RMV, çmimi i mishit të qengjit për festat fetare mund të arrijë deri në 500 denarë për kilogram

Nga shkurti deri në prill, në mënyrë marramendëse u rritën çmimet e mishit të qengjit dhe të qengjit të përpunuar në dyqane. Çmimi i kilogramit të mishit të qengjit në shitoret e Shtipit këto ditë është 420-430 denarë, me paralajmërim se për festat fetare do të shitet 450 denarë dhe mund të arrijë deri në 500 denarë, transmeton Portalb.mk.

Në Veles tani çmimi është 350 denarë, por edhe atje ka njoftim se do të rritet deri në 400 denarë. Për krahasim, në Veles vitet e fundit mishi i qengjit blihej nga 270 deri në 300 denarë për kilogram. Tregtarët thonë se çmime prej 400-500 denar priten edhe në marketet në Shkup.

“Duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të çmimeve të blerjes dhe të mishit të qengjit, këto ditë mishtoret që furnizohen nga thertoret nuk lëvizin dotë, pasi konsumatorët nxitojnë të sigurojnë mish qengji më të lirë”, thotë Koce Çukniev, i punësuar në një mishtore në Veles.

Blerësit shpjegojnë se çmimet po rriten me shpejtësi për shkak të rritjes së çmimit të blerjes që kërkojnë fermerët. Ata, nga ana tjetër, thonë se nuk ia vlen fare mbajtja e deleve dhe shitja e qengjave me çmimet fillestare prej 150, 160 deri në 165 denarë për kilogram masë që diktohet nga blerësit.

Borçe Gelevski, i cili merret me blegtori dhe mbajtje delesh në zonën e fshatit Borilçevë të Koçanit, thotë se blerësit me çmimet fillestare e kanë mbledhur ajkën, kurse tani tregtarët në mënyrë të gabuar diktojnë çmime shumë të larta, të papërballueshme për qytetarët.

Vëllezërit Memed dhe Amed Abdiovi nga fshati Dorfulija e Sveti Nikollës, thonë se bashkëfshatarët e tyre të martën kanë blerë qengja me çmim prej 190 denarë, por sipas tyre, çmimi blerës duhet të jetë së paku 210 denarë.

Edhe Abdiovi edhe Gelevski thonë se puna është e mundimshme, çmimi i blerjes është i ulët, kurse subvencionet për vitin 2021 nuk janë paguar. 

“Nuk ka më barinj, ndaj vetë duhet të kujdesemi për tufat e deleve. Është mirë që sadopak na ndihmojnë fëmijët, të cilët edhe pse filloristë dhe janë nxënës të shkëlqyer, në kohën e lirë janë gjithmonë me ne dhe tufën. Interesohen dhe marrin pjesë edhe në mjelje. Nëse rastësisht gjeni bari nuk do të pranojë të angazhohet nën 1000 euro”, thonë vëllezërit Abdiovi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button