Zylbeari: Dezinformatat rrënojnë demokracinë përmes krijimit të një kaosi ku askush asgjë nuk beson
CIVIL – Qendra për Liri “Në fokus”, organizoi debat virtual për rrëmujën e informacioneve, dezinformatat dhe propagandën, Elida Zylbearin nga Portalb.mk, profesoreshën Vesna Popovska dhe Toni Angellovskin nga MPB, gjatë debatit thanë që dezinformatat shkaktojnë kaos apo rrëmujë në informim, dhe që janë të dëmshme për një demokraci të shëndoshë, raporton Portalb.mk.
Kryeredaktorja e portalit informativ në gjuhën shqipe “Portalb.mk” Elida Zylbeari, tha se ligjet ekzistojnë vetëm se duhet të respektohen, dhe se askush nuk duhet t’u tregojë mediave se si të rregullohen.
“Ajo që gazetarët duhet të bëjnë është ta respektojnë kodin gazetaresk, kjo është më e rëndësishme dhe të bën gazetar, publiku di ku të lexojë e çfarë të besojë. Duhet të bëhet verifikim i fakteve edhe përmes organizatave që ekzistojnë, por edhe nga vet gazetarët. Pra, kemi mjaft ligje vetëm duhet t’i respektojmë. Askush nuk duhet të na tregojë si të rregullohemi, ne mediat vet ulemi dhe i caktojmë rregullat e funksionimit dhe mënyrën e veprimit tonë”, tha Zylbeari.
Sipas saj termi “lajme të rreme”, nuk është adekuat pasi nëse është “lajm” duhet të jetë i verifikuar, pra nuk mund të jetë i rrem, ndërsa “dezinformata” është term i duhur për t’u përdorur.
“Në Maqedoninë e Veriut zakonisht ndodh para zgjedhjeve, të hapen portale fiktive për të sulmuar kundërshtarët politik për të fituar pikë politike, por edhe për të fituar para nga KSHZ-ja. Por ajo që vlen të theksohet se dezinformatat në vendin tonë nuk shpërndahen vetëm nga faktorët e brendshëm, por edhe nga faktorë të jashtëm. Vendet që nuk e duan demokracinë e vendit tonë, angazhohen në provokime dhe shpërndarjen e dezinformatave, për të rrënuar demokracinë përmes krijimit të një kaosi ku askush asgjë nuk beson”, përfundoi Zylbeari.
Xhabir Deralla, nga CIVIL tha se dezinformatat apo kaosi informativ krijon erozion demokratik, sepse krijohen informacione të pa bazuara në fakte dhe argumente.
“Dezinformatat i kanë në shënjestër emocionet e njerëzve, posaçërisht frikësimin. Shembull, dezinformatat për mosvaksinim kishin qëllim frikësimin apo krijimin e pasigurisë te qytetarët për çështjen e vaksinimit. Ka pasur edhe dezinformata banale që kanë qenë edhe qesharake: vaksina Astra Zeneca i shndërron njerëzit në shimpanza. Njerëzit edhe në rast se nuk e kanë besuar këtë, kjo ka ndikuar që ata të krijojnë dilema që vaksina mund të mos jetë e sigurt, nëse jo shimpanze, diçka tjetër mund të ndodhë”, tha Deralla.
Profesoresha universitare Vesna Poposka nga Universiteti “Vizion” – Gostivar, tha se dezinformatat kanë etimologji nga Stalini, dhe çdoherë janë përdorur si instrument nga pushteti, që cilësohet edhe si sulm ndaj liberalizmit.
“Dezinformatat ishin më aktuale në pandemi, për vaksinimin, vërtetësinë e virusit. Gazetarët që nuk e kanë kontrolluar burimin e informacioneve, vetëm kanë publikuar lajme pa filtrim. Por, në përgjithësi Rusia funksionon shumë mirë në këtë aspekt dhe njihet si fabrikim i informacioneve jo të vërteta. Vetërregullimi i mediave nuk është i mjaftueshëm, sepse ndikimi i dezinformatave është shumë i dëmshëm. Portalet informative duhet të kenë përgjegjësi, sepse ka portale që funksionojnë dhe nuk kanë as emër e as burim se nga kush udhëhiqen, pra rregullimi i mediave duhet të bëhet në atë formë që të regjistrohet secili portal”, tha Popovska.
Ajo shtoi se mediumet duhet patjetër të kenë përgjegjësi, sepse mungesa e përgjegjësisë ndikon që dezinformatat të shtohen e të shpërndahen.
Ndihmësi i ministrit të Punëve të Brendshme i angazhuar për marrëdhënie me publikun, Toni Angellovski, tha se jemi shteti me numrin më të vogël të të vaksinuarve, si pasojë e dezinformatave masive. Ai përmendi rastin e grupit Lev Tahor, i cili po endet nga një qytet në tjetër, si pasojë e dezinformatave.
“Në Ohër është lajmëruar se do të ketë protesta për shkak se kanë shkuar një grup Lev Tahor, përderisa ishin në Kumanovë qytetarët edhe i kanë sulmuar, pra është krijuar një përshtypje e keqe për këtë grup për shkak të dezinformatave që janë plasuar në internet, sepse deri më tani nuk kemi asnjë rast kur këta kanë bërë diçka ndaj ndokujt, që nga momenti që kanë hyrë në shtetin tonë”, tha Angellovski.
Ai shprehi shqetësim serioz për këtë çështje, dhe tha se disa portale nuk kanë asnjë etik gazetareske, dhe krijojnë terren të përshtatshëm për shpërndarjen e dezinformatave. E kjo prish imazhin e gazetarëve profesionistë, qytetarët kur përmendin gazetar duhet të nënkuptojnë një personazh të mirë dhe intelektual, e jo persona që shpërndajmë dezinformata.
“Dezinformatat më shumë shpërndahen në kohë zgjedhjesh, referendumeve dhe luftrave, në kohën moderne armët më të forta janë dezinformatat. Pasoja më e madhe e dezinformatave është ulja e besimit ndaj institucioneve”, deklaroi Angellovski.
Ngjarja është e mbështetur nga Programi Civika Mobilitas, i financuar nga Agjencia Zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim.