Katër mitet e identitetit kombëtar shqiptar

Ndër autorët e huaj që kanë shkruar me kompetencë për Shqipërinë dhe shqiptarët bën pjesë dhe shkrimtari e historiani britanik i kohës sonë Noel Malcolm, që konsiderohet njohës i mirë i çështjeve ballkanike, në veçanti i çështjes shqiptare. Këtë e dëshmoi fillimisht me veprën “Kosova, një histori e shkurtër” (2001), që u vlerësua nga shqiptarët dhe bota perëndimore, kurse u sulmua ashpër nga qeveria dhe “studiuesit” pro-qeveritarë serbë, duke qenë se bie ndesh me pallavrat e tyre shekullore mbi Kosovën djep të Serbisë…

Po kaq i rëndësishëm është dhe libri “Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit” (2020), studimet e të cilit hedhin dritë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët – konvertimet fetare, politikën, personalitetet e njohura e të panjohura deri më tani, metodat shtypëse të pushtuesve otomanë, gënjeshtrat mbi shpërnguljen masive të serbëve nga Kosova në sh. XVII dhe mitet e identitetit kombëtar shqiptar.

Në vijim të këtij shkrimi, po ndalemi pak në studimin: “Mitet e identitetit kombëtar shqiptar”, të cilin Malcolm-i e ka ndarë në 4 pjesë: “Miti i Origjinës dhe Prioritetit”, “Miti i Homogjinitetit Etnik dhe i Pastërtisë Kulturore”, “Miti i Luftës së Përhershme Kombëtare” dhe”Miti i Indiferencës ndaj Religjionit”.

Studimi hapet me pikëpamjet e shprehura të autorëve shqiptarë në Amerikën e sh. XX, të cilat Makclolm-i i lidh me mentalitetit mitik në veprim, sepse, sipas tij: “ato nënkuptojnë ekzistencën e një ‘kombi’ thuajse të pakohë shqiptar, identitetin e tij që qëndron prapa ose përtej vetë historisë”.

Lidhur me mitin e origjinës…, Malcolm-i citon Konstandin Çekrezin – botuesin e revistës Illyria në Boston (1916), sipas të cilit: “Shqiptarët janë produkt i kombinimit të ilirëve të lashtë, maqedonëve dhe epirotëve, të cilët që të gjithë ishin pasardhës të pellazgëve akoma më të lashtë – popullit të parë që erdhi në Evropë”.

Të njëjtën bindje e shpërfaq publikisht edhe Kristo Dako – redaktori i gazetës Dielli Vatrës: “Shqiptarët ishin banorët autoktonë të Gadidhullit Ballkanik, të cilët e sunduan me mijëra vjet para se barbarët ta kalonin Danubin”.

 Malcolm-i citon dhe Fan Stilian Nolin, i cili më 1916 shkroi: “Shqiptarët janë të vetmit pronarë legjitimë të Shqipërisë. Ata e kanë zotëruar këtë tokë aq sa mbahet mend, shumë gjatë para se grekët dhe sllavët të vinin në Gadishullin Ballkanik”.

Të afërt me mitin e origjinës Malcolm-i e sheh dhe mitin e homogjenitetit etnik dhe pastërtisë kulturore. Historiani britanik këtë e konsideron qëndrim të pambrojtshëm, sepse: “Asnjë popullsi ballkanike s’ka mbetur në enë të papërshkueshme uji, dhe se të gjithë kanë kaluar përmes gjithfarëlloj ndërpërzierjesh etnike”. Gjithnjë sipas tij edhe gjenet e shqiptarëve, edhe gjuha, kultura dhe mënyra e të jetuarit jënë pikëluar nga popujt me të cilët kanë ndarë jetën në periudha të gjata historike.

Edhe lidhur me mitin e luftës së përhershme për mbrojtjen e identitetit kombëtar nga të huajt, Malcolm-i u referohet të dhënave të autorëve shqiptarë: shkrimit të  K. Çekrezit për luftërat e pandalshme të stërgjyshërve tanë me romakët, me osmanët e me pushtuesit tjerë; me“Memorandumit” të cilin Fan Noli ia dorëzoi më 1918 presidentit  Woodrow Wilson, ku thuhej se shqiptarët qenë të fundit që iu dorëzuan turkut, pa iu përulur kurrë….; raportit të Ismail Qermalit, ku thuhet se: Edhe pas vdekjes së Skënëdrbeut, shqiptarët  nuk hoqën dorë nga dëshira për pavarësi. Ata e ndihmuan Perandorinë Osmane me qëllim të përfitimit nga fuqia e saj, por kur e panë se ajo po shkon drejt rrënimit, u ngritën për të shpëtuar vetveten…; artikullit t Faik Konicës të vitit 1911, në të cilin shkroi: “Do të doja të prishja çfarëdo lidhje mes Shqipërisë dhe Turqisë, t’i zhdukja sa më larg që është e mundur pasojat e pushtimit, si dh eta lidhja të tashmen me të kaluarën duke mundësuar që vendi im ta vazhdojë zhvillimin e saj të natyrshëm, aty ku qe ndërprerë nga pushtuesit eë huaj”.

Të gjitha këto qëndrime, studiuesi N. Malcolm i konsideron si qasje mitike, sepse një histori gjysmëmijëvjeçare nuk mund të zhbëhet sikur fare të mos kishte ndodhur…

Qëndrime të mendësisë mitike të publicistëve shqiptarë në Amerikë, historiani i shquar i konsideron dhe ato për indiferencën e shqiptarëve ndaj religjionit. Malcolm-i përmend të dhënën se shqiptarët gjatë shekujve kanë dhënë mjaft besimtarë të devotshëm, myslimanë e të krishterë dhe kjo dëshmon të kundërtën e mitit mbi indiferencën e tyre fetare. Sipas tij, këtë mit e ushqejnë përzierjet e dukurive të ndryshme, si: sinkretizmi i praktikave popullore fetare; kujtesa e gjallë për besimin e të parëve (nderimi nga shqiptarën muslimanë e shenjtorëve të vesë së mëhershme, si Shën Gjergji dhe Shën Mitri); praktika normale e burrave muslimanë që martoheshin me gra të krishtera pa iu kërkuar konvertimin në Islam; toleranca e bektashinjëve, që K. Çekrezi e përshkroi si “element protestantr të islamizmit”; dukuria e rallë e kripto-krishterimit; sistemi shoqëror i anëtarëve të fiseve të Shqipërisë Veriore (besnikëria e tyre ndaj fisit, që kishte prioritet mbi cilëndo ndarje të fisit në degë katolike dhe muslimane) dhe faktorë të tjerë që shumëkushi i ngatërron me sindromin e vetëm të “indiferencës”.

Studimin mbi katër mitet e identitetit kombëtar shqiptar, Noel Malcom-i e mbyll me shkrimin e Tajar Zavalanit, të cilin e konsideron më shpalosësin e strukturës mitike të të menduarit që kishte provuar ta përshkruajë në esenë e tij. Për kërshërinë tuaj, po e sjell një pjesë të shkrimit të T. Zavalanit:

“Shqipëria nën sundimin osman u zhvillua në një drejtim tërësisht të kundërt nga ai që kishin marë popujt e tjerë ballkanikë. Arsyeja mund të jetë se shqiptarët qenë formuar shpirtërisht nën paganizmin romak, i cili u ishte shtuar traditave pagane të ilirëve. Për ilirët, zhvillimi i vetëdijes kombëtare nuk ishte kanalizuar përmes pranimit të krishterimit. Kështu, që prej kohëve të lashta, të menduarit dhe aktivitetet shoqërore të shqiptarëve karakterizoheshin nga një ndarje e qartë mes fesë dhe kombësisë”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button