Hannibal ante portas

Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, i cili filloi sot në mëngjes me aprovim të Putinit për një opearcion luftarak special në lindje, tregon qartë se Rusia kërkon ta shkruajë rishtazi përfundimin e luftës së ftohtë. Këtë akt të agresionit Putin e arsyeton duke thënë se Rusia është e rrezikuar nga Ukraina moderne, veçanërisht për shkak të tendencave të Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe statusit special që ajo e ka në lidhshmëri me këtë organizatë. Pra me fjalë tjera, agresori ankohet për sulm fiktiv ndaj tij dhe me këtë e arsyeton agresionin e tij. Ngjashëm si përalla me ujkun dhe qengjin ku ujku ankohet se qengji ia turbullon ujin e burimit të cilin ai e pi më lartë se qengji.

Komuniteti ndërkombëtar e dënoi ashpër sulmin agresor dhe të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës dhe premtoi kundërpërgjigje përmes sanksioneve serioze. Për momentin, janë sanksionet ekonomike ato që qëndrojnë në dispozicion, duke qenë se në aspektin e të drejtës ndërkombëtare penale, Rusia nuk është nënshkruese e Statutit të Romës dhe kjo e vështirëson procesin e vendosjes së përgjegjësisë juridiko-penale për këtë akt që duket qartazi që i përmbush kriteret e krimit të Agresionit të definuar pikërisht sipas Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Jorastësisht, janë pikërisht situata e ngritura nga ana e Ukrainës përpara kësaj gjykate ato që përfsqësojnë rastet e para të kërkimit të drejtësisë nga kjo gjykatë ndërkombëtare për akte të kryera në territor Evropian. Me fjalë tjera, jemi në vazhdën e një konflikti të përgjakshëm mu në mes të truallit Evropian, gjë që tregon edhe një herë sa e brishtë është e ashtuquajtura Pax Evropiana dhe sa shpejt një konflikt rajonal mund të jehojë ndërkombëtarisht. Ky është realiteti i ri në Evropë, realitet që i gjason shumë kohës kur Perandoria Romake, përfaqësuese e vlerave të atëhershme të një civilizimi evropian, është përballur me rrezikun që i ka ardhur tek porta përmes Hanibalit nga Kartagjena.

Ky realitet i sapokrijuar padyshim që do të studiohet thellësisht nga politikbërësit e UE-së të cilët deri më tani shpesh janë treguar neglizhentë ndaj ndikimeve ruse në rajon, e veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Një shikim i shpejtë i lajmeve të sotme e tregon qartazi situatën në Ballkan lidhur me simpatitë dhe antipatitë ndaj forcave ruse. Udhëhqësit shtetërorë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi e dënuan ashpër sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës të cilit i parapriu momenti i pranimit të pavarësisë të krahinave të dominuara nga ndikimi rus në Donetsk dhe Luhansk. Këto akte të agresionit dhe okupimit u dënuan ashpër pikërisht nga përfaqësues të forcave properëndimore në Ballkanin Perëndimor. Nga ana tjetër, Vuçiç dhe Dodik, nuk shprehën asnjë indinjatë dhe as që e dënuan aktin e agresionit rus ndaj Ukrainës. Kjo është gjithçka që duhet të dimë se si qëndron puna me ndikimet politike dhe gjeostrategjike në rajon. Deri sa të gjithë liderët e Ballkanit perëndimor u rreshtuan pas pakos së sanksioneve që Unioni Evropian do ti vendosë mbi Rusinë, Sërbia mbetet e heshtur, ndërsa Dodik haptazi deklaron që Serbia nuk duhet ta përkrahë këtë pako të sanksioneve ngaj Rusisë, apo thënë më mirë, vëllait të tyre të madh. Ironia qëndron në atë se nga të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, është pikërisht Serbia ajo që ka avansuar më tepër në rrugën e integrimit evropian, përkundër qëndrimeve të saja haptazi pro-ruse. Vendet tjera që u përballën me situata shumë të vështira, e të cilat gjithmonë kanë treguar qëndrime të qarta pro-evropiane, mbeten sot pas Serbisë në rrugën e integrimit evropian, në sallën e pritjes nga e cila nuk duket se do të lëvizin së shpejti.

Është e dhimbshme të shihet brishtësia e paqes në botë. Është poaq e dhimbshme të kujtohemi se sa me neglizhencë filloi ti konsiderojë UE-ja të gjitha ndikimet ruse në Ballkan. Proceset e integrimit në UE të vendeve me udhëheqësi proevropiane duket sikur nuk mbarojnë kurrë, dhe janë pikërisht këto forca progresive që mbahen në sallën e pritjes vite me rradhë. Ndërsa ndikimi i forcave të errëta që për një çast mund të shkatërojnë gjithçka lehet i lirë përmes kësaj neglizhence.

Nga ana tjetër, është një ndjenjë e jashtëzakonshme lehtësimi që tani shteti në të cilin jetojmë është i integruar në NATO. Sekretari gjeneral i kësaj aleance ushtarake Stoltenberg sapo deklaroi që NATO do ta mbrojë secilin centimetër të territorit të aleancës, dhe kjo është gjithçka që duhet të dimë për sigurinë tonë, të paktën për këtë moment. Të mos harrojmë qe vetëm para dy vitesh u anëtarësuam në këtë aleancë, edhe atë falë angazhimit të jashtëzakonshëm dhe të guximshëm lidhur me Marrëveshjen e Prespës. Sikur të kishte vazhduar realiteti i para vitit 2016, sot do të ishim në një pozitë krejtësisht tjetër, jashtë aleancës dhe tërësisht të ekspozuar ndaj ndikimit rus. Prandaj, sot kur me shqetësim i ndjekim zhvillimet në botë, nuk kemi si të mos jemi falenderues për ata që punuan në Marrëveshjen e Prespës, mbi të gjitha, kryeministrat e atëhershëm Zaev dhe Tsipras, të cilët e ndryshuan kahjen e zhvillimit të këtij shteti dhe na mundësuan një të ardhme shumë më të sigurt të cilën po e jetojmë tani. Kohërat kritike kërkojnë udhëheqësi të guximshme, por vendimet e guximshme në kohën e duhur i japin shtetit siguri ndërsa liderin që i mer ato vendime e bëjnë të jetë vizionar. As Zaev dhe as Tsipras tani më nuk janë në pushtet, por veprimi i tyre i duhur në kohën e duhur na bën sot të ndihemi më të sigurtë në këto kohëra të çuditshme e pa definim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button