gjitha cilësitë që e kishin krijuar madhështinë e tyre”, shkruan Le Bon.

Njerëzit janë bërë indiferentë kundrejt asaj që ndodh në shoqëri. E kanë humbur shpresën për të ardhmen. Humbja e idealit çon në dekadencë.

Shpirtin e romakëve, sipas autorit, e kishte pushtuar ideali për madhështinë e Romës. Romakët, më shumë se gjithçka tjetër, e donin polisin e tyre. Ky ideal Romën e bëri vend të përgjegjësisë, forcës, dijes dhe artit. Dekadenca filloi kur qytetarët romakë s’donin të flijonin për polisin madhështor, por vetëm për familjen dhe veten.

Në analogji: mund të themi se sot kemi gjendje letargjie, oportuniteti dhe moskokëçarjeje. Pakkush merakoset për pronën e përbashkët. Është humbur besimi qytetar për drejtuesit e punëve publike. Ata shihen si mashtrues e të korruptuar që punojnë vetëm për veten, familjen dhe klanin e tyre, kurse politika shihet vetëm si pushtet, siç e përkufizoi Makiaveli, por jo edhe si drejtësi e etikë, siç kërkonte Erazmi i Roterdamit.

Në shoqërinë tonë nuk ka autoritete morale që e krijojnë idealin për madhështinë e një vendi. Ideali krijohet bashkërisht nga drejtuesit e punëve publike, njerëzve të artit, kulturës, shkencës, ekonomisë, medias, shoqërisë civile etj.

“Rinia po heq dorë nga karrierat që kërkojnë gjykim, iniciativë, energji, përpjekje vetjake apo vullnet. Atë e tmerrojnë edhe përgjegjësitë më të vogla. Asaj i mjafton horizonti i ngushtë i funksioneve të paguara nga shteti”, shkruan Le Boni.

Një mendim tepër aktual për kohën dhe hapësirën tonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button