“FROZEN HUMANITY”

Greqisht: παγωμένη ανθρωπότητα (pagoméni anthropótita). Shqip: njerëzillëk i ngrirë. Fjala humanitet nënkupton qeniet njerëzore kolektivisht, cilësinë e të qenët njeri, njerëzor, dashamirës ndaj të tjerëve. Fillimi i këtij muaji, përveç kërcënimit të krizës globale Rusi-Ukrainë, tronditi botën edhe me një rast rrëqethës, trishtues, dëshpërues, tregues i “nivelit qytetërimor” ku kemi arritur, i “filantropisë” (dashurisë ndaj njeriut) ballkanike, në të vërtetë, i humnerës ku ka rënë njeriu i shekullit XXI. Në veçanti një vend me histori të bujshme e të begatë, djepi i filozofisë, dashurisë ndaj urtisë, një kulturë që pretendon të jetë një nga shtyllat kryesore të qytetërimit europian: Greqia. Më saktë, qeveria, udhëheqësit, administratorët e tij, ushtria dhe forcat e rendit, politika greke. 19 migrantë nga vendet e krizës, nga Pakistani, Nepali, Afganistani, Siria, Afrika, vdiqën në Ipsala të Turqisë nga ngrica pas dëbimit dhe keqtrajtimit nga autoritetet greke, të cilat ndërkohë i kishin zhveshur, ua kishin marrë këpucët dhe rrobat këtyre njerëzve të pafat. Një organizatë që merret me shkeljen e të drejtave të njeriut në deklaratën e vet zyrtare shpalli se heshtja globale flet se ka ngrirë njerëzillëku, humaniteti ynë, se ka vdekur e drejta, se jemi shndërruar në njerëz që e shikojmë shkeljen e saj të pacipë e s’bëjmë gjë.

Edhe më trishtuese janë rrëfimet e të mbijetuarve nga ky kalvar: Rijad A. thotë se migrantëve që synonin jetë më të mirë, vendet europiane, tre ditë nuk iu ishte dhënë as ujë e as bukë. Siriani Enver J. me lotë në sy tregon se si ishin kapur nga ushtarët grekë, ishin rrahur, ua kishin marrë celularët, çantat, i kishin zhveshur dhe i kishin në atë gjendje, të lagur, në dysheme dhe batanije të njoma, ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre kishin dhënë shpirt, se edhe ai vetë kishte qenë para ngrirjes por kishte shpëtuar. Ndërkohë reagimi i politikës turke qe i ashpër: ministri i brendshëm Soylu, BE-në e cilësoi si të dobët dhe pa ndjenja humane, kurse palën greke e quajti bandite, vrasëse, gjakësore.

Nga ana tjetër, storja greke shfaqet e ndryshme: “Migrantët s’kishin arritur fare në kufirin grek”(ministri i Migrimit dhe Azilit, Notos Mitarachi). Greqia e etiketon Turqinë si “shtet pirat, si kontrollues të migracionit, si mosbashkëpunues në çështjen e migracionit, dhe thirr BE-në që ta detyrojë këtë vend t’i respektojë detyrimet ndërkombëtare dhe t’i ndalojë “udhëtimet e rrezikshme” (dangerous journeys).

Gazetarja e pavarur greke që jeton në Glasgow, Lena Karamanidou, që për vite të tëra monitoron lëvizjet migrative në kufirin greko-turk, pohon se diskursi politik grek mbi migracionin gjithherë ka qenë “armiqësor, nacionalist dhe racist”, se sentimenti kundër-migrant daton nga vitet 1980 dhe se kthimet e lindorëve nga lumi Evros janë intensifikiar dy vitet e fundit. DW flet për raporte të shumta mediale që dokumentojnë  zbythje të shumta të paligjshme nga pala greke, parregullsi në sistemin e azilit dhe dhunë policore kundër migrantëve. (Schmitz, 2022)

Shabi Mantoo nga UNHCR deklaroi se ky është një rast që “të dërrmon zemrën”. Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) u shpreh e tmerruar nga vdekjet e kumtuara. “Raportet për kthimin e njerëzve në lëvizje (migrantëve) në disa kufij evropianë dhe në shumë pjesë të botës janë jashtëzakonisht shqetësuese dhe duhet të hetohen dhe të ndërmerren veprime kundër tyre,” tha Safa Msehli, zëdhënëse e IOM-it. Ylva Johansson, komisionere e BE-së për Çështje të Brendshme rastin e ka cilësuar si “çështje apo shqetësim të madh” (great concern). Nils Muižnieks drejtor i Europës për Amnesty International’ ka pohuar se ka fakte të dokumentuara të dëbimeve kolektive të migrantëve nga autoritetet greke që nga viti 2013 deri më sot, të cilat shteti grek i quan politika rreth migrimit. Në këtë drejtim është shënuar dhunë, shtylla kurrizore, krahë të thyer, zhveshje. (The Guardian, 2.2.2022)

Neni 13 i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut thotë: “1. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së qarkullimit dhe banimit brenda kufijve të çdo shteti. 2. Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido vend qoftë, përfshirë këtu edhe të vetin, si dhe të kthehet në vendin e vet.” Sipas të drejtës ndërkombëtarë të Bashkimit Europian kthimi mbrapa i njerëzve që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare është veprim i paligjshëm.

Fotografitë nga Ipsala vërtet tmerruese, kataklizmatike. Trupa në skaj të rrugës, nëpër ara, pranë shtyllave elektrike. Njerëz gjysëm të zhveshur, pa fanella, pa çorapë. Pamje që të përkujtojnë rastin e Ajlanit të cilin para disa viteve dallgët e detit e nxorrën në breg që të jetë dëshmitar i ndërgjegjes njerëzore, i rënies në provim të kësaj qenieje të zgjedhur që nganjëherë di t’ia kalojë edhe botës shtazore më bëmat e veta rrëqethëse. 19 trupat e migrantëve do të varrosen në varrezat e anonimëve, të të vdekurve pa identitet, që të jenë dëshmi e përjetshme e turpit të shtetarisë patologjike, të njerëzishmërisë së ngrirë. Në “Rastin Ipsala” nuk ngrinë muhaxhirë, azilkërkues, të mallkuarit e botës, ngriu fytyra dhe ndërgjegja e një vendi të BE-së, humaniteti, ngriu njerëzishmëria. U konstatua edhe një herë se gjetjet sociologjike jo gjithherë vërtetohen në (ndër)veprimet njerëzore: grekët janë komb i cili krishterimin e ka gur themeltar të identitetit të vet; një ndër kombet më fetare në Europë (sipas PEW Research 2015-17, 92% e tyre besojnë në Zot, 93 % janë shprehur për të krishterë praktikantë), por në raportin me tjetrin kanë krijuar një ndjenjë ksenofobie të fuqishme. Pyetja që shtrohet është se si ka mundësi një njeri i cili beson në pohimin kristian se atij që kërkon këmishën duhet dhënë pallton, se atë që lyp nuk duhet kthyer (Ungjilli, Mateu 5, 38-48) të jetë kaq arrogant me njerëz të mjerë, që kriza, turbulencat dhe vuajtjet në vendin e vet i kanë bërë të pastrehë, të paujë e të pabukë, udhëtarë në askundnajë?  Para ca kohe njësitët kufitare greke përmbysnin varkat, anijet me gra e fëmijë, tani i lanë në mëshirë të dimrit, në qiellin e hapur, një dyzinë migrantësh! Sa trishtim! Faktikisht vranë aziatiko-afrikanët dhe veten në sytë e botës me ndërgjegje të gjallë, të pangrirë, që çmon pafundësisht bebzën e qenësisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button