Omerta

Në çdo organizatë kriminale ka dy ligje absolute: Omerta dhe Vendeta. Omerta përcakton ligjin e heshtjes. Pjesëtarët e organizatës kriminale zotohen se do ti mbrojnë me jetën e tyre sekretet e saj. Gjithçka që ndodh brenda organizatës konsiderohet sekret dhe nuk nxirret jashtë. Pjesëtarët e organizatës janët të obliguar të punojnë sipas ligjit të heshtjes. Në rast të kundërt, vjen në shprehje Vendeta, apo ligji i hakmarrjes. Ata që nuk e respektojnë heshtjen, do të heshtin përgjithmonë.

Në momentin kur ligji Omerta fillon të shkilet ndërsa Vendeta nuk ndodh, atëherë kjo është shenjë e qartë që organizata kriminale ka filluar të shpartallohet dhe familja nuk funksionon si më parë. Sepse lidhjet mes pjesëtarëve të organizatës janë shpesh më të ngushta bile edhe se lidhjet familjare. Në momentin kur familjarët fillojnë të flasin për njëri-tjetrin, ajo familje më nuk është familje. Mundësia tjetër që mbetet është të zgjidhet një kryefamiljar i ri dhe të vendosë sërish rrendin absolut të Omerta-Vendetës.

Me gjithë përpjekjet e mëdha të rruajtjes së pushtetit nga egzili, duket sikur penjtë e marionetave të kryefamiljarit, azilantit politik në Hungari, kanë filluar të lirohen. Në seancat e gjykimit për rastin “Parcelat në Vodno”, njerëzit më të afërt dhe më të besuar të Gruevskit, praktikisht dora e djathtë dhe e majtë, filluan të nxjerrin informata që nuk janë dëgjuar më parë për parcelat e blera me paratë e donacioneve të partisë dhe për sefat e mëdhenj ku janë mbajtur paratë kesh në parti. Kjo është shenjë e qartë që Omertën ka filluar ta marë lumi. Përveç që është e qartë, kjo gjë është e kuptueshme, bile edhe paksa e vonuar. Deri sa Jankullovska e vuan tash më dënimin në Idrizovë dhe është e akuzuara kryesore në shumë raste tjera, derisa Protogjer dhe shumë të tjerë ballafaqohen çdo ditë me gjykime, “ish-kryefamiljari” i partisë së tyre vazhdon i patrazuar jetën në Budapest, ku bile vazhdon të mbledhë poena politike dhe sipas shumë gjasave, të komplotojë që atje pa sukses për ndryshim të pushtetit dhe rivendosje të rendit të dikurshëm autoritar. Ushtarët që i la pas “komandati” i arratisur janë lodhur si duket nga kjo situatë ku ata duhet të përballen me dënimet ndërsa maja e piramidës të vazhdojë ta shijojë jetën në liri. Kështu që është më se e kuptueshme që bilbilat kanë filluar të cicërrojnë, pa çka se i afrohemi dimrit.

Herët a vonë, të keqes i vjen fundi. Në librin “Më beko, Ultima” të Rudolfo Anaya-s, Ultima, që është një personazh markant, thotë: “Mjafton një grimcë e së mirës për ta shkatërruar gjithë të keqen e botës. Mirësia është gjithmonë më e fuqishme se e ligësia.” Shumë njerëz, nga mungesa e besimit, i kanë dhënë mundësi ligësisë të sundojë për shumë gjatë, aq gjatë sa ligësia duket shpesh si e paprekshme. Por nuk është ashtu: ligësia mund të shembet me një fjalë.

Për këtë arsye, në Kodin Penal është paraparë mbrojtje dhe përkrahje për ata që do të vendosin të bashkëpunojnë me drejtësinë. Sepse të bashkëpunosh me drejtësinë dhe t’i kundërvihesh ligësisë, nuk është gjithaq e lehtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button