NDËRGJEGJJA E EUROPËS

Volodimir Zelensky mund të ishte një aktor komedie që do t’i thumbonte veprimet e gabuara të elitave politike. Por, ai u bë president pasi e përvetësoi popullin ukrainas me humorin e tij.

Humori pëlqehet nga njerëzit, sepse, siç thuhet, e karnavalizon jetën dhe e paraqet mbretin lakuriq si te përralla e Andersenit.

Personazhet e Kunderës, sipas Philip Roth-it, përjetojnë dhembje derisa janë të ngatërruar në botën që e ka humbur kuptimin për humorin. Kundera e kishte mësuar vlerën e humorit gjatë periudhës staliniste, kur vuri re se një person nuk mund të ishte stalinist nëse kishte sens për humor.

“Prej atëherë më ka frikësuar bota që e ka humbur kuptimin për humorin”, shkruan Kundera.

Regjimet diktatoriale dhe autoritare nuk e durojnë komiken (pritjen e madhe të kthyer në asgjë, siç e quan Kanti). Ato e promovojnë madhështoren (të frikshmen e bukur). Këto regjime ndërtojnë sheshe madhështore dhe organizojnë parada ushtarake ku mbretëron rendi e disiplina, ku parakalojnë ushtarë seriozë nën ritmin e marsheve dhe ku promovohen armët më vdekjeprurëse. Në kësi regjimesh armiku shpiket. Njerëzit e bashkuar rreth një qëllimi, për shkak të frikës, duhet të besojnë se sigurinë ua garanton Udhëheqësi…

Rusia e Putinit sot është shteti që prodhon vetëm frikë e ankth.

Kryetari ukrainas Volodimir Zelensky, ndërkaq, kërkon një shoqëri të lirë dhe demokratike. Një shoqëri që nuk do t’i mungojë humori. E nëse në vendin e tij fillimisht u bë i njohur si artist, në botë është bërë i njohur si lideri që bashkëndjen me kombin në kohë lufte dhe si mbrojtës i vlerave europiane të rrezikuara nga agresioni i autoritarizmit.

Zelensky nuk manifestoi shenja frike e ligështimi. Ai nuk e braktisi skenën kur aty filloi tragjedia. Nëpërmjet simbolikës dhe diskursit të veçantë i dha botës leksionin sesi mbrohet liria. Pasi e di se fjalët e tepërta nuk kanë efekt, ai shërbehet me fjali të shkurtra, goditëse, sentenciale që mbeten në kujtesë.

Kur atij iu ofrua mundësia ta braktiste vendin, tha se kishte nevojë për armë dhe jo për udhëtime. Kur tha se dëshironte që fëmijët ukrainas të mbeteshin të gjallë, shumëkush nuk mundi t’i ndalte lotët. Përderisa kombi i tij përballet me një agresion të egër, ai thotë se e ka gjetur zgjidhjen e dilemës hamletiane: “Të jesh apo mos të jesh”. Zgjidhja është: “Është e qartë, ne do të jemi. Është e qartë, ne do të jemi të lirë”.

Botës i kërkoi ndihmë, por jo edhe mëshirë. E paralajmëroi se nëse pushtohej Ukraina, atëherë do të dështonte Europa.

“Mos hesht!” – tha ai.

Zelensky është bërë ndërgjegjja e Europës dhe një figurë frymëzuese jo vetëm për ukrainasit, por edhe për kombet tjerë.

Pavarësisht se çfarë do të ndodhë në Ukrainë, aty do të mbetet fryma e lirisë. Fryma nuk mposhtet as nga armët më moderne.

Kur botës do t’i rikthehet buzëqeshja dhe qetësia, atëherë Volodimir Zelensky, më shumë sesa aktor komedie, do të kujtohet si lideri i duhur në kohë lufte dhe tragjedie. Popujt, mbase, do të kërkojnë liderë sikurse ai. Pra, liderë që në kohë paqe punojnë për një shoqëri të lirë e demokratike, kurse në kohë lufte rreshtohen në anën e duhur të historisë dhe bëhen mbrojtës të kombit, duke qenë të gatshëm të sakrifikojnë për të.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button