Viti 2022 në fushën e eurointegrimeve për RMV-në ishte i suksesshëm, periudha pasuese me “turbulenca”

Viti 2022 mund të konsiderohet vit i suksesshëm për Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj eurointegruese. Pas shumë peripecive, më 19 korrik vendi mori dritën jeshile për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian. Kjo arriti të ndodhë me ndërhyrjen e Francës, e cila dha një propozim për të dyja vendet, që fillimisht nuk u pranua nga Maqedonia dhe më pas u modifikua dhe u miratua nga të dyja palët. Megjithëse përpjekjet ishin të Francës, eurointegrimet u hapën vetëm pas marrjes së presidencës nga Çekia. Rruga sapo ka filluar dhe vendin e pret një udhëtim i gjatë me shumë ngecje. Por tani për tani e gjithë çështja është në duart e vendit, i cili ka filluar procesin e skriningut, përkatësisht, shqyrtimit të harmonizimit të legjislacionit të vendit me atë të BE-së, transmeton Portalb.mk.

Pas ndërmjetësimit të disa presidencave të BE-së për të zgjidhur këtë ngërç, vendi më në fund ia doli të fillojë zyrtarisht bisedimet me BE-në. Gjatë presidencës së Francës me BE-në u bënë përpjekje të vazhdueshme për të tejkaluar dallimet mes Sofjes dhe Shkupit, ndërkohë gjithmonë përmendej edhe propozimi portugez, që në fakt, nuk u kuptua kurrë se çfarë përmbante.

Sofja fillimisht nuk lëshonte pe, presioni i BE-së shtohej

Sofja zyrtare disa herë dërgoi mesazhe të qarta se pa futjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, kjo e fundit duhej ta harronte heqjen e vetos bullgare. Ndërkohë intensifikoheshin vizitat e diplomatëve të lartë në Maqedoni dhe Bullgari. Presioni ndaj Sofjes sa vinte e rritej, sidomos edhe më shumë pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë. Pavarësisht se fillimisht u lëkund besimi se fokusi më nuk do të ishte në integrimin e Ballkanit Perëndimor, përkundrazi rriti edhe më shumë intensifikimin e angazhimit të BE-së.

Parlamenti i Bullgarisë dhe Kabineti i Presidentit të Bullgarisë (djathtas), në qendër të Sofjes, Foto: Meta.mk, 17 qershor 2021
Parlamenti i Bullgarisë dhe Kabineti i Presidentit të Bullgarisë (djathtas), në qendër të Sofjes, Foto: Meta.mk, 17 qershor 2021

Ministri francez për çështjet europiane, Clément Beaune në mars, dha sinjale se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut janë shumë afër gjetjes së një marrëveshjeje, që do të zhbllokonte ngërçin e krijuar për shkak të çështjeve bilaterale në nivelin historik, kulturor dhe gjuhësor.

“Është e vërtetë që ka sinjale pozitive mbi diskutimet lidhur me çështjet bilaterale që janë diskutuar dhe po diskutohen midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kam qenë në vizitë në Bullgari në fillim të presidencës franceze, menjëherë pas konfirmimit të qeverisë së re në Bullgari. Kam qenë në kontakt edhe kohët e fundit me autoritet bullgare dhe me kryeministrin e Bullgarisë Petkov”, tha ai.

Dy vendet nënshkruan disa memorandume bashkëpunimi, që tregonte se gjërat po shkonin në drejtimin e duhur. Megjithatë Bullgaria vijonte të thoshte se qëndrimi ndaj RMV-së mbetet i njëjtë, që do të thotë se nuk ka heqje të vetos pa pranimin e kushteve të Bullgarisë. Për ta zgjidhur këtë situatë u desh edhe ndërhyrja e ShBA-së.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të lehtësojnë dialogun mes Shkupit dhe Sofjes për zgjidhjen e kontestit për çështjet historike, identitetin, gjuhën maqedonase si dhe të drejtat e pakicës bullgare që jeton në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, gjatë një interviste. Ai tha se SHBA-ja po zhvillon bisedime me Shkupin dhe Sofjen për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe

Propozimi francez ishte zgjidhja

Përpara se Maqedonisë t’i jepej dritë jeshile, Franca dha një propozim për tejkalimin e vetos bullgare për fillimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE Maqedonia e Veriut.

Në pika të shkurtra, ky propozim përmbante disa elemente: Maqedonia duhet të konfirmojë para OKB-së se nuk ka pretendime territoriale ndaj Bullgarisë, se do ta përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, do t’i rehabilitojë viktimat nga komunizmi jugosllav, do të harmonizojë tekstet shkollore në përputhje me punën e komisioneve të historisë, do t’i heqë të gjitha tabelat që përhapin gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë, ndërsa dy vendet do të dërgojnë qëndrime të njëanshme lidhur me pozicionet e tyre për gjuhën maqedonase.

Presidenti francez, Emmanuel Macron
Presidenti francez, Emmanuel Macron

Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev, i dha mbështetje propozimit francez duke shtuar se propozimet e presidencës franceze për zhbllokimin e rrugë së Maqedonisë së Veriut drejtë BE-së janë “më të mirat dhe më të drejta për momentin”, duke i kërkuar qeverisë bullgare të mbajë qëndrim për propozimin.

“Qasja aktuale nuk mund të funksionojë. Qeveria bullgare duhet të japë një opinion bazuar në ekspertizën e Ministrisë së Jashtme bullgare dhe nëse në ndonjë mënyrë e përditëson qëndrimin e kornizës kombëtare me vendimin e saj, vetëm atëherë ta dërgojë atë për miratim në Parlament dhe jo anasjelltas”, tha Radev.

Dy vendet miratuan propozimin

Parlamenti bullgar e miratoi rezolutën që miraton heqjen e vetos për fillimin e negociatave të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Propozimi kaloi me 170 vota pro, 37 kundër dhe 21 abstenime. Megjithatë pas miratimit të propozimit francez nga ana e Sofjes, fillimisht Shkupi e refuzoi të njëjtin, i cili më pas u modifikua dhe u pranua. Për këtë, opozita maqedonase, organizoi protesta të një-pas njëshme, duke kundërshtuar propozimin francez.

Edi Rama, Jan Lipavský, Oliver Varhejl
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Më pas propozimi francez kaloi në Kuvend ku dhe16 korrik u miratua. 68 deputetë votuan “për”, ndërkaq paraprakisht sallën e lëshuan deputetë të koalicionit VMRO-DPMNE dhe deputetët e Levicës. Pas votimit deputetët e shumicës parlamentare me duartrokitje e përshëndetën miratimin e propozimit francez dhe valëvitën flamujt e RMV-së dhe BE-së. Një ditë më vonë, ministrat e punëve të jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska e nënshkruajtën protokollin bilateral pas takimit të komisionit të përbashkët ndërqeveritar. Dy ditë më vonë, në Bruksel pas 17 vitesh status rekomandimesh për fillimin e negociatave, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në gjuhën maqedonase e lexoi fjalën hyrëse, ndërsa pasdite filloi procesi i skriningut, i cili do të zgjasë një vit e gjysmë. Pas përfundimit të skriningut, është planifikuar Konferenca e dytë ndërqeveritare, në të cilën duhet të përfundojë faza e hapjes së negociatave, por mbajtja e saj kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese, përkatësisht me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Çfarë në vitin 2023?

Sa i përket asaj se si do të vijojë rruga eurointegruese e Maqedonisë në vitit 2023 ka disa variante. Maqedonia duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, që duket se nuk do të ndodhin edhe aq lehtë. Vendin e presin turbulenca të mëdha politike pikërisht për këtë çështje. Opozita nuk i pranon kushtet e Bullgarisë dhe kërkon zgjedhje. Nëse nuk ndodhin këto zgjedhje apo ndryshimet kushtetuese, mund të ngecë edhe procesi eurointegrues, pavarësisht se mund të përfundojë procesi i skriningut, gjëra që duhet të ndodhin paralelisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button