Pas dënimit me kusht për aksidentin e trafikut në Ohër në të cilin jetën e humbën dy djem, kërkohet drejtësi për Ivanin dhe Milanin në ditën botërore për kujtim të viktimave nga aksidentet e trafikut

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Ohrit, me të cilin i akuzuari për aksidentin e trafikut, në kryqëzimin e hotel Inex në të cilin vitin e kaluar humbën jetën dy të rinj nga Manastiri, është dënuar me 4 vjet me kusht dhe 3 mijë euro gjobë shkaktoi revoltë dhe dënim jo vetëm të publikut, por edhe të ministrit të drejtësisë Bojan Mariçiq. Miqtë dhe familjarët e djemve të ndjerë kërkojnë drejtësi nëpër rrjetet sociale, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

“Gjykata Themelore në Ohër ka sjellë aktgjykim me të cilin njeriu i cili i vret shokët mi dhe i lëndoi rëndë tri vajzat është dënuar me 4 vjet burgim me kusht dhe duhet të paguajë një gjobë prej rreth 3 mijë euro. Nëse i lexoni pasojat e një aksidenti automobilistik: dy të vdekur dhe tre të plagosur rëndë që ende po luftojnë me pasojat pas një viti dhe i krahasoni me vendimin, nuk mund të mos i bëni vetes pyetjet e mëposhtme: A pasqyron ky aktgjykim drejtësinë, a është drejtësi ajo që takon sipas ligjit? Çfarë mesazhi dërgon gjykata me vendime të tilla? Si ndikojnë gjykimet e tilla në vetëdijen ose nënvetëdijen e atyre që kanë prirje për sjellje të tillë në trafik? Një person ka vendosur të vë bast jetën, duke vozitur drejt Shën Naumit me shpejtësi dy herë më të madhe se ajo e parashikuar në atë rrugë, duke luajtur bixhoz jo vetëm me jetën e  tij, por edhe me jetët e të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e trafikut në atë rrugë, atë natë. Shkaku i një fatkeqësie të madhe, makina me shpejtësi e godit makinën në të cilën ndodheshin dy nga miqtë e mi dhe tre vajza. Të dy humbin jetën. Ivani iu nënshtrua lëndimeve të rënda atë natë, kurse Milani pas një beteje njëmujore në KARIL. Tri vajzat Stasha, Isidora dhe Despina kanë pësuar dëmtime të rënda nga të cilat janë duke u rikuperuar edhe sot e kësaj dite. Kërkoj drejtësi për Ivanin, Milanin, Isidorën, Stashën dhe Despinën! Kërkoj drejtësi për të gjithë ata që janë gjetur në situata të ngjashme gjatë gjithë jetës së tyre”, ka shkruar Stefan Miceski, shok i djemve të ndjerë.

Stasa Bozinovska, një nga vajzat që i mbijetoi aksidentit të tmerrshëm automobilistik, duke rrëfyer aksidentin, thotë se “dhimbja për Ivanin dhe Milanin nuk do të largohet kurrë, do të duhet të mësojmë të jetojmë me të. Dhe që të mundemi, kërkojmë drejtësi!”

“Po përpiqem të kuptoj e të mos zemërohem. Është e vështirë, por po përpiqem. Por njeriu, një institucion që duhej të na jepte mbështetje, jo vetëm mua, por të gjithë të prekurve nga aksidenti fatal, më/na tradhtoi. Gjyqtari Bojan Martinoski nga Gjykata Themelore në Ohër na tradhtoi. Na i vrau shokët tanë për herë të dytë, e bashkë me ta edhe familjet e tyre edhe ne”, thuhet në një postim të saj.

Edhe ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, ka reaguar në rrjetet sociale për vendimin me kusht për aksidentin automobilistik në Ohër.

“Si ministër i Drejtësisë, por mbi të gjitha si person dhe prind, nuk mund të jem indiferent ndaj vendimit të gjykatës, e cila dënoi me kusht për aksidentin në Ohër ku humbën jetën dy djem dhe u plagosën rëndë tre vajza. Pres një vendim të drejtë të gjykatave më të larta, ndërsa Këshilli Gjyqësor ta ndjekë nga afër të gjithë çështjen”, ka shkruar Mariçiq në Facebook, duke njoftuar sot se po punohet për futjen e një vepre të re “Drejtimi i automjetit në mënyrë të pakujdesshme” në Kodin Penal.

“Kërkoj drejtësi për të gjithë ata që janë gjetur në situata të ngjashme gjatë gjithë jetës së tyre”, ka shkruar Stefan Miceski, shok i djemve të ndjerë.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ohër është miratuar më 20 tetor dhe pas ankesës pritet vendim nga Gjykata e Apelit në Manastir.

“Sa i përket masës së dënimit është mendim i gjyqtarit, por për këtë ka shkallë të dytë dhe mundësi për ankim. “Për këtë rast do të vendos ankesa”, tha kryetari i Gjykatës Themelore në Ohër, Vasil Batkoski.

Në aksidentin e rëndë trafiku i ndodhur më 16.08.2020 në rrugën magjistralen Ohër – Shën Naum, kanë marrë pjesë tri vetura Citroen dhe Golf me targa të Ohrit dhe Volkswagen Passat me targa të Prilepit. Në të kanë humbur jetën dy djem 27 vjeçarë nga Manastiri, ndërsa janë lënduar rëndë tre vajza nga Manastiri, Shkupi dhe Struga. Njëra prej vajzave ishte në koma për 200 ditë.

Ndryshe, sot është Dita Botërore e përkujtimit të viktimave të aksidenteve në trafik. Çdo vit, 1,3 milion njerëz në mbarë botën vdesin në aksidente rrugore dhe 20 deri në 50 milionë lëndohen. Si pasojë e aksidenteve në komunikacion, çdo ditë vdesin mbi 3.500 persona, pra çdo 25 sekonda një person humb jetën në aksident trafiku. Sipas statistikave, shumë nga viktimat dhe të lënduarit në aksidente trafiku janë fëmijë dhe të rinj. Në nivel botëror, rreth 400.000 të rinj nën moshën 25 vjeç vdesin çdo vit në aksidente trafiku, ose rreth 1.,100 të rinj në ditë.
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR) apelon që të zvogëlohen statistikat e zeza të rrugëve dhe të bëhet trafiku më i sigurt, duke u nisur nga gabimet dhe sjelljet në komunikacion.

“Është koha të zgjojmë vetëdijen dhe t’i themi ndal vdekjeve në rrugë” tha KRSKRR.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button