Maqedonia e Veriut e hapi Klasterin e katërt të Skriningut shpjegues (Video)

­Maqedonia e Veriut sot në Bruksel hapi kapitujt  14- “Politika e transportit” dhe 21- “Rrjetet trans-evropiane” nga Klasteri 4, “Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme” të Skriningut sqarues, shkruan Portalb.mk.

Takimi sqarues i Skriningut u hap nga kryenegociatori dhe zëvendës kryeministri i Qeverisë për Çështje Evropiane- Bojan Mariçiq, ndërkaq prezente ishte edhe zëvendës kryenegociatorja e Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe sekretarja shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane Drita Abdiu-Halili.

Mariçiq deklaroi se mirëpresin synimin e Komisionit Evropian për të bërë përpjekje shtesë për zhvillimin e një korridori të ri të transportit evropian në Ballkanin Perëndimor.

“Këtu ne kemi se çfarë të themi, por edhe kemi shumë për të bërë. Maqedonia e Veriut është shtet i kyçur në bashkësinë transportuese, si të gjithë vendet e Ballkanit perëndimor. Marrim pjesë edhe në bashkësinë energjetike edhe transportuese përmes iniciativës së procesit të Berlinit. Ky është praktikisht një afrim i vendeve të Ballkanit perëndimor në korridoret evropiane. Marrim pjesë në dy korridore të rëndësishme evropiane. Korridori 10 që është plotësisht i kompletuar dhe mund të plotësohet në periudhën e ardhshme dhe korridorin 8 ku punojmë intenzivisht. Rrjeti Trans-evropian i Transportit identifikon korridoret prioritare dhe fushat tematike të Infrastrukturës së Transportit Trans-Evropian dhe jep udhëzime për projekte të rëndësishme. Ne mirëpresim synimin e Komisionit Evropian për të bërë përpjekje shtesë për zhvillimin e një korridori të ri të transportit evropian në Ballkanin Perëndimor”, tha Mariçiq.

Ai informoi për disa hapa të caktuar të ndërmarrë në këtë sektor gjatë viteve të kaluara, siç është përparimi në sferën e Nismës BE-Ballkani Perëndimor për Shiritin e gjelbër, duke cekur se vendi i bështetë korridoret e gjelbra në rajon dhe jemi tërësisht të përkushtuar në këtë proces.

“Më 7 korrik të vitit 2022 në Selanik është nënshkruar Memorandumi për mirëkuptim për këmbim elektronik të të dhënave mes Drejtorisë së doganave të Maqedonisë së Veriut dhe Drejtorisë së përgjithshme për Dogana dhe akciza të organit të pavarur për të ardhura publike të Greqisë. Ai siguron bazë ligjore për aktivitete të mëtutjeshme në fazën e parë të procesit të zgjerimit të korridoreve të gjelbra drejt vendeve-anëtare të BE-së. Pas nënshkrimit të Memorandumit, Maqedonia e Veriut njëanshëm filloi të sigurojë të dhëna për Greqinë përmes sistemit SEED+”, tha Mariçiq.

Çfarë nënkupton Kapitulli 14?

Kapitulli 14- Politika e Transportit mbulon sektorët si: trafikun rrugor, hekurudhat, rrugët ujore të brendshme, transportin e kombinuar, aviacionin, transportin detar, ndihmën shtetërore dhe navigimin satelitor. Acquisi është një grup politikash që synojnë ruajtjen e ekonomisë së BE-së përmes ndërtimit dhe mirëmbajtjes së një rrjeti modern infrastrukturor, i cili do të plotësojë nevojat për lëvizshmëri dhe siguri më të madhe, duke promovuar qëndrueshmërinë dhe digjitalizimin. Kompletimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të tjera aspirante për BE, heqja e pengesave, të cilat do të kontribuojnë në funksionimin më të mirë të tregjeve të brendshme dhe heqjen e barrierave teknike. Mundësimi i transportit të qetë të pasagjerëve dhe mallrave për të rimëkëmbur dhe forcuar ekonominë e BE-së.

Çfarë nënkupton kapitulli 21?

Kapitulli 21- Rrjetet trans-evropiane mbulojnë fushat e mëposhtme: transportin, infrastrukturën energjetike dhe telekomunikacionin. Acquis është një grup politikash që kontribuojnë në kompletimin e rrjeteve rrugore, me qëllim krijimin e një rrjeti bazë për transportin rrugor, hekurudhor, ajror dhe ujor, rrugët ujore të brendshme, trafikun detar dhe portet. Qëllimi përfundimtar është plotësimi i infrastrukturës së munguar të trafikut, heqja e pengesave dhe barrierave teknike, duke krijuar një kohezion social, ekonomik dhe territorial në vend, rajon dhe BE. Në këtë fushë, BE-ja është gjithashtu e fokusuar në kompletimin e korridoreve energjetike, për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji, diversifikimin e burimeve të energjisë dhe funksionimin pa probleme të tregjeve të brendshme.

Në Klasterin 4 përfshihen Kapitujt 14, “Politika e transportit”, 15, “Energjia”, 21 “Rrjeti trans-evropian” dhe Kapitulli 27, “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”, për të cilat në periudhën nga 15 deri më 20 mars, Komisioni Evropian do të prezantojë për ekipin negociator të Maqedonisë korpusin e ri të legjislacionit evropian, i miratuar në periudhën pas 2018/19.

Në hapjen e Klasterit të katërt prezent ishin edhe 15 gazetarë të cilët janë pjesë e projektit “Mbështetja nordike për progresin në Maqedoninë e Veriut”  për të përmirësuar komunikimin për procesin e anëtarësimit në BE, vlerat dhe përfitimet e tij. Pjesëmarrës është edhe gazetari i Portalb.mkFisnik Xhelili. Projekti është bashkëpunim i përbashkët i UNOPS-it dhe Sekretariatit për Çështje Evropiane, mbështetur nga Qeveria e Suedisë.

Gazetarët sot në Bruksel patën takim me ushtruesin e detyrës së drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e përgjithshme për fqinjësinë dhe negociatat e zgjerimit të Komisionit Evropian, Michela Matuella.

Në hapësirat e Misionit të përhershëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian në Bruksel, gazetarët patën brifing me zëvendëskryeministrin Mariçiq, ndërsa u takuan edhe me shefin e misionit, ambasadorin Zulfi Ismaili.

Nesër gazetarët do të takohen  me këshilltarët për politikën e jashtme të Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, Simon Mordew dhe Maja Kociançiq.

Procesi i skriningut sqarues do të vazhdojë edhe nesër.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së  propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Ndërkaq pas përfundimit të procesit të skriningut, nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Më shumë lajme në lidhje me procesin e skriningut gjeni duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button