Makina luftarake e propagandës ruse

Fuqitë e sotme botërore dhe ato të rangut të mesëm nuk varen më nga metodat klasike të luftës. Taktikat hibride, mashtrimi, dezinformimi dhe operacionet speciale, janë një ndër strategjitë ku Fuqitë e Mëdha mbështeten në sulmet ushtarake. Sot jemi dëshmitarë të një rreziku tjetër që i kanoset BE-së, hapësirës ish- jugosllave, shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore. ShBA dhe aleatët evropianë bashkë me ato të Ballkanit Perëndimor janë mobilizuar për tu mbrojtur nga sulmet ruse.

Javën që kaloi rusët ndërmorën disa sulme kibernetike kundër institucioneve të Ukrainës, duke paralizuar disa njësi të rëndësishme të Kievit. Kjo në fakt mund të jetë një prelud i operacioneve speciale ruse në jug-lindje të Ukrainës me një kombinim të metodave klasike dhe atyre moderne për të nisur pushtimin e Ukrainës nga të gjitha anët. Tash kur të gjithë flasin me një zë, në njërën anë forcat transatlantike nën drejtimin e ShBA-së dhe në anën tjetër Moska me mbi 180 mijë ushtarë, dilemat që lindin janë si do të duket Evropa dhe Ballkani pas “sulmit” rus.

E para, është se Rusia dhe agjencitë e zbulimit, përveç angazhimit në Ukrainë me anë të miqve dhe aleatëve rusë, mund të fillojnë trazira dhe sulme për të destabilizuar rajone me përbërje të përzier etnike dhe fetare. Mund të nisë nga vendet baltike, nga Polonia dhe të shtrihet deri në Ballkanin Perëndimor. Tash e tutje as shtetet e BE-së, shtetet kandidate dhe ato që kufizohen me Rusinë nuk do të kenë qetësi. Shkallëzimi i konfliktit në Ukrainë dhe eventualisht përleshjet e vazhdueshme të Fuqive të Mëdha në Evropë, mund të jenë të njëjta me luftërat “proxy” që ShBA dhe ish BRSS-ja i zhvilluan gjatë Luftës së Ftohtë.

Zyrtarë të rajonit kanë thënë se janë të sigurt nën ombrellën e NATO-s, po kjo nuk duhet të shihet si punë e kryer dhe të presin nga Uashingtoni dhe Londra për të siguruar mbrojtje ushtarake. Disa aktivitete anti- kibernetike, forcimit të rrjetit të kundërzbulimit dhe luftës ndaj dezinformatave, mund t’i bëjnë vetë shtetet e Ballkanit.

Ashtu siç kemi vënë në dukje në artikujt paraprak, qeveritë e Ballkanit Perëndimor të rreshtuara në bllokun transatlantik, duhet të tregojnë kujdes jo vetëm nga sulmet kibernetike ruse, por edhe nga vërshimi i grupeve dhe njësive speciale në Ballkan.

I dyti faktor është se, të njëjtat operacione mund të bëhen në koordinim me miqtë e Rusisë në Bosnjë, Kosovën Veriore, Mal të Zi apo edhe në Maqedoninë e Veriut. Duhet pranuar se Moska më gjithë këtë arsenal si vështirë do të kthehet prapa. Të vendosur për të luftuar dhe mbrojtur vendin janë edhe qytetarët e Ukrainës, të cilët kanë fituar mbështetje financiare dhe ushtarake nga NATO, ShBA, Britania e Madhe, Turqia dhe vendet tjera. Në rast se kriza do të shpërthejë në një konflikt të drejtpërdrejtë, Kosova dhe Bosnja mund të jenë në cakun e ardhshëm të veprimeve ruse dhe këtu nuk duhet nënvlerësuar njoftimet që vijnë nga NATO dhe aleatët për të gjithë skenarët e mundshëm. Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse Sergey Lavrov tha se mercenarë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja po marrin pjesë në Ukrainë për të luftuar Rusinë.

Makina luftarake e propagandës ruse po shtrihet me qëllim dhe për të lënë derën e hapur për Moskën në Ballkan. Rusia me veprimet e fundit në krahinat separatiste në Ukrainë, po tregon se përgatitjet për sulm nuk janë një mashtrim. Një ditë lajmet nga fronti lindor mund të bëhen të vërteta, duke bombarduar objekte civile ashtu siç ndodhi të premten duke sulmuar kopshtet e fëmijëve dhe shpërndarë frikë gjithandej Evropës.

Përhapja e konfliktit dhe vazhdimi i së njëjtës me luftëra të lokalizuara, do të ishte fundi i BE-së dhe fundosja e ëndrrës për një Ballkan në BE dhe në NATO bashkë me Ukrainën. Perëndimi dhe Rusia po kthehen ashtu si më parë- në fund të pranverës së vitit 1945.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button