Në ShGM është formuar seksion për gazetarët e rinj

Dje, me iniciativë të një grupi gazetarësh të rinj nga disa media të ndryshme, u formua seksioni i gazetarëve të rinj në Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

“Në mbledhjen, në të cilën kishte rreth dyzet pjesëmarrës, u debatua se cilat do të jenë prioritetet dhe synimet e këtij seksioni në vitin 2022. Rrjetëzimi mes redaksive, përmirësimi i statusit socio-ekonomik të gazetarëve të rinj, ngritja e aftësive për raportim të avancuar dhe respektimi i standardeve në fushën e gazetarisë ishin disa nga temat për të cilat u bisedua në forum”, njoftojnë nga Shoqata.

Në ngjarje, me fjalë përshëndetëse foli kryetari i ShGM-së, Mlladen Çadikovski, Sashka Cvetkovska, e cila është koordinatore e iniciativës për themelimin e Seksionit të gazetarëve të rinj në SHGM.

“Qëllimi i krijimit të seksionit para së gjithash është që të afirmohet gazetaria si profesion atraktiv, pasi sot ka gjithnjë e më pak interes për të njëjtën dhe shumë redaksi po përballen me problem serioz për gjetjen e gazetarëve. Përveç kësaj, seksionet synojnë të ndërtojnë solidaritet më të madh në profesionin e gazetarisë dhe të avancojnë më tej njohuritë si profesionistë në këtë sektor”, tha Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv i ShGM-së.

Krahas popullarizimit, nga ShGM thonë se seksioni në të ardhmen, përmes ngritjes së kapaciteteve do t’u mundësojë gazetarëve të rinj që të kenë mundësi të dëgjojnë përvoja nga mediat tjera dhe pasqyrë historike se si kanë ndryshuar gjërat, si dhe t’i afrohen standardeve profesionale dhe vijave të kuqe ne profesion.

“Një nga qëllimet strategjike të ShGM-së dhe me rëndësi të veçantë në formimin e këtij seksioni iniciativë është ngritja e kapaciteteve dhe përmirësimi i kushteve të punës në redaksi. E një rëndësie të madhe është edhe përmirësimi i bashkëpunimit të gazetarëve të rinj me kolegët e tyre më me përvojë në redaksi. Një bashkëpunim i tillë do të kontribuojë në përfshirjen më aktive të të rinjve në krijimin e një ambienti profesional për punën e gazetarëve”, theksojnë nga ShGM.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button