Petkov: Lufta në Ukrainë “e bëri rastin e Maqedonisë së Veriut akoma më delikat”

Kryeministri bullgar Kiril Petkov sot deklaroi se çdo zgjidhje nga bisedimet me Maqedoninë e Veriut duhet të jetë me pajtimin e plotë të partive në koalicionin qeverisës dhe opozitës. Ai sot në Kuvend deklaroi se asnjë vendim konkret nuk do të merret pa miratimin e Kuvendit dhe pa mbështetjen e plotë të të gjithë atyre që do ta votojnë, transmeton Portalb.mk.

“Kemi një marrëveshje të nënshkruar qartë për koalicionin, të cilën e respektojmë rreptësisht. I bëjmë të gjitha veprimet tona në përputhje me të. Unë si kryeministër nuk kam asnjë të drejtë dhe as do të përpiqem të bëj marrëveshje. Ne kemi një pozicion kornizë, një deklaratë”, tha Petkov për qëndrimin e Bullgarisë ndaj Maqedonisë.

Sipas Petkov, zhvillimet aktuale në Ukrainë “e kanë bërë rastin e Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe më delikat”.

“Ballkani Perëndimor është edhe rajon në rrezik. Siguria e Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi të madhe për shtetin bullgar. Këtyre vendimeve ne duhet t’u qasemi me përgjegjësi të madhe”, shtoi Petkov.

Ai theksoi se Komisioni Evropian ka deklaruar se është i gatshëm që përmes kornizës negociuese të jetë garantues i të drejtave të bullgarëve në Maqedoni dhe të respektojë interesat dhe të drejtat e tyre.

“Korniza dhe procesi i negociatave do të kontribuojnë në fqinjësinë e mirë për të cilën shpresojmë kaq shumë”, shtoi Petkov.

Deklarata e kryeministrit bullgar vjen pasi lideri i partisë “Ka një popull të tillë”, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, Slavi Trifonov në një postim në Facebook të mërkurën e akuzoi atë se dëshiron të nisë negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së deri në fund të qershorit, pa asnjë garanci ligjore për respektimin e të drejtave të bullgarëve në vend dhe se veprimet e saj i kryen pa koordinim me Ministrinë e Jashtme bullgare, partnerët e koalicionit dhe Kuvendin.

Ndaj pretendimit të Trifonovit kanë reaguar edhe tri partitë e tjera në koalicionin qeverisës. “Vazhdojmë me ndryshimin” e Petkovit dhe “Bullgaria Demokratike” dje mohoi se kishte marrëveshje të fshehtë për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Partia Socialiste Bullgare (BSP) njoftoi se nuk kishte informacione për një angazhim të tillë nga kryeministri bullgar.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button