Von der Leyen Petkovit: Bullgaria të ndihmojë në zbatimin e vendimit të KE-së nga viti 2020 për fillimin e negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë
Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Layen sot në Sofje kërkoi nga Bullgaria që të ndihmojë në zbatimin e vendimit të Këshillit Evropian të vitit 2020 për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, njoftoi MIA nga Sofja.
Në një konferencë për shtyp me kryeministrin bullgar Kiril Petkov sot në Sofje, von der Layen theksoi rëndësinë e përmbushjes së premtimit të BE-së ndaj fqinjëve të saj në këto kohë të vështira. Sipas saj, kohët janë shumë të trazuara dhe ato do të përcaktojnë të ardhmen e Evropës, duke ritheksuar se premtimi ndaj partnerëve nga viti 2020 duhet të përmbushet dhe se beson se Bullgaria do ta udhëheqë me mjeshtëri procesin.
Ajo theksoi se të drejtat e minoriteteve janë në thelb të marrëveshjeve dhe vlerave evropiane dhe se mbrojtja e të drejtave të minoriteteve është një vlerë thelbësore dhe ato janë në fokus të vëmendjes.
Presidentja e KE-së, gjithashtu potencoi se asgjë nuk do të jetë si para luftës në Ukrainë.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.