“Mjaft më me politikë, kthehem në profesionin tim”, Filipçe, tërhiqet nga politika

Ministri aktual i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një deklaratë për TV24, ka theksuar se menjëherë pas mbarimit të rikonstruimit të qeverisë, gjegjësisht zgjedhjes së qeverisë së re, ai do të kthehet në profesionin bazë të neurokirurgut në Klinikën për Neurokirurgji, njofton Portalb.mk.

“Kjo ishte përvojë e madhe, por mjaft nga politika – kthehem në profesionin tim bazë si neurokirurg në Qendrën Klinike”, deklaroi Filipçe.

Në pyetjen nëse mendon që të angazhohet si ambasador, ose angazhim tjetër në politikë, thotë se diçka e tillë nuk është opsion dhe se tani nuk mendon në atë drejtim.

Kujtojmë se, pas paralajmërimit për dorëheqje të Zaevit, vendi u fut në krizë politike, pasi pas kësaj, opozita maqedonase dorëzoi iniciativë për votim të mosbesimit të Qeverisë, ndërsa në listën e kësaj iniciative ishin nënshkruar edhe deputetët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Lëvizjes Besa dhe “Të majtës”, me çka ishin siguruar 61 deputetë për rrëzim të Qeverisë. Funksionarët e Lëvizjes BESA, në këtë rast dhanë dorëheqje nga pozitat në Qeveri. Por, deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi nuk u paraqit në seancën ku duhej të diskutohej dhe të votohej për mosbesimin e Qeverisë, me çka opozita nuk arriti të sigurojë kuorum as për të filluar seancën dhe me këtë, mocioni dështoi.

Pas kësaj, dështimit të votëbesimit, shumica parlamentare paralajmëroi rikonstruim të Qeverisë dhe zgjerim të shumicës parlamentare. Partia opozitare Alternativa hyri në bisedime me kryeministrin Zoran Zaev për t’iu bashkëngjitur Qeverisë. Alternativës iu premtua Ministria e Shëndetësisë dhe e Shoqërisë Informatike, por edhe drejtori tjera. Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi dhe kryeministri Zoran Zaev, nënshkruan marrëveshje koalicioni.

Në vend të Filipçes, emri më i përfolur është Bekim Sali, i cili ishte kandidat për kryetar të Komunës së Çairit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button