Roli i partive shqiptare në RMV në kontekstin e luftimit të ndikimit rus (Pjesa I)

Në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut u nënshkruan dy marrëveshje shumë të rëndësishme për ecurinë e vendit. Marrëveshja e parë (Marrëveshja e Ohrit) e shpëtoi vendin nga një katastrofë e mundshme dhe garantoi një shtet multietnik dhe demokratik sipas parimeve të BE-së. Marrëveshja e dytë (Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim), i dha shtetit kahjen Euro-Atlantike, kështu duke minimizuar mundësitë e ndikimit anti-demokratik në vend. Partitë politike shqiptare në RMV kanë qenë drejtpërdrejtë të kyçura në procesin e nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve dhe janë shprehur qartë për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO. Kështu, këta të fundit përkrahën edhe “revolucionin shumëngjyrësh” që rrëzoi një qeveri të afërt me Rusinë dhe Putin, shkruan Portalb.mk.

Marrëveshja e Ohrit dhe Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim, shteti mori kahjen euro-atlantike

Formësimi i rrugës euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut ndodhi kryesisht pas konfliktit të armatosur të vitit 2001 ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK-së) dhe Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë (ARM-së) e cila zgjati rreth 8 muaj dhe u ndalua me Marrëveshjen e Ohrit. Në atë kohë, qeveria e Ukrainës e cila ishte me orientim pro-rus vendosi që t’i ndihmojë ushtrisë maqedonase duke i shitur armatim. Megjithatë, populli i Ukrainës në vitin 2014 mori pushtetin në duart e veta, kështu duke rrëzuar qeverinë e Viktor Janukoviqit, për shkak se ky i fundit u mohoi atyre të drejtën për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Duke ditur këtë fakt, partia politike shqiptare e cila doli nga lufta e vitit 2001, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot nuk fajëson Ukrainën për avionët dhe helikopterët që i kishin shitur kundërluftëtarëve të tyre, gjegjësisht, ARM-së, por përkundrazi kjo parti ka dënuar agresonin rus dhe ka shprehur mbështetje të plotë për Republikën e Ukrainës dhe popullin ukrainez.

“Të gjithë jemi të interesuar që të gjendet zgjidhje sa më e shpejtë dhe të mbyllet ky rast kaq i dhimbshëm në Ukrainë, të gjendet zgjidhje deri tek armëpushimi dhe t’i hapet rrugë dialogut, vendosjes së paqes dhe të lihen të lirë ukrainasit, të vetëvendosin për fatet e veta, do të thoja që presidenti Putin dhe Rusia duhet të ndjejnë përgjegjësinë se si superfuqi kanë invadu një komb, po shkelin mbi vullnetin e një populli dhe kjo duhet ti turpërojë dhe sa më parë që të tërhiqen, aq më mirë do të jetë si për Rusinë ashtu edhe për Evropën. Mendoj që populli rus ka përgjegjësi kolektive që mos të lejojë këtë luftë të pamëshirshme që zhvillohet në Ukrainë”, ka deklaruar Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe përfaqësues politik i UÇK-së gjatë luftës në vitin 2001.

“Në këto kohë të vështira ne jemi me Ukrainën”, ka deklaruar shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili vjen nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Një ndër dokumentet më të rëndësishme me anë të së cilës u arrit ndërprerja e konfliktit të vitit 2001 ishte Marrëveshja e Ohrit. Me këtë marrëveshje, përveç ndërprerjes së konfliktit, vendosi Kushtetutën e RMV-së në një bazë të re, në të cilën sigurohej një përfaqësim më i barabartë në fusha të caktuara politike dhe institucionale mes dy etnive më të mëdha në vend, gjegjësisht, asaj maqedone dhe shqiptare.

Gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, foto: Google.
Gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, foto: Google.

Ky dokument, që afroi Maqedoninë e Veriut disa hapa më afër Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit në NATO, duke minimizuar mundësinë e ndikimit të forcave jo-progresive në vend u nënshkrua nga presidenti i atëhershëm i shtetit, Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, Lubço Georgievski, kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, kryetari i PDSh-së, Arben Xhaferi dhe kryetari i PPD-së, Imer Imeri. Si dhe në cilësinë e garantuesve, dokumentin e nënshkruan edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Fransoa Leotar dhe përfaqësuesi i posaçëm i ShBA-së, Xhejms Perdju.

Në zgjidhjen e krizës u involvua edhe Piter Feit, përfaqësues special i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, i cili i koordinonte të gjitha aktivitetet mes forcave të sigurisë së Republikës të Maqedonisë dhe UÇK-së, edhe atë drejtpërdrejt me ndërmjetësim.

Pra, marrë parasysh se garantues të marrëveshjes ishin palet BE dhe ShBA, si dhe në këtë marrëveshje janë përfshirë shumë parime të Bashkimit Evropian, kjo marrëveshje paraqet hapin më të rëndësishëm drejt avancimit te rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt integrimit Evropian dhe anëtarësimit të vendit në NATO.

Prej partive politike shqiptare, nënshkruese të Marrëveshjes së Ohrit kanë qenë Arben Xhaferi, si kryetar i PDSh-së së atëhershme dhe Imer Imeri, si kryetar i PPD-së. Megjithatë, të gjitha partitë politike shqiptare, përfshirë edhe partitë aktuale në skenën politike, mbështesin këtë marrëveshje por kanë ide të ndryshme sa i përket realizueshmërsë së saj.

Tendencat jo-progresive u minimizuan me nënshrkimin dhe fillimin e implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim

Edhe pse negociohej më herët, Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA), mes RMV-së dhe Bashkimit Evropian u nënshkrua në të njëjtin vit me atë të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo marrëveshje rradhiti Republikën e Maqedonisë në rendin e shteteve me perspektivë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa në planin ekonomik, me nënshrkimin e marrëveshjes u hapën dyert e njërit ndër tregjet më të mëdha dhe më të fuqishme financiare të botës.

Plotësimi i pikave të kësaj marrëveshje afronte vendin çdo ditë më afër Bashkimit Evropian dhe NATO, disa prej tyre janë si vijon:

  • Afrimit të rajonit drejt integrimit më të afërt dhe të plotë në strukturat e Bashkimit Evropian,
  • Mbështetjes së konsolidimit të shpejtë demokratik, sundimit të së drejtës, zhvillimit ekonomik dhe reformatstrukturore, strukturat adekuate administrative dhe bashkëpunimit rajonal,
  • Krijimit të kornizës së formalizuar të dialogut politik, në nivel bilateral dhe rajonal.
  • Promovimit të marrëdhënieve ekonomike, tregtisë, investimeve, politikës së sipërmarrjeve, transportit dhe zhvillimit, bashkëpunimit në sferën e doganës, me perspektiva për integrim më të afërt në sistemin tregtar botëror, përfshirë edhe mundësinë për krijim të zonës së lirë tregtare, pasi të arrihet progres në reformat ekonomike.

Ndërkaq, të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë shprehur përkrahjen e tyre për këtë marrëveshje si dhe për të gjitha marrëveshjet tjera që afrojnë vendin me Bashkimin Evropian.

Sot që flasim, për shkak të marrëveshjes së lartëpërmendur që rezultoi në rritjen e bashkëpunimit ekonomik të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, në anketën e fundit të Institutit Internacional Republikan (IRI) pjesa më e madhe e qytetarëve (35%) besojnë se donatori më i madh në RMV është Bashkimi Evropian ndërkaq vetëm (3%) besojnë se është Rusia.

Ndryshe, 47% e të anketuarve i shohin Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) si partnerët më të rëndësishëm ekonomik të RMV-së kurse 32% vlerësojnë se Rusia është parneti më i rëndësishëm ekonomik.

Për të lexuar studimin e plotë, klikoni KËTU.

Të gjitha partitë politike shqiptare janë shprehur pro kësaj marrëveshje dhe janë janë të përcaktuara për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Ky përcaktim shihet qartë në statutin e partisë Aleanca për Shqiptarët, këtu mund të shihni qëndrimin e Partisë Demokratike Shqiptare, qartë është përcaktuar edhe në statutin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Partisë Alternativa, gjithashtu edhe Lëvizja BESA është shprehur pro anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe përqafimit të vlerave evropiane.

Revolucioni shumëngjyrësh, qeverisë pro-ruse i afrohej fundi, viti 2015

Protesta që filloi pas vrasjes së Martin Neskovskit në natën e zgjedhjeve në vitin 2011, më vonë u shndërrua në një lëvizje me emrin #Protestoj, nga mesi i prillit 2016, u zhvillua në të ashtuquajturën “Revolucioni Shumëngjyrësh” në Maqedoni. Protestuesit kërkonin që të ik qeveria Gruevski-Ahmeti.

Protestat paqësore të Revolucionit Laraman, prill 2016 Shkup Foto: Vanço Xhambasski CC BY-SA
Protestat paqësore të Revolucionit Laraman, prill 2016 Shkup Foto: Vanço Xhambasski CC BY-SA

Kërkesat për drejtësi ishin vetëm një pjesë e protestave që u bënë masive më 12 prill 2016 pasi presidenti i atëhershëm i Maqedonisë Gjorge Ivanov shpalli abolicion për 56 persona të dyshuar se ishin të përfshirë në skandalin e përgjimeve.

Disa mijëra njerëz dolën në rrugët e Shkupit po atë natë, duke e shpërthyer kordonin policor dhe duke i vënë zjarrin zyrës së Ivanovit në qendër të qytetit. Protestat vazhduan edhe në muajt në vijim me ritëm dhe masë të shtuar. Më 15 prill, për herë të parë u hodh ngjyrë në fasadën e Porta Maqedonia- që më vonë u bë simbol i njohur dallues i protestave.

Rusisë i konvenonte që të vazhdojë qeverisja Gruevski-Ahmeti

 “Rusia e Bashkuar”, partia e presidentit rus, Vladimir Putin, kishte reaguar atëherë kundër revolucionit shumëngjyrësh në RMV dhe të tjerave në balkan. Sipas informacioneve nga mediet rajonale, „Rusia e Bashkuar” kishte bë thirrje partnerëve politik në balkan që të luftojnë kundër revolucionit shumëngjyrësh në Maqedoninë e Veriut si dhe revolucioneve tjera laramane në territorin e ish-jugosllavisë.

Sa afrohej fundi i qeverisë Gruevski-Ahmeti, aq më shumë i shtohej sikleti Rusisë

“Si pjesë e rajonit të Ballkanit, Maqedonia e Veriut është në fushën e interesit të Rusisë, sepse rajoni kufizohet me BE-në, diçka që Moska dëshiron ta mbajë nën kontroll ose të paktën të ketë ndikim”, thuhet në raportin e Fondacionit Rusia e Lirë” me seli në ShBA.

Në këtë raport thuhet se Rusia përdori dhe përdor mjete të ndryshme për të ndikuar në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.

“Megjithatë, jo të gjitha përpjekjet për të ndikuar në politikën dhe ekonominë maqedonase kanë dhënë rezultatet e dëshiruara. “Në njërën anë, Rusia arriti të krijojë marrëdhënie të ngushta me elitën politike maqedonase në kohën e Gruevskit, por nga ana tjetër, nuk arriti të kundërshtojë opozitën, gjë që solli ndryshime rrënjësore në qeveri dhe humbje të lidhjeve politike me politikanët në pushtet. “ në raport.

Rusia ka bërë përpjekje të konsiderueshme për ta mbajtur Maqedoninë e Veriut jashtë NATO-s, duke arritur të zvogëlojë pjesëmarrjen në referendumin për ndryshimin e emrit.

Ministria e Jashtme e Rusisë kishte pasur reagim të ashpër pas zgjedhjeve të dhjetorit në vitin 2016, ku partia e Gruevskit edhe pse fitoi zgjedhjet, nuk arriti të krijojë shumicën në parlament. Në reagimin e MPJ të Rusisë, ata kishin shprehur përkrahje jo vetëm për Gruevskin, por edhe për kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin.

“Duket se në forcat politike në Maqedoni po ushtrohet një ndikim i madh i jashtëm me slogane pseudodemokratike. “Qëllimi është i qartë – të merremi me politikanët maqedonas të cilët janë të padëshirueshëm nga perëndimi dhe të rikompozojmë autoritetet atyre, pavarësisht mbështetjes së qartë të votuesve për koalicionin “Për një Maqedoni më të mirë”, të udhëhequr nga Nikola Gruevski dhe Bashkimi Demokratik për Integrim. të udhëhequr nga Ali Ahmeti.” Kishte deklaruar Ministria e Jashtme ruse më 11 shkurt të vitit 2017.

Përkundër kësaj, të gjitha partitë politike shqipare mbështeten revolucionin shumëngjyrësh

Aleanca për Shqiptarët (atëherë LR-PDSh), RDK-ja dhe Lëvizja BESA kishin shprehur përkrahjen e tyre për revolucionin shumëngjyrësh, ata ju bënin thirrje aktivistëve të tyre që të dalin dhe të protestojnë.

“Për këto arsye, si dhe duke pasur parasysh se ky regjim është dëshmuar edhe si regjimi më antishqiptar, anti-NATO dhe anti-BE dhe i cili e ka kapur keq edhe vullnetin politik të shqiptarëve – duke i kapur partitë shqiptare në pushtet, Lëvizja BESA i mbështet këto protesta, sepse ato janë mënyra e fundit e shpëtimit të këtij vendi dhe e kthimit të demokracisë.” kishte deklaruar Lëvizja BESA.

“Ftojmë publikisht të gjithë shqiptarët që vetes nuk i thonë robër, por i thonë të lirë, organizata joqeveritare të shqiptarëve, intelektualë të pavarur, parti politike dhe të gjithë qytetarët që duan liri, drejtësi, dinjitet, progres, që synojnë perspektivën dhe lumturinë, t’i bashkangjiten kësaj proteste gjithëpopullore për ti thënë ndal këtij sistemi” kishin deklaruar nga LR-PDSh, RDK dhe disa organizata joqeveritare.

Edhe pse pjesë e një qeverie që i konvenonte rusisë, BDI-ja deklarativisht kërkonte nga LSDM-ja dhe VMRO-ja të gjejnë një zgjidhje për dalje nga kriza, në përputhje me “kërkesat e Brukselit dhe Uashingtonit”.

Ndryshe, përveç partive politike shqiptare, edhe ata maqedonase të cilat ishin në opozitë mbështesnin revolucionin shumëngjyrësh dhe ishin pjesë aktive në organizimin e protestave. Në atë kohë, njerëz të afërm mer rusinë tentonin në mënyra të ndryshme që të ruhet status-quo-ja dhe të mos ketë ndryshime të pushtetit në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button