Maqedonia e Veriut sot fillon skriningun për Kapitullin 25 – Shkenca dhe kërkimi
Sot në Bruksel, Maqedonia e Veriut do të fillojë skriningun dypalësh me Bashkimin Evropian (BE) për Kapitullin 25 – Shkenca dhe kërkimi, i cili është pjesë e grupit të tretë “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, transmeton Portalb.mk.
Delegacioni do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, i cili është edhe negociatori kryesor me BE-në.
“Procesi i skriningut po shkon pa probleme. Jemi pothuajse në gjysmë të rrugës së zbatimit të tij dhe sipas kalendarit të përcaktuar duhet të përfundojë deri në fund të nëntorit. Skriningu shpjegues dhe dypalësh është kompletuar plotësisht për dy grupe kyçe: Klasterin 1 ‘Vlerat Themelore’ dhe Klasterin 2 ‘Tregu i Brendshëm’. “Është duke u zhvilluar skrining dypalësh për klasterin e tretë, “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, për të cilin tashmë ka përfunduar skriningu shpjegues”, tha Sekretariati për Çështjet Evropiane (SEP).
Paralelisht, shtojnë nga atje, mbyllën edhe skriningun shpjegues për klasterin e katërt, “Agjenda e gjelbër dhe politika e transportit”.
Siç njoftoi SÇE, Zëvendëskryeministri do të shfrytëzojë vizitën njëditore të punës në Bruksel për të zhvilluar takim koordinues me Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Michela Matuella, ndërsa do të takohet edhe me Simon Mordew, këshilltar për politikë të jashtme të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.
Çfarë është procesi i skriningut?
Skriningu paraqet operacion formal me karakter teknik që realizohet nga ana e Komisionit Evropian dhe ka për qëllim përgatitjen e mirëfilltë të bisedimeve për anëtarësim që në esencë paraqet prezantim analitik të gjendjes në vendin kandidat që ka të bëjë me sferat e interesit nga e Drejta e Unionit Evropian.
Si proces, ai ka për qëllim që në njërën anë të mundësojë që Komisioni dhe vendet anëtarë të vlerësojnë në mënyrë korrektë shkallën e përgatitjes për bisedime të vendeve kandidat, dhe në anën tjetër të njëjtët të jenë të informuar në mënyrë të mirëfilltë për planet e tyre të ardhshme si dhe të firojnë ose marrin drejtime apo të dhëna preliminare lidhur me çështjet ose pyetjet që do të jenë më aktuale gjate negociatave.
Skriningu zakonisht zgjat një vit dhe i njëjti realizohet në bazë të një orari ose agjende të përgatitur nga ana e Komisionit apo Drejtorisë së përgjithshme për zgjerim në konsultim me drejtori të tjera kompetente. Aktiviteti realizohet në sipas sferave apo kapitujve.
Në këtë drejtim, së pari mbahen takime dhe mbledhje që kanë të bëjnë me sqarime, në të cilat përfaqësuesit e Komisionit në mënyrë të detajuar bëjnë prezantimin e të Drejtës Evropiane ndërsa më pas mbahen takime bilaterale me secilin shtet.
Më pas Komisioni përgatit raport për Skriningun e realizuar të cilin ia prezanton Këshillit. Pas përmbylljes së Skrining-ut të sferave apo kapitujve të caktuar, me rekomandimin e Komisionit, Këshilli vendos për kohen e fillimit të bisedimeve.
Raporti i Skriningut përmban katër pjesë:
- Sqarim dhe shpjegime lidhur me të drejtën e Unionit Evropian që përmban kapitulli në fjalë,
- Rezultatet nga Skrining-u, me informata të dhëna nga ana e vendit kandidat , dhe vlerësimin e bërë nga ana e Komisionit,
- Konkluzione dhe sugjerime nga Komisioni,
- Në pjesën e fundit, Komisioni i sugjeron Këshillit nëse duhet të fillojnë bisedimet për sfera të caktuara dhe nëse jo-cilat janë rregullat që duhet të përfillen dhe kushtet të cilat duhet të plotësohen.
Skriningu sqarues për klasterin e katërt filloi të mërkurën me kapitullin 14 “Politika e transportit”, dje vazhdoi me kapitullin 15 “Energjia” dhe 21 “Rrjetet trans-evropiane” ndërsa skriningu sqarues për kapitullin 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike” përveç se sot do të vijojë edhe ditën e hënë.
Procesi i skriningut shpjegues për klasterin e katërt, tani e tre ditë ndiqet nga disa gazetarë nga vendi të cilët kanë udhëtuar në Bruksel përmes projektit “Mbështetja Nordike për Progresin e Maqedonisë së Veriut” për të përmirësuar komunikimin për procesin e anëtarësimit në BE, vlerat dhe përfitimet e tij.
Pjesëmarrës është edhe gazetari i Portalb.mk– Fisnik Xhelili. Projekti është bashkëpunim i përbashkët i UNOPS-it dhe Sekretariatit për Çështje Evropiane, mbështetur nga Qeveria e Suedisë.
Gazetarët në këto tre ditë, në Bruksel në institucionet e BE-së dhe Misionit të Maqedonisë së Veriut në BE, kanë pasur takime me zyrtarë, diplomat nga BE-ja dhe vendi, me të cilat janë diskutuar tema të ndryshme për sfidat në lidhje me procesin eurointegrues të vendit.
Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Kjo erdhi pas arritjes së propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.
Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.
Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.
Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.
Më shumë lajme në lidhje me procesin e skriningut gjeni duke klikuar KËTU.