Petkovi-Radevit: Vizita nuk ishte e nxituar, por tepër e vonuar – shumë forca në Ballkan nuk duan që RMV të jetë pjesë e BE-së

Vizita në Maqedoninë e Veriut nuk ishte e nxituar, por “tmerrësisht shumë e vonuar”, ka reaguar kryeministri bullgar Kiril Petkov ndaj deklaratës së presidentit bullgar Rumen Radev se vizita e tij në Shkup ishte e nxituar, transmeton Portalb.mk.

“E vërteta është se Bullgaria ka humbur 30 vjet në ato marrëdhënie. Vizita ime jo vetëm që nuk është e nxituar, por edhe tmerrësisht e vonuar. Jo unë si kryeministër, ajo ishte e vonuar pasi pala bullgare duhet të ketë një qëndrim aktiv, të ketë një ton konstruktiv veprimi, të ketë qëllime të qarta dhe qasjen e duhur”, tha Petkov.

Ai u ankua që Bullgaria kishte humbur kaq shumë vite, duke thënë se nuk mund ta shtynte vizitën për as edhe një ditë.

“Siç e patë, atë e bëra një ditë pas emërimit të kryeministrit të ri të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Besoj se nëse nuk duam që Ballkani të mbetet pjesa më e varfër dhe më e korruptuar e Bashkimit Evropian, qasja duhet të ndryshojë. Kjo duhet të bazohet në fqinjësi të mirë, zhvillim ekonomik dhe punë të përbashkët. Nuk mund të debatosh me fqinjin dhe të mendosh se është mirë”, tha Petkov.

Në pyetjet e gazetarëve se a nuk është shumë i sigurt në gjithë këtë, duke pasur parasysh se kryetari i RMV-së priti anëtarët e OBM Ilinden, Petkov tha se shumë forca të tjera do të përpiqen ta pengojnë procesin.

“Fakt është që në Ballkan ka shumë forca që nuk duan që RMV-ja të jetë pjesë e BE-së. Pse nuk duan? Sepse Ballkani i paqëndrueshëm në këtë situatë gjeopolitike u jep përparësi vendeve që nuk mendojnë mirë. Por, prej tani le të mos justifikohemi me shtetet e huaja, por le të përveshim mëngët dhe të kryejmë punën. Edhe nëse e bëjmë atë në mënyrën e ‘vjetër’, pengohemi, e nëse nuk është ashtu siç duam, nuk do të jetë ndryshe dhe do të qëndrojmë aty ku jemi, përkatësisht në pikën më të ulët”, tha Petkov.

Ai nuk pranoi të komentojë pritjen e OBM Ilinden nga presidenti Stevo Pendarovski, duke thënë se “është mirë që politika e jashtme e Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut varet nga kryeministri dhe qeveritë e dy vendeve”.

Presidenti bullgar Radev dje paraprakisht vlerësoi vizitën e Petkovit në Maqedoni si të nxituar, duke sqaruar se çdo veprim i nxituar i qeverisë bullgare, çdo sinjal paraprak pozitiv mund të keqinterpretohet si disa lëshime nga pala bullgare.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Dellçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button