Spasovski: Struktura të ngjashme që ishin kundër NATO-s dhe marrëveshjes me Greqinë, punojnë kundër marrëveshjes me Bullgarinë

Strukturat e ngjashme që ishin kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, janë edhe kundër arritjes së marrëveshjes me Bullgarinë, tha mbrëmë ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, në emisionin “Click Plus” në Tv 21.

“Normalisht ekzistojnë edhe të tillë që punojnë për të bllokuar plotësisht arritjen e çdo marrëveshjeje me Bullgarinë. Prandaj do t’ua lija shërbimeve që ta bëjnë atë në mënyrën e duhur së bashku me të gjithë ata që janë të përfshirë në proces. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi dialog të hapur dhe dialog parimor me Republikën e Bullgarisë. Dialog parimor që do të thotë se ne po i mbrojmë interesat tona kombëtare maqedonase dhe në të njëjtën kohë jemi të gatshëm për të arritur kompromis që do të nënkuptonte hapjen e dyerve për Maqedoninë e Veriut, për perspektivat në BE dhe anëtarësimin tonë”, deklaroi Spasovski.

Të gjithë ata që negociojnë, shtoi ministri, duhet të kenë parasysh se më i rëndësishmi është interesi kombëtar dhe ai është anëtarësimi në BE, sepse alternativë tjetër nuk kemi.

“Për ne është shumë e rëndësishme që shumica e qytetarëve të qëndrojnë fort në rrugën drejt BE-së dhe ne në asnjë moment nuk mund ta lëmë atë rrugë. Të gjitha përpjekjet e tjera për të na penguar, mendoj se do të përfundojnë si ato përpjekjet para anëtarësimit në NATO”, tha Spasovski.

Në këtë temë, fundjavën e kaluar foli edhe shefi i diplomacisë Bujar Osmani, i cili tha se të punësuar në institucionet tona kanë telefonuar këtë javë në Bullgari për të lobuar që të mos vazhdohet angazhimi për zgjidhjen e kontestit mes dy vendeve.

Kryeministri Kovaçevski, ndërkaq, para dy ditësh njoftoi se janë marrë masa ndaj zyrtarëve maqedonas që dyshohet se punojnë kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore mes dy vendeve, por nuk dha më shumë detaje.

Ngjashëm ka deklaruar edhe kryeministri bullgar Kiril Petkov. Sipas tij agjentë rusë në Bullgari punonin kundër marrëdhënieve të mira midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Në Bullgari është formuar një diasporë mjaft e madhe agjentësh rus, të cilën aktualisht e shohim duke punuar për interesa të ndryshme. Ka agjentë rusë që kanë punuar në mënyrë specifike kundër mirëkuptimit midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në fakt, interesi i Rusisë është të mos ketë të ardhme evropiane për Ballkanin Perëndimor”, tha Petkov.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button