EKONOMIA DHE ROMANI

 Suksesin që nuk ta siguron dot dashuria, ta siguron ekonomia. Ia del mbanë dhe vdes. Kjo është baza e modernitetit! 

Këto janë fjalët rezyme të veprës së tretë radhazi të Mustafa Özel-it në gjuhën shqipe, pas Leksione mbi administrimin (2020) dhe Politika në gjuhën e romanit (2021), ku analizohen rreth dyzet klasikë të pashmangshëm, si: Goethe, Defoe, Balzac, Dostojevski, Zola, Twain, Tolstoy, Unamuno, Ibn Tufejli, Tanpınar-i, Safa, Karakoç-i etj., në bazë të ndryshoreve “koha” dhe “paraja”.

Ekonomia në gjuhën e romanit është një tekst ku ndërthuret kreativiteti letrar me atë ekonomik, ku vihet në fokus lidhja mes romanit si “përpjekje për të shkruar një libër të ri të shenjtë” (Nihayet, 2018), si ligjëratë dialogjike dhe multilogjike dhe kulturës e frymës ekonomike moderne, ku shpërfaqet një pikëpamje kritike ndaj kapitalizmit si paradigmë dhe mënyrë jetese. Autori, një studiues me qasje multidisiplinare, që ndjek biznesin dhe tregun e ekonomisë reale, që përveçse në universitet zhvillon një veprimtari të ngjeshur edhe në institucionet intelektuale të pavarura, ka arritur të na japë një punim shumë origjinal me frymën e sociologjisë së ekonomisë dhe letërsisë; ku duke u nisur nga romani, trajtohet me një origjinalitet të veçantë historia dhe filozofia e mendimit ekonomik.

Pavarësisht ekonomisë së burimeve të kufizuara dhe nevojave të pakufishme të Bon Marche-së së dikurshme dhe qendrave tregtare të sotme, të industrisë së shfrytëzimit; pavarësisht teorisë ekonomike të përfitimit (Veblen), të konsumit masiv, Özel afirmon një ekonomi të përmbajtjes apo mjaftueshmërisë (kanaat ekonomisi); një ekonomi të etikës, të maturisë apo përkorjes; të ndarjes së të mirave me të tjerët, gjë që i ngjan asaj të Gesell-it te Rendi ekonomik natyror (1911). “Pasuritë që nuk ndahen me të tjerët e shkatërrojnë njeriun”, shkruan Michael Ende në romanin e tij Momo, vepër që merret në analizë nga Özel-i.

Përmes parasë së printuar, që është alkimi e jo para, ekonomia moderne ka krijuar vlerën pa punë (Goethe); magjistarët e financave që kontrollojnë liderët politikë, ku përpara shpikjes së mallit shpiken blerësit – pra, kjo lloj ekonomie ka nxjerrë kapitalistë që dinë të bëjnë llogarinë dhe konsumatorë që s’marin vesh asgjë në këtë drejtim. Kurse sjellja e njeriut të udhëhequr nga instinkti kafshëror ka shkaktuar shndërrimin e sistemit financiar në kumar. (Özel, 2020: 11, 75) Sipas autorit, në mendimin perëndimor “pushteti” ka zbritur nga qielli në tokë, duke kaluar më pas te “kapitali”. Rolin kryesor në këtë proces e luan “teknologjia moderne” (Kutlu, 2018), ku “sovraniteti popullor”, në fakt, ka marrë kuptimin “sovranitetit të parasë”; ku paraja si mjet tiranie sundon mendimin; ku ekonomia është shndërruar në një “makinë që vjedh kohën” e njerëzve. Autori shqyrton edhe vesin e kohës apo të brezit të ri, “pasionin me jetu pa punu”, ose jetesën pa djersë. Papunësia dhe e ashtuquajtura kohë e lirë sjellin vetëm telashe e të këqija. Atij që nuk punon i shkon mendja për punë të pista. (Gogol)

Kjo vepër, që pasuron bibliotekën e Logos-A dhe të lexuesve shqiptarë, është e vyer për ekonomistët që frymojnë me përkufizime e statistika, duke i nxitur që të bëjnë një shëtitje në një tjetër sferë, në atë të rrëfimit letrar, për të kuvenduar kësisoj me penat e mëdha të letërsisë dhe filozofisë, ku mund të gjejnë pjesën tjetër të diskursit ekonomik, që nuk përmendet pothuajse fare në tekstet e ekonomisë. Përveç kësaj, ky libër është i dobishëm edhe për romancierët/letrarët që nuk lexojnë mbi ekonominë, për studiuesit e sociologjisë e shumë profile të tjera. Një shtytje që vjen nga kjo vepër është për hulumtuesit shqiptarë, që të merren me tablonë dhe shpirtin ekonomik në rastin e romanit shqiptar.

Ekonomia në gjuhën e romanit e nxit lexuesin drejt një këndvështrimi tjetër për romanin, jo vetëm nga perspektiva e prehjes apo e shkëputjes së shpirtit/qenies nga ngarkesat e realitetit lëndor, por edhe në drejtim të njohjes së njeriut: për të kuptuar ato gjëra që na prekin thellë; për të gjetur zgjidhje racionale për probleme të ndryshme shoqërore; për të kuptuar kohën, ku sipas Defoe-së, “njerëzit duan të rriten të pasur dhe të jetojnë të lumtur”, ndërkohë që ndodh e kundërta: humbasin lumturinë duke vrapuar pas pasurisë.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button